Tenderi prej 16.5 milionë eurosh i Komunës së Prishtinës për menaxhimin e mbeturinave është vënë në dyshim nga konstatimet e ekspertit të Organit Shqyrtues të Prokurimit – OSHP, i cili pas shqyrtimit të një ankese nga ndërmarrja publike “Pastrimi” SH.A., ka gjetur se vendimi i komunës është mbështetur në deklarata të rreme dhe pa bazë ligjore, shkruan Demokracia.com.
Komuna e Prishtinës ka shpallur një tender për menaxhimin e mbeturinave për tre vitet e ardhshme, me një vlerë prej 16.5 milionë euro, i ndarë në gjashtë lote. Megjithatë, kriteret e vendosura në dosjen e tenderit dhe njoftimin për kontratë tregojnë se disa specifika teknike kufizojnë konkurrencën, duke favorizuar një operator të vetëm ose duke diskriminuar të tjerët. Këtë e ka konstatuar Paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) në vendimin e tij final për këtë tender të komunës, i cili ka qenë në shqyrtim për disa javë dhe i njëjti ka urdhëruar që kriteret të përmirësohen. Komuna ka bërë disa përmirësime në dosje të tenderit.
Por, para disa ditësh, ankesë në komunë ka dërguar edhe kompania regjionale “Pastrimi” dhe tenderi për të dytën herë ka shkuar në OSHP.
Kompania “Pastrimi” ka kontestuar vendimin e Komunës së Prishtinës për të hapur një procedurë prokurimi për shërbime që sipas rregulloreve komunale ende në fuqi i takojnë ekskluzivisht kësaj ndërmarrjeje publike të menaxhojë me mbeturinat. Në ankesën e dorëzuar më 8 prill 2025 në OSHP, “Pastrimi” ka paraqitur dy pretendime kryesore: mungesën e monitorimit nga KRPP, siç kishte pretenduar komuna dhe shpalljen e një tenderi, të cilin rregulloret në fuqi e përcaktojnë si shërbim që duhet të kryhet nga kjo ndërmarrje. Tashmë eksperti ka konfomuar disa shkelje nga ana komunës dhe i ka rekomanduar Panelit që ankesa e operatorit ekonomik KRM “Pastrimi” SH.A të vlerësohet si pjesërisht e bazuar. Rrjedhimisht, rekomandohet që njoftimi për kontratë të anulohet dhe lënda t’i kthehet Autoritetit Kontraktues për rishqyrtim, me qëllim që ky i fundit të rivlerësojë zhvillimin e mëtejmë të aktivitetit të prokurimit në përputhje me nenin 9.4 të LPP-në.
Deklaratë e rreme për monitorimin nga KRPP
OSHP ka autorizuar eksperten Valmira Deliu për të shoshitur provat.
Në pretendimin e parë, “Pastrimi” ka kundërshtuar deklaratën e Komunës së Prishtinës se aktiviteti i prokurimit po monitorohet nga KRPP. Sipas dokumenteve të dorëzuara në OSHP, KRPP ka mohuar përfshirjen në këtë proces përmes një komunikimi zyrtar të datës 29 mars 2025. Eksperti shqyrtues ka vlerësuar se komuna ka përfshirë në vendimin zyrtar një deklaratë të pasaktë dhe të pambështetur në të dhëna reale, duke shkelur nenin 108/A të Ligjit për Prokurim Publik, i cili kërkon që çdo vendim i autoriteteve kontraktuese të jetë i bazuar në fakte të sakta dhe të verifikuara. (RAPORTI)
Pretendimi Ankimor 1
KRM “Pastrimi” SH.A ka kundërshtuar vendimin e komunës për refuzimin e kërkesës për rishqyrtim, të datës 01.04.2025, duke e konsideruar si arsyetim formal dhe pa mbështetje ligjore. Sipas ankesës, AK ka deklaruar se aktiviteti i prokurimit është monitoruar nga KRPP, çka sipas ankuesit është e pavërtetë. Në mbështetje të këtij pretendimi, ankuesi ka dorëzuar komunikim zyrtar nga KRPP që mohon përfshirjen në këtë proces. Ankuesi vlerëson se vendimi i AK-së është ndërtuar mbi supozime dhe jo mbi fakte konkrete, duke rezultuar në një vlerësim të gabuar, si në aspektin faktik, ashtu edhe në atë juridik.
Përgjigje ekspertes 1
Eksperti shqyrtues vlerëson se pretendimi i KRM “Pastrimi” SH.A, megjithëse nuk ka qenë pjesë e kërkesës fillestare për rishqyrtim në përputhje me nenin 64.2 të Rregullores Nr. 002/2024 për Prokurimin Publik (RrPP) dhe nenin 13, paragrafi 9 të Rregullores së Punës së OSHP-së, është i arsyeshëm për shqyrtim, sepse ka lindur si reagim ndaj përmbajtjes së vendimit të AK-së të datës 01.04.2025, si përgjigje ndaj kërkesës për rishqyrtim dhe për këtë arsye është konsideruar i justifikuar për trajtim në kuadër të shqyrtimit të përgjithshëm të procedurës. Në vendimin për refuzimin e kërkesës për rishqyrtim, AK ka deklaruar se aktiviteti i prokurimit është “duke u monitoruar nga KRPP”. Ankuesi ka dorëzuar komunikim zyrtar nga Njësia e Monitorimit e KRPP-së, të datës 29.03.2025, në të cilin konfirmohet se aktiviteti në fjalë nuk është dhe nuk ka qenë objekt monitorimi nga ky institucion. Bazuar në këtë dokumentacion, rezulton se deklarata e përfshirë në vendimin e AK-së nuk përputhet me të dhënat zyrtare të disponueshme. Sipas nenit 108/A të LPP-së, autoritetet kontraktuese kanë për detyrim që vendimet e tyre t’i bazojnë në fakte të sakta dhe të arsyetuara. Duke marrë parasysh rëndësinë që ka saktësia e informacionit në dokumentet zyrtare të një procedure prokurimi, eksperti shqyrtues vlerëson se deklarata e përfshirë në vendimin e AK-së nënvizon nevojën për kujdes të shtuar gjatë formulimit të vendimeve dhe referencave institucionale. Përgjegjësia për përmbajtjen e saktë i takon autoritetit përkatës dhe zyrtarëve të tij, në përputhje me kërkesat ligjore për bazimin e vendimeve në të dhëna të sakta dhe të verifikuara. Ndërkohë, edhe pse OSHP-ja nuk ka mandat për të ndërhyrë në marrëdhëniet ndërinstitucionale, në raste kur institucione si KRPP janë në dijeni për referenca të pasakta që lidhen me rolin apo veprimet e tyre, një sqarim zyrtar dhe në kohë nga ana e tyre do të ishte i dobishëm për rritjen e transparencës dhe për shmangien e paqartësive në dokumentacionin zyrtar të prokurimit.
Pretendimi Ankimor 2
KRM “Pastrimi” SH.A ka kontestuar ligjshmërinë e shpalljes së aktivitetit të prokurimit nga Komuna e Prishtinës, duke u mbështetur në rregulloret komunale në fuqi (Nr. 01-030/01- 227581/23 dhe ndryshimet përkatëse të vitit 2024), të cilat e përcaktojnë atë si ofruesin ekskluziv të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin komunal. Sipas ankuesit, shpallja e tenderit më 18.11.2024 bie ndesh me këto akte normative, duke përbërë shkelje të parimit të ligjshmërisë dhe duke krijuar dyfishim të panevojshëm të shërbimit. Ankuesi ka bashkangjitur në ankesë kopje të rregulloreve komunale përkatëse, të cilat janë ende në fuqi dhe nuk janë shfuqizuar. Në këtë bazë, ai kërkon nga Paneli Shqyrtues i OSHP-së që të konstatojë paligjshmërinë e aktivitetit dhe të urdhërojë anulimin e tij.
Përgjigje ekspertes 2
Lidhur me pretendimin e paraqitur nga KRM “Pastrimi” SH.A, që ka të bëjë me kontestimin e ligjshmërisë së aktivitetit të prokurimit të iniciuar nga Komuna e Prishtinës më datë 18.11.2024, eksperti shqyrtues ka analizuar dokumentacionin e ankesës dhe dokumentet përkatëse të prokurimit. Ankuesi pretendon se Komuna e Prishtinës ka vepruar në kundërshtim me Rregulloren Komunale Nr. 01-030/01-227581/23 të datës 01.12.2023 dhe me ndryshimin e saj përmes Rregullores Nr. 01-030/01-161704/2024 të datës 06.12.2024, të cilat i japin KRM “Pastrimi” SH.A të drejtë ekskluzive për ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin komunal. Në mbështetje të këtyre rregulloreve, ankuesi kërkon konstatimin e paligjshmërisë së aktivitetit të prokurimit dhe anulimin e tij.
Pas shqyrtimit të dokumentacionit, eksperti shqyrtues vlerëson se rregulloret e lartpërmendura janë të miratuara nga Kuvendi Komunal dhe janë në fuqi. Në përmbajtjen e tyre parashihet se KRM “Pastrimi” SH.A ka të drejtë ekskluzive për ofrimin e shërbimeve të grumbullimit të mbeturinave, përfshirë faturimin dhe inkasimin e tarifës përkatëse. Në përgjigjen ndaj kërkesës për rishqyrtim, AK nuk ka kontestuar këtë fakt dhe ka pranuar se Komuna e Prishtinës është aksionare shumicë në këtë ndërmarrje publike. Megjithatë, eksperti shqyrtues vlerëson se interpretimi përfundimtar i vlefshmërisë dhe zbatueshmërisë së një akti normativ komunal, përfshirë përputhshmërinë e veprimeve të AKsë me një rregullore të tillë, i takon gjykatave kompetente dhe tejkalon fushëveprimin e shqyrtimit nga OSHP-ja. Në kuadër të kompetencës së tij, eksperti shqyrton nëse AK ka respektuar dispozitat e LPP-së. Në këtë drejtim, eksperti thekson se në dokumentacionin e publikuar në platformën eprokurimi nuk ekziston ndonjë vlerësim i dokumentuar nga ana e AK-së lidhur me nenin 9.4 të LPP-së, i cili kërkon që, përpara se të iniciohet një aktivitet i prokurimit, të shqyrtohet mundësia që shërbimi të ofrohet nga ndonjë autoritet publik ekzistues. Mungesa e një vlerësimi të dokumentuar në kuptim të nenit 9.4 të LPP-së përbën një mangësi procedurale, veçanërisht në rrethanat kur ekziston një operator publik që është i përcaktuar me Rregullore të Kuvendit Komunal si ofrues i shërbimit. Në këto kushte, veprimet e Autoritetit Kontraktues nuk mund të vlerësohen plotësisht si të përputhshme me kërkesat e ligjshmërisë dhe menaxhimit të drejtë të fondeve publike. Në përfundim, eksperti shqyrtues konstaton se, ndonëse nuk mund të japë një vlerësim përfundimtar mbi vlefshmërinë e rregullores komunale, ekzistenca e saj dhe mungesa e trajtimit të saj në kuptim të nenit 9.4 të LPP-së krijojnë pasiguri rreth ligjshmërisë së procedurës së iniciuar me kërkesat e Ligjit për Prokurimin Publik.
Pretendimi Ankimor 3
KRM “Pastrimi” SH.A pretendon se gjatë përgatitjes dhe shpalljes së aktivitetit të prokurimit janë kryer shkelje të rënda procedurale nga ana e AK-së, të cilat e bëjnë të pavlefshëm procesin tenderues. Sipas ankuesit, kërkesa për publikimin e aktivitetit është bërë më 18.11.2024, ndërkohë që vendimi për emërimin e grupit punues për hartimin e specifikimeve teknike është marrë më 20.11.2024. Kjo paraqet, sipas tij, një mospërputhje që tregon se procedura është nisur përpara se të ekzistonte një vendim formal për përgatitjen e dokumentacionit, në kundërshtim me nenet 28 dhe 29 të LPP-së. Ankuesi thekson gjithashtu se deklaratat nën betim të anëtarëve të komisionit janë të datës 31.10.2024 dhe 01.11.2024 – pra para vendimit zyrtar për emërimin e tyre – duke sugjeruar se komisioni është aktivizuar në mënyrë joformale dhe pa bazë ligjore. Sipas tij, kjo tregon se procedura është përgatitur në mënyrë të paracaktuar, pa respektuar hapat e nevojshëm ligjorë dhe duke cenuar parimet e transparencës, ligjshmërisë dhe barazisë në trajtim. Në përfundim, ankuesi kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit, duke argumentuar se ai është zhvilluar në kundërshtim me dispozitat themelore të LPP-së.
Përgjigje ekspertes 3
Eksperti shqyrtues vlerëson se pretendimi i parashtruar nga KRM “Pastrimi” SH.A, që lidhet me mospërputhje procedurale dhe kronologjike në zhvillimin e aktivitetit të prokurimit, nuk është i pranueshëm për shqyrtim, pasi nuk është përfshirë më parë në kërkesën për rishqyrtim të dorëzuar pranë Autoritetit Kontraktues. Sipas nenit 64.2 të RrPP-së dhe nenit 13, paragrafi 9 të Rregullores së Punës së OSHP-së Nr. 01/2020, përcaktohet se: “Ankesa duhet të jetë e qartë, e shkurtër dhe me pretendimet e njëjta me ato të paraqitura për autoritetin kontraktues.” Në përputhje me këtë dispozitë, ekspertit shqyrtues nuk i lejohet të trajtojë pretendime të reja që nuk janë ngritur në kërkesën për rishqyrtim të datës 26.03.2025. Meqenëse pretendimi për mospërputhjen ndërmjet datave të emërimit të komisionit punues dhe publikimit të njoftimit për kontratë nuk është përmendur në atë kërkesë, ai konsiderohet i papranueshëm për shqyrtim nga OSHP-ja.
Pretendimi Ankimor 4
Operatori Ekonomik “KRM Pastrimi” SH.A konteston ligjshmërinë dhe arsyeshmërinë e aktivitetit të prokurimit të iniciuar nga Komuna e Prishtinës për ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave, duke pretenduar se i njëjti është zhvilluar në kundërshtim me dispozitat përkatëse të Ligjit për Prokurimin Publik (LPP) dhe me rregulloret komunale në fuqi. Së pari, ankuesi prtendon se AK ka planifikuar një kontratë me vlerë totale rreth 21.4 milion euro për periudhën 3-vjeçare, bazuar në çmimin për njësi të shpallur në tender (80 €/ton). Ndërkohë, sipas rregullores komunale të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës, shërbimi aktual ofrohet me çmim 6.20 euro për njësi banimi, që për 72,000 klientë përkthehet në 5.3 milion euro në vit ose rreth 16 milion euro për 3 vite. Diferenca prej mbi 5 milion euro, sipas ankuesit, nuk është e justifikuar, dhe përbën shkelje të parimit të ekonomicitetit dhe efikasitetit në përdorimin e fondeve publike, të parashikuar në nenin 6 të LPP-së. Së dyti, ankuesi thekson se Autoriteti Kontraktues nuk ka shqyrtuar mundësinë që shërbimi të ofrohet nga një autoritet tjetër publik, konkretisht nga vetë ndërmarrja publike “KRM Pastrimi” SH.A, e cila është nën pronësi të Komunës së Prishtinës dhe që aktualisht ofron këtë shërbim. Ankuesi thekson se kjo shmangie nga shqyrtimi i mundësisë për kontraktim publik përbën shkelje të drejtpërdrejtë të nenit 9.4 të LPP-së, dhe njëkohësisht cenon parimin e mosdiskriminimit dhe trajtimit të barabartë, të garantuar me nenin 7 të LPP-së. Së treti, në lidhje me bazën financiare të aktivitetit, ankuesi pretendon se Autoriteti Kontraktues nuk ka përgatitur ose nuk ka përfshirë në dokumentacion Deklaratën për Nevojat dhe Disponueshmërinë e Fondeve (DNPDF), siç kërkohet në nenet 9.5 dhe 9.6 të LPP-së. Në këtë drejtim, ankuesi thekson se nuk ekziston ndonjë dëshmi se është bërë vlerësimi i nevojave reale (neni 9.3) dhe as ndonjë verifikim për disponueshmërinë reale të fondeve, përkundër faktit që në buxhetin vjetor të Komunës për vitin 2025 janë planifikuar vetëm 5.5 milion euro për këtë kategori. Kjo situatë, sipas ankuesit, e vë në dyshim ligjshmërinë buxhetore dhe përputhshmërinë financiare të aktivitetit të prokurimit.
Përgjigje ekspertes 4
Pas analizës së dokumentacionit përkatës dhe pretendimeve të parashtruara nga operatori ekonomik “KRM Pastrimi” SH.A, eksperti shqyrtues vlerëson si më poshtë: 1. Lidhur me pretendimin për kosto të pajustifikuar dhe shkeljen e nenit 6 të LPP-së: Ankuesi ka pretenduar se vlera totale e kontratës së planifikuar nga Autoriteti Kontraktues për periudhën 3-vjeçare arrin rreth 21.4 milion euro, duke u bazuar në çmimin për njësi prej 80 €/ton të përcaktuar në tender, si dhe në faktin se bëhet fjalë për një kontratë kornizë, për të cilën – sipas praktikës – mund të zbatohet një devijim deri në +30%. Sipas ankuesit, kjo vlerë maksimale potenciale paraqet një rritje të ndjeshme në krahasim me koston aktuale të shërbimit dhe nuk është e justifikuar në dokumentacionin e tenderit. Ndërkohë, sipas rregullores komunale në fuqi, shërbimi aktual ofrohet me çmim 6.20 euro për njësi banimi, për rreth 72,000 njësi, që përkthehet në rreth 16 milion euro për të njëjtën periudhë. Diferenca prej mbi 5 milion euro, sipas ankuesit, është e pajustifikuar dhe përbën shkelje të nenit 6 të LPP-së, i cili kërkon përdorimin racional dhe ekonomik të fondeve publike. Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezulton se Autoriteti Kontraktues ka shpallur aktivitetin e prokurimit në gjashtë LOT-e, me vlerë të përgjithshme të njoftuar prej 16,500,000.00 €. Në dokumentet e tenderit nuk është specifikuar ndonjë përqindje devijimi të lejuar, në përputhje me nenin 54.10 të Rregullores për Prokurimin Publik, i cili përcakton se: “Nëse Autoriteti Kontraktues nuk deklaron përqindjen e mospërputhjes në dosje të tenderit, atëherë kontrata përfundon me vlerën ose sasinë e kontratës si një prag apo një tavan të vendosur.” Si i tillë, pretendimi për një vlerë të përgjithshme prej 21.4 milion euro mbetet i pambështetur në dokumentacionin zyrtar të tenderit dhe nuk mund të vlerësohet si shkelje e drejtpërdrejtë e dispozitave ligjore. Gjithashtu, nuk është paraqitur ndonjë analizë krahasuese që të lidhë në mënyrë të argumentuar metodologjinë e çmimit për njësi banimi me çmimin për ton të përdorur në këtë procedurë.
- Lidhur me shmangien e autoritetit publik ekzistues (neni 9.4 dhe neni 7 i LPP-së): Ankuesi pretendon se Autoriteti Kontraktues ka anashkaluar ndërmarrjen publike “KRM Pastrimi” SH.A – e cila është në pronësi të Komunës së Prishtinës dhe që aktualisht ofron shërbimin – duke mos shqyrtuar mundësinë për kontratë “në shtëpi”. Kjo, sipas tij, përbën shkelje të nenit 9.4 dhe cenim të parimit të trajtimit të barabartë dhe mosdiskriminimit (neni 7 i LPP-së). Eksperti shqyrtues konstaton se në platformën e prokurimit nuk ekziston ndonjë dokument që dëshmon vlerësim paraprak të kësaj alternative nga ana e AK-së. 3. Lidhur me Deklaratën për Nevojat dhe Disponueshmërinë e Fondeve (DNPDF): Ankuesi pretendon se Autoriteti Kontraktues ka iniciuar aktivitetin e prokurimit pa përgatitur ose përfshirë në dokumentacion Deklaratën për Nevojat dhe Disponueshmërinë e Fondeve (DNPDF), siç kërkohet në nenet 9.5 dhe 9.6 të LPP-së, dhe pa kryer vlerësim të nevojave reale sipas nenit 9.3.
Eksperti shqyrtues ka verifikuar se në dokumentet e publikuara në platformën zyrtare të prokurimit figuron DNPDF-ja për aktivitetin përkatës, me vlerë të përgjithshme 16,500,000 € për periudhën 2025–2027. Kjo dëshmon se Autoriteti Kontraktues ka përmbushur kërkesat formale që dalin nga nenet 9.5 dhe 9.6 të LPP-së për sa i përket konfirmimit të disponueshmërisë së fondeve si kusht për procedimin e mëtejmë të tenderit. Megjithatë, në dokumentacion nuk është reflektuar ndonjë analizë e qartë mbi përputhshmërinë buxhetore me planifikimet komunale ekzistuese, dhe nuk figuron një vlerësim i detajuar i nevojave reale që justifikojnë vlerën dhe kohëzgjatjen e kontratës, në përputhje me nenin 9.3 të LPP-së. Po ashtu, mungon trajtimi i mundësisë së ofrimit të shërbimit nga një autoritet publik ekzistues, siç kërkohet me nenin 9.4 të LPP-së.
Pretendimi Ankimor 5
KRM “Pastrimi” SH.A pretendon se Komuna e Prishtinës, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, ka shkelur dispozitat e nenit 9, paragrafi 4 të LPP-së, duke mos shqyrtuar mundësinë e aplikimit të një kontrate “në shtëpi” përpara shpalljes së aktivitetit të prokurimit për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave. Ankuesi thekson se Komuna është aksionare shumicë e ndërmarrjes publike “KRM Pastrimi” SH.A, e cila aktualisht ofron këtë shërbim dhe është përcaktuar si ofrues ekskluziv në rregulloret komunale në fuqi. Në këtë kontekst, Autoriteti Kontraktues ka qenë i obliguar të shqyrtonte nëse nevojat mund të përmbusheshin përmes një autoriteti tjetër publik – konkretisht përmes ndërmarrjes në pronësinë e saj. Sipas ankuesit, në vend të kësaj, Komuna ka iniciuar një procedurë të hapur tenderimi për përfshirjen e operatorëve privatë, pa ndërmarrë vlerësimet paraprake që kërkon neni 9.4 i LPP- së dhe pa dokumentuar asnjë analizë për kapacitetet ekzistuese të ndërmarrjes publike. Në dosjen e tenderit mungon çdo referencë që tregon se është shqyrtuar ekzistenca dhe kapaciteti i ndërmarrjes “KRM Pastrimi” SH.A si ofrues aktual i shërbimit, gjë që, sipas ankuesit, përbën shmangie të qëllimshme të fakteve materiale. Në mbështetje të pretendimit të tij, ankuesi i referohet edhe Interpretimit Nr. 1 të KRPP-së të datës 22.11.2022, sipas të cilit: “Nëse autoriteti kontraktues është autoritet publik, autoriteti i tillë publik duhet të marrë masa të arsyeshme për t’u siguruar se lëndët që i përmbushin këto nevoja nuk janë në dispozicion nga ndonjë autoritet tjetër publik.” Sipas ankuesit mbështetur në interpretuimin e KRPP, nëse ekziston një autoritet publik që ofron shërbimin përkatës, nuk ka nevojë të zhvillohet procedurë tenderimi, pasi marrëdhënia kontraktuale mund të vendoset përmes modelit të “kontratës në shtëpi”. Në përfundim, ankuesi konsideron se veprimet e AK-së janë në kundërshtim me nenin 9.4 të LPP-së dhe me frymën e menaxhimit të qëndrueshëm dhe ekonomik të fondeve publike. Ai kërkon që aktiviteti i prokurimit të shpallet i paligjshëm dhe që OSHP-ja të urdhërojë shqyrtimin e mundësisë për aplikimin e modelit të kontratës “në shtëpi”, në përputhje me legjislacionin dhe interpretimin përkatës të KRPP-së.
Përgjigje ekspertes 5
Eksperti shqyrtues sqaron se vlerësimi i nevojës për ushtrimin e një procedure të prokurimit është përgjegjësi e Autoritetit Kontraktues. Megjithatë, kjo kompetencë duhet të ushtrohet në përputhje me dispozitat përkatëse të LPP-së, përfshirë nenin 9.4, i cili parashikon se: “Para se të iniciojë një aktivitet prokurimi, autoriteti kontraktues duhet të vlerësojë nëse një autoritet publik tjetër është në gjendje të përmbushë atë nevojë dhe, nëse po, duhet të konsiderojë mundësinë e një marrëveshjeje ndërmjet autoriteteve publike.” Në dokumentacionin e publikuar në platformën zyrtare të prokurimit, përveç deklaratës në pikën II.1.6 të DNPDF-së ku thuhet: “Për shkak të problemeve serioze është krijuar gjendje e rëndë me menaxhim të mbeturinave në qytet dhe si pasojë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme me vendim të datës 14.02.2024 me nr. 14-352/01-24484/24, andaj shpallja e kësaj procedure të prokurimit është e domosdoshme”, nuk gjendet asnjë dokument tjetër që të dëshmojë se është shqyrtuar alternativa për kontratë “në shtëpi” me ndërmarrjen publike “KRM Pastrimi” SH.A. Po ashtu, nuk është evidentuar ndonjë vlerësim apo analizë e dokumentuar që të dëshmojë se janë marrë në konsideratë kapacitetet ekzistuese të kësaj ndërmarrjeje në kuadër të procesit të vendimmarrjes. Ky aspekt do të kishte qenë veçanërisht relevant, duke pasur parasysh se Komuna e Prishtinës është aksionare shumicë në këtë ndërmarrje publike. Autoriteti Kontraktues ka për detyrë të sigurohet se procedura e iniciuar është në përputhje me nenin 9.4 të LPP-së dhe me udhëzimet e dhëna në Interpretimin Nr. 1 të KRPP-së të datës 22.11.2022, i cili thekson se autoritetet publike duhet të ndërmarrin masa të arsyeshme për tu siguruar se shërbimi përkatës nuk është i disponueshëm nga ndonjë autoritet tjetër publik përpara se të iniciojnë një procedurë prokurimi. Në mungesë të një arsyetimi të tillë në dokumentacionin zyrtar, dhe duke pasur parasysh praktikën e mëparshme të OSHP-së në trajtimin e rasteve të ngjashme që lidhen me detyrimet e Autoritetit Kontraktues për të shqyrtuar alternativën publike sipas nenit 9.4 të LPP-së – siç janë vendimi nr. 163/18 dhe vendimi nr. 373/20 – eksperti shqyrtues vlerëson se pretendimi i paraqitur nga ankuesi është i bazuar.
“Eksperti shqyrtues rekomandon që ankesa e KRM “Pastrimi” SH.A të konsiderohet si pjesërisht e bazuar dhe që lënda të kthehet në rishqyrtim, me qëllim të vlerësimit të mëtejshëm të përputhshmërisë së veprimeve të AK-së me kërkesat e nenit 9.4 të LPP-së. Mbështetur edhe në praktikën e mëparshme të OSHP-së, përfshirë vendimet nr. 163/18 dhe 373/20, që kanë trajtuar raste të ngjashme në raport me detyrimet që rrjedhin nga neni 9.4, eksperti shqyrtues vlerëson se AK duhet të ndërmarrë hapa të qartë dhe të dokumentuar për të dëshmuar se alternativa publike është shqyrtuar në mënyrë të plotë para inicimit të një procedure të hapur. Kjo qasje do të kontribuonte në ruajtjen e integritetit të procedurave të prokurimit, promovimin e ligjshmërisë dhe respektimin e parimeve të transparencës dhe proporcionalitetit, siç kërkohet në nenin 6 të LPP-së. Gjithashtu, duhet të merret parasysh se ekziston një rregullore komunale në fuqi, e cila e përcakton KRM “Pastrimi” SH.A si ofruesin e këtij shërbimi. Kjo rrethanë kërkon vlerësim të kujdesshëm nëse veprimet e AK-së janë në përputhje me këtë rregullore komunale në fuqi dhe me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në raport.
Eksperti shqyrtues, duke u mbështetur në të gjeturat e paraqitura më sipër, i propozon Panelit Shqyrtues që ankesa e operatorit ekonomik KRM “Pastrimi” SH.A të vlerësohet si pjesërisht e bazuar. Rrjedhimisht, rekomandohet që njoftimi për kontratë të anulohet dhe që lënda t’i kthehet Autoritetit Kontraktues për rishqyrtim, me qëllim që ky i fundit të rivlerësojë zhvillimin e mëtejmë të aktivitetit të prokurimit në përputhje me nenin 9.4 të LPP-në. /Demokracia.com/
Demokracia.com ka bërë disa raportime lidhur më tender. I fundit ka të bëjë me vendimin e Panelit të OSHP-së për të kthyer në rivlerësim procesin për përmirësimin e kritereve. Lidhur më raportin e ekspertes, Paneli OSHP-së, pritët që të mblidhet në ditët ne vijim dhe ai e ka primatin për ta miratuar ose jo atë. /Demokracia.com/