Lajme
Eksperti i sigurisë: Këto janë tri fazat e planit serb në Kosovë, pas vendimit për dinarin – nis me protestën
Demokracia
23:39 | 11 Shkurt 2024

Share:

Një protestë në ora 12:00 do të mbahet nesër në Mitrovicën e Veriut, e thirrur nga Shoqata e Pensionistëve serbë, në mbështetje të Listës Serbe për vendimin për dinarin.

Lidhur me protestën, për Gazeta Blic, eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se në veri mund të shohim një skenar nga Serbia dhe protesta e nesërme është hapi i parë.

“Në pjesën veriore kryesisht të komunave serbe do të shohim një skenar të një plani perfid të cilin Serbia do të tentojë ta implementojë pas seancës së Këshillit të Sigurimit në OKB. Ku protesta e paralajmëruar nga ana e shoqatës së pensionistëve serbë është hapi i parë i këtij plani për të mbajtur situatën të tensionuar para festës së 16 vjetorit të pavarësisë së Kosovës duke forcuar narrativën e Beogradit zyrtar, që Qeveria e Kosovës është duke bërë presion dhe të ashtuquajtur “spastrim etnik” dhe që kjo narrativë mund të marrë formën substanciale nëse ka protesta të tilla”, thotë ai.

Shala e ndan në tri faza planin serb.

“Plani serb mund ta ndajmë në tri faza në bazë të zhvillimeve që kanë karakterizuar situatën politike pas sulmit më elemente të invazionit ushtarak duke përdorur paramilitarët dhe kontraktorët ushtarak privat, duke u shpërfaqur në formën terrorist serb mbi institucionet e Republikës se Kosovës”, shprehet ai.

Eksperti i sigurisë si fazë të parë thotë se ishte dështimi i planit me 24 shtator 2023.

Faza e parë ishte në pjesën e sanimit të dëmit të paraqitur nga dështimi i planit të tyre në shtator të 2023 në Kosovë duke ngritur nivelin e diplomacisë së saj në çdo formë te partnerët e shtetësisë së Kosovës për të minimizuar dëmin maksimal të shkaktuar nga vetë Serbia”, vlerëson ai.

Si fazë të dytë, Shala potencon se është mbledhja e informacioneve që të largojë përgjegjësinë për sulmin e Banjskës.

Faza e dytë mbledhja e informacioneve kthyese nga diplomacia e saj duke parë në thelb që ka arritur që të largojë përgjegjësinë e saj shtetërore në sulmin e shtatorit 2023 dhe si rezultat ndodhën edhe disa shkarkime kosmike sikur siç ndodhi me drejtorin e BIA-s, për të arsyetuar dhe legjitimuar veprimin e saj si rast të izoluar”.

Ndërsa faza e tretë, sipas tij, është ndërrimi i kursit nga radikal në demokratik, duke nisur me protesta.

Faza e tretë është tani rikthimi i padëgjueshmërisë qytetare, duke ndërruar kursin e veprimit nga ai radikal që ishte deri më tani, në ato “demokratike”, duke filluar me protesta që do të jenë edhe në qytetet tjera ku ka banorë të komunitetit serb dhe ku Lista Serbe është në udhëheqje, si element tjetër pas protestave do të jetë tentativa për të paraqitur një krizë humanitare si rezultat i mos përmbushjes së pagesave të qytetarëve për nevojat e tyre”, thekson Shala.

Andaj, për këto tri faza eksperti thotë se duhet qenë të vëmendshëm dhe se situata mund të zgjasë deri në 3 muaj.

“Pra, këto janë tri faza që ne duhet të jemi të vëmendshëm që kjo periudhë e krizës artificiale që do të tentojë Serbia ta praqes në Kosove, do të vazhdojë së paku për një periudhë afatgjate deri në 2-3 muaj, për të parë reagimin e faktorit ndërkombëtar dhe në rast se do të ketë sukses, atëherë do të mbeten në këtë trajektore, në rast se nuk do të ketë, atëherë masat dhe veprimet do të jenë radikale duke filluar prapë me barrikada dhe elemente që kemi parë tani edhe në qytetet tjera përpos veriut”, thekson ai.

Krejt në fund, Shala shton se institucionet e sigurisë duhet ndarë informacionet e kësaj lufte hibride me partnerët tanë.

“Institucionet e sigurisë dhe ato politike duhet që në këtë fazë të kësaj lufte hibride të ndajnë informacionet relevante me partnerët tanë, për t’i ikur përgjegjësisë e keqinformimit apo keqpërdorimit nga ana e faktorit serb në dëm të sigurisë nacionale të vendit dhe substancialitetit shtetëror të saj”, deklaron Drizan Shala.

Të ngjashme