Lajme
Eksperti i kibernetikës tregon se si mund të zbatohet vendimi për ndalimin e kriptovalutave në Kosovë?
Demokracia
15:26 | 04 Janar 2022

Share:

Që nga fillimi më 2009, kriptovaluta Bitcoin është përcjellë me polemika në gjithë botën. Në shumë vende investimi në kriptovaluta është konsideruar i rrezikshëm. Ato kanë ndërmarrë masa të caktuara, e ka vende që tashmë e kanë shpallur ilegale. Megjithatë, listës së këtyre shteteve ku kriptovalutat kanë barriera nga shteti i është shtuar Kosova, por vetëm në mihje. Kjo me qëllim për të ruajtur energjinë elektrike.

Të martën, ministrja kosovare e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tregoi se javën e kaluar është vendosur që në nivel vendi të ndalohet prodhimi i kriptovalutave, në një vendim në kuadër të Masave të Emergjencës, për shkak të krizës që ka kapur vendin.

“Institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave. Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook.

A do të dërgohet Njësia Speciale në veri për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave?

Ndërkohë, eksperti i sigurisë kibernetike, Hekuran Doli, ka shpjeguar se si mund të zbatohet një vendim i tillë. Ai ka thënë se kjo mund të bëhet përmes provajderëve që do të mund të ndalonin mihjen përmes sistemit të parandalimit dhe detektimit.

“Po pra, biles vendim i vonuar. Është e papranueshme që qytetarët e Kosovës me u përballë me reduktime, dhe me e pagu rrymën e deputetëve të Kosovës, të cilët kultivojnë kriptovaluta në veri dhe gjithë Kosovën. Në shumicën e rasteve rryma për kultivimin e kriptovaluta vidhet, në të kundërtën nuk do të ishte aq e leverdishme. Tash të shohim se si do të zbatohet ky vendim në të gjithë territorin e Kosovës. Një ide do të ishte që aktiviteti komunikimit i data syncing (procesi i sinkronizimit të dhënave) me u cilësu si shkelje (intrusion), dhe të ndalohet në IDPS (intrustion detection & prevention system), në nivel të providerave të internetit”, ka shkruar Dolin në Facebook.

Veriu i Kosovës raportohet të ‘oazë’ e mihjeve të kriptovalutave. Kjo për shkak se rryma për këto komuna viteve të fundit është paguar nga shteti. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme