Një i mitur 13-vjeçar, dje në fshatin Shajkoc të Podujevës ka shkaktuar një aksident, ku për pasojë ka goditur për vdekje një 63 vjeçar, i cili ishte punëtor i KEDS-it.
I ndjeri është Xhevat Gashi nga fshati Dobërdol i Podujevës. Ai kishte gjetur vdekjen në mesditën e së dielës, derisa ishte duke punuar si pjesë e ekipit të KEDS-it në fshatin Shajkoc të Podujevës.
Demokracia.com ka mësuar se 13-vjeçari me inicialet D.B., pa të drejtë të ngasjes së veturës, është intervistuar nga hetuesit policorë. Përveç tij është intervistuar edhe prindi i tij.
I mituri mësohet se është intervistuar nën mbikëqyrjen e Organit të Kujdestarisë, që vepron në kuadër të Qendrës për Punë Sociale dhe është përgjegjës për mbrojtjen e fëmijëve.
Dyshimet e para, siç ka mësuar Demokracia.com, janë se deri te ky aksident ka ardhur si pasojë e tërheqjes së kabllos së rrymës dhe për këtë është intervistuar edhe mbikëqyrësi i punimeve të KEDS-it, Arian Canolli.
Pikërisht për shkak të dyshimeve të bazuara, Demokracia.com ka mësuar se Canollit, 26 vjeçar, me urdhër të prokurorit të rastit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Të kontaktuar për të kuptuar më shumë rreth këtij rasti, KEDS-i ka thënë për Demokracia.com se Policia është duke u marrë me rastin dhe nuk kanë çfarë të shtojnë më shumë.
Rasti i vdekjes së 63-vjeçarit është duke u hetuar dhe trupi i pajetë i të ndjerit me urdhër të prokurorit të rastit mësohet se është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. /Demokracia.com/
LEXO EDHE: Punëtori i KEDS-it aksidentohet për vdekje derisa ishte duke punuar