Lajme
EDITORIAL| Deri ku është i aftë të shkojë kryeministri Kurti, duke e kundërshtuar opozitarin Kurti?
Demokracia
16:27 | 28 Qershor 2022

Share:

Gazetarët janë të “robëruar” nga profesioni. Duhet të dëgjojnë edhe intervista e deklarata të politikanëve, të cilët paraprakisht e dinë se çka do të thonë. Pra, me pak fjalë, gazetarët nuk mund t’i zgjedhin punët që duan t’i bëjnë, sepse puna e tyre është për ta përcjellë atë çka bëjnë të tjerët, sidomos politikanët.

Në këtë drejtim, na ka rënë hise ta dëgjojmë edhe intervistën e kryeministrit Albin Kurti, që mbrëmë e dha për një televizion në Tiranë, Syri TV.

Është shumë e mundimshme ta dëgjosh një politikan si Kurti sesi përpëlitet të bind të tjerët se ai kur nuk ishte në pushtet, nuk ka thënë bash ashtu siç ka thënë. Jo rastësisht, Kurti po zgjedh mediat jashtë Kosovës për të dhënë intervista në studio, sepse gazetarët në Shqipëri nuk e kanë të njohur se çfarë ka përfaqësuar Kurti dhe rrjedhimisht nuk do të mund ta ballafaqojnë edhe aq gjatë me të kaluarën e tij, shkruan Demokracia.com.

Për Albin Kurtin, kur ishte në opozitë, të gjithë e dinim se çka do të thoshte në një paraqitje – ai do të kundërshtonte gjithçka që bënin qeveritarët. Por, duke qenë se ishte gati zëri i vetëm opozitar, mediave u ishte bërë zakon që ta shfaqnin edhe një anë tjetër, një zë kundërshtues, edhe pse fuqia e tij politike ishte e papërfillshme.

Nëse një litër naftë kushtonte 1 euro, Albin Kurti do të shfaqej në konferencë ose në ndonjë studio televizive për të thënë se me Vetëvendosjen në Qeveri dhe atë kryeministër, ky çmim do të përgjysmohej.

Nëse një familje paguante 50 euro në muaj për faturën e rrymës, Albin Kurti shfaqej me versionin e tij, të saktë edhe me centë, se kjo faturë do të përgjysmohej, shembull në 24 euro e 90 centë, sepse Kosova jeton mbi pasuri që sjellë rrymën, mbi qymyr.

“TVSH bëhet zero për gjërat elementare ushqimore edhe buka me Lëvizjen Vetëvendosje në qeverisje, nga 36 centë që është mesatarja e çmimeve për muajin shkurt të vitit 2014 bëhet 31 centë, sheqeri nga 72 centë kilogrami bëhet 62 centë, qumështi nga 91 centë mesatarisht bëhet 78 centë, vaji nga 1 euro e 23 centë bëhet 1 euro e 6 centë, sepse ne duam që nevojave elementare t’ua heqim TVSH-në dhe t’i lirojmë, ndërkaq luksi që i korrespondon regjistrit të dëshirave ai të shtrenjtohet”, premtonte Albin Kurti në një studio televizive.

Me siguri, ata që e dëgjonin dhe i besonin, ëndërronin se kur do të vinte ky njeri në pushtet që çmimet të binin përtokë.

E kështu, ditë pas dite, me krijimin e iluzioneve të tilla për çdo temë të mundshme, erdhi dita që Albin Kurti të vinte në pushtet. Gjëja e parë që i ndodhi ishte se çmimet nuk ranë përtokë, por shkuan në qiell. Por, tash si kryeministër, ai nuk bëri asgjë që kjo të mos ndodhte. Ai u pajtua pa asnjë kundërshtim, pa asnjë ide tjetër, që të shtrenjtohet rryma me mbi 100 për qind. Edhe çmimet e gjërave elementare ushqimore, si buka, sheqeri, vaji, qumështi, po rriten dita-ditës, por Albin Kurti nuk e ka ndërmend të marrë asnjë masë konkrete për të përballuar këtë situatë, ashtu siç po bëjnë shtetet e tjera.

Edhe për çdo temë tjetër, opozitari Kurti ishte i tillë, premtues në maksimum, por si kryeministër ai nuk po arrin të përmbush as minimumin e premtimeve, shkruan Demokracia.com.

Fusha ku kryeministri Kurti ka rënë përtokë është dialogu me Serbinë. Nga një politikan që akuzonte të tjerët se të takohesh me Aleksandër Vuçiqin është rehabilitim i figurës së tij, sot Kurti është shndërruar në një politikan që nuk e refuzon asnjë takim me të. Madje, është shumë e çuditshme sesi Kurti zgjodhi ta japë një mesazh nga Amerika për “pastërtinë” e figurës së Aleksandër Vuçiqit, që ka shërbyer si ministër i propagandës së kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit.

“E dimë shumë mirë se Presidenti i Serbisë ishte Ministër i Informimit i Sllobodan Millosheviqit. Por, unë mund ta imagjinoj se Millosheviqi kurrë nuk e ka konsultuar Vuçiqin. Pra, nuk duhet të jetë e vështirë për Vuçiqin që ta distancojë veten nga Millosheviqi, i cili asnjëherë nuk e ka konsultuar atë”, është deklarata e tij e dhënë në majin e këtij viti, që do të mbahet mend shumë gjatë.

Kurti foli kështu nga Këshilli i Atlantikut në SHBA, duke rehabilituar me të vërtetë figurën e presidentit serb, i cili mohon hapur masakrat e kryera në Kosovë nga ushtria serbe, ashtu siç i mohonte përmes propagandës të cilën e drejtonte vetë, si ministër i informimit i Millosheviqit.

Njerëzit në Kosovë e kanë votuar atë për premtimet që u ka dhënë qytetarëve me shpresën se do ta mbajë fjalën. Por, askush nuk do ta besonte se pushteti do ta tjetërsojë atë, në gjithçka. Ndoshta ata që e kanë njohur nga afër, nuk mendojnë se ai ka ndryshuar, por ky është i vërteti.

Tjetërsimin që Albin Kurtit ia ka bërë pushteti më së miri mund të vërehet jo vetëm në deklaratat dhe qëndrimet e tij, të cilat po e bëjnë politikan komik, por edhe në pamjen e tij. Albin Kurti nuk shkon askund pa kravatë, për të cilën dikur thoshte se është shenjë e politikanëve çuranë. Ai e vendos atë edhe në 40 gradë celsius, edhe të dielave, edhe në ndonjë ngjarje mbrëmjeve, edhe në mbledhje të qeverisë, edhe në Prevallë edhe në Uashington, edhe në Bruksel në takim me Vuçiqin, edhe në stadium kur shkon për ta parë lojën e Kosovës, që nuk donte ta shihte në të kaluarën as me sy.

I tillë është Kurti. Në çdo fushë që hulumtojmë gjejmë një albinkurt tjetër, që kundërshton fuqishëm opozitarizmin e tij. Edhe pse kjo po e bën atë të duket një politikan tërësisht joserioz, kjo është shumë serioze për Kosovën.

Askush nuk mund ta imagjinojë se deri ku është i aftë të shkojë kryeministri Kurti, duke e kundërshtuar opozitarin Kurti! /Demokracia.com/

Të ngjashme