Lajme
Edi Rama thërret Grubin në telefon, ai i shpjegon se pa Taravarin në zgjedhje Osmani do ishte në balotazh
Demokracia
23:12 | 24 Prill 2024

Share:

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Artan Grubin nga Bashkimit Demokratik për Integrim, ku edhe është informuar për rezultatet e para pas votimeve presidenciale të zhvilluara në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një videoje të shpërndarë në media sociale gjerësisht, duket Grubi teksa flet me Ramën dhe i shpjegon se si kanë shkuar votimet dhe si janë rezultatet.

Grubi i ka treguar Ramës se Osmani ka marrë votat e treta më së shumti në rang kombëtar, ku ka fituar në qendrat kryesore shqiptare përballë Arben Taravarit të VLEN.

Mbi këtë të fundit, i ka thënë edhe se të mos kishte kandiduar dhe të ishin bashkuar votat e shqiptarëve, Osmani do të ishte në balotazh për të qenë Presidenti i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut.

Megjithatë, në video, Grubi duket tejet i kënaqur për rezultatin dhe e ka falënderuar kryeministrin shqiptar për interesimin e treguar lidhur me shqiptarët në zgjedhjet e vendit fqinj.

Po ashtu, në fund, i ka treguar edhe pozitën e Stevo Pendarovskit, presidentit aktual maqedonas, i cili projektohet të shkojë në balotazh me Gordana Siljanovska Davkovan e VMRO-DPMNE.

Ajo i udhëheq votimet me 80% të kutive të numëruara, me 40.05% të votave.

Pendarovski ka marrë 19.55%. Osmani 14.15%. Taravari 9.99%. Dimitrievski 8.47%. Cvetkovska 4.30% dhe e mbyll Jakimovki me vetëm 0.72%.

Të ngjashme