Lajme
E ndihmuan në zgjedhje, Përparim Rama para LDK-së po i favorizon ish-drejtorët e Shpend Ahmetit
Demokracia
20:42 | 17 Janar 2022

Share:

Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, si duket është duke i favorizuar ish-drejtorët e Shpend Ahmetit, duke iu dhënë pozita edhe në qeverisjen e tij.

Pasi e emëroi Drejtoreshë të Financave, Valbona Makollin, e cila kishte post edhe në qeverisjen e Shpend Ahmetit, Rama pritet ta emërojë drejtor edhe një tjetër ish-vartës të Ahmetit.

Demokracia.com mëson se Muhedin Nushi, i cili ishte nënkryetar i Prishtinës në mandatin e dytë të Shpend Ahmetit, pritet të emërohet Drejtor i Administratës, pozitë që e kishte mbajtur gjatë mandatit të parë në qeverisjen e Prishtinës.

Duket se vendimet e Ramës për t’i emëruar drejtorë të përzgjedhurit e Shpend Ahmetit nuk po priten hiç mirë në strukturat e LDK-së në Prishtinë.

Por, cilat janë arsyet që Rama po i favorizon ish-drejtorët e Shpend Ahmetit?

Demokracia.com ka mësuar se gjatë fushatës së zgjedhjeve komunale në Prishtinë, Përparim Rama kishte marrë mbështetje të madhe nga Shpend Ahmeti dhe shumica e drejtorëve të tij. E kjo përkrahje tashmë edhe po u shpërblehet me pozita në komunë.

Ndryshe, Muhedin Nushi ishte emëruar nënkryetar i Prishtinës në gusht të viti 2017, pas zgjedhjes së Dardan Sejdiut deputet në Kuvendit të Kosovës. Para se të emërohej nënkryetar, Nushi kishte udhëhequr me Drejtorinë e Administratës. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme