Lajme
E konfirmuar| Shtyhet vizita e Cholletit në Ballkan
Demokracia
14:28 | 30 Korrik 2023

Share:

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, e ka shtyrë vizitën me një delegacion amerikan në Ballkan, kanë thënë nga Presidenca e Kosovës.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina, ka thënë se vizita e paraparë për 30 korrik me liderë shtetërorë të Kosovës, është shtyrë për shkaqe objektive.

“Nuk ka anulim të vizitës, por jemi informuar se ka shtyrje të datës për gjithë turin ballkanik (pra Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi) për shkaqe objektive të njërit nga anëtarët e delegacionit”, ka thënë Kupina.

Chollet e ka vizituar Kosovën, dhe disa vende të Ballkanit, në janar të këtij viti.

Ai pati thënë atëherë se Shtetet e Bashkuara do të jenë në pritje të një propozimi nga Qeveria e Kosovës për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Ndërkohë, tensionet në Kosovë janë rritur, pas hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunave në veri të Kosovës – Zveçan, Leposaviq, dhe Zubin Potok – të banuara me shumicë serbe.

Komuniteti serb dhe Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, por as nuk i pranojnë kryetarët e rinj.

Tensionet kanë kulmuar edhe me dhunë mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që t’i ulin tensionet dhe të ulen në tavolinën e negocimit.

Më 10 korrik, Kosova ka arritur marrëveshje me BE-në për ulje të tensioneve, dhe në të është përfshirë edhe mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri.

Të ngjashme