Lajme
E konfirmon KQZ: Votat e kandidatëve që nuk janë certifikuar s’do të barten në formularin e rezultateve
Demokracia
12:48 | 05 Shkurt 2021

Share:

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka thënë se në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve do të bartne vetëm votat e atyre që janë të certifikuar.

Elezi në një përgjigje për Demokracia.com ka folur lidhur me evidentimin e të dhënave nga numërimi.

“Pas përfundimit të votimit, anëtarët e Këshillit të Vendvotimit, të cilët përfaqësojnë subjektet politike, numërojnë fillimisht votat për subjektet politike, duke krijuar dengje me votat e vlefshme për secilën prej tyre. Pas këtij procesi, Këshilli i Vendvotimit numëron pjesën tjetër të fletëvotimit: votat e kandidatëve. Këto të dhëna paraqiten në Fletat Llogaritëse të Kandidatëve (FLLK) për secilin fletëvotim. Në këto fleta paraqiten të dhënat për çdo numër. Pas kësaj, bëhet bartja e totalit të votave për secilin kandidat të certifikuar. “, ka thënë Elezi.

Në fund, ai ka konfirmuar se në formularë do të barten vetëm votat e kandidatëve që janë të certifikuar.

“Pra, nëse një subjekt politik ka të certifikuar 4 kandidatë dhe në fletëvotim janë shënjuar 5 numra, në FLLK evidentohen këto 5 shënjime, por ato nuk barten të gjitha në Formularët e Rezultateve të Kandidatëve. Në këta formularë bartën vetëm votat e kandidatëve të certifikuar.”, tha Elezi për Demokracia.com.

Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet që të mbahen më 14 shkurt.

Kandidatë nga parti të ndryshme nuk janë certifikuar për të garuar, kjo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që të mos u lejohet pjesëmarrja personave që kanë vepër penale të konfirmuar në tri vitet./Demokracia.com/

LEXO EDHE:

Elezi flet per Demokracia.com, tregon se si do të numërohen fletëvotimet në zgjedhjet e 14 shkurtit

 

Të ngjashme