Lajme
Dyshimet mbi tenderin 12-milionësh të Përparim Ramës
Demokracia
16:09 | 04 Gusht 2022

Share:

Me profesion është arkitekt. Kjo ka bërë që kryetari i Prishtinës, Përparim Rama t`i kushtojë rëndësi të veçantë kësaj fushe.

Ai ka menduar të themelojë Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit për nevojat e Komunës së Prishtinës në koordinim me kompanitë konsulente.

Për këtë arsye më 1 gusht të këtij viti, komuna e Prishtinës, që ai e udhëheq, ka hapur një mega-tender për të cilin ka zotuar hiç më pak se 12 milionë euro.

Tenderi ka shkuar me procedurë të kufizuar. Kjo sipas Ligjit të Prokurimit do të thotë që vetëm operatorët ekonomikë të ftuar nga autoriteti kontraktues mund të dorëzojnë një tender.

Diçka e tillë e kufizon konkurrencën që në start dhe rrit mundësinë për manipulime.

Një detaj tjetër që bie në sy është që komuna e Ramës në dosjen e tenderit si dy nën-kritere për dhënien e kontratës ka vënë që propozimit financiar t`i kushtohet vetëm 20% rëndësi, kurse propozimit teknik 80 %.

Pra, faktori që do të merret në konsideratë gjatë ri ekzaminimit është vlera më e lartë e kontratave të përfunduara me sukses që e plotësojnë kriterin e kapacitetit teknik, raporton “Front Online”.

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, neni 52, autoriteti kontraktues në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit do të specifikojë kriteret që do të përdoren për dhënie të kontratës.

Aty thuhet se kriteret mund të jenë ose çmimi më i ulët ose tenderi ekonomikisht më i favorshëm.

Kësaj nuk i ka kushtuar rëndësi kryetari i kryeqytetit në tenderin 12 milionësh.

Tutje, pika tjetër e këtij neni, specifikon se vetëm kriteret e matshme dhe të cilat paraprakisht janë përcaktuar në dosjen e tenderit mund të shfrytëzohen për vlerësim. Autoriteti kontraktues mund të përdorë vetëm kritere që janë relevante në mënyrë direkte me lëndën e kontratës. Kritere të tilla mund të jenë në lidhje me p.sh., cilësinë, çmimin, meritat teknike, estetike dhe karakteristikat funksionale, karakteristikat e mjedisit, shpenzimet rrjedhëse, efektiviteti i kostos, shërbimet e pas-shitjes dhe asistenca teknike.

Komuna e Prishtinës në dosjen e tenderit, më konkretisht tek pjesa teknike, ka kërkuar që operatori ekonomik të ofrojë dëshmi të kapaciteteve për kryerjen e punëve të përshkruara, nga te cilat në lëminë menaxheriale së paku 2 projekte të vlerës mbi 1.000.000,00 €, dhe në lëminë e programimit – softuerit të ketë së paku një projekt në vlerë 200.000 EUR, të kryer në periudhën paraprake në dhjetë vitet e shkuara “ose “ në përiudhën e shkuar dhjetëvjeçare.

Operatori ekonomik duhet të angazhojë personel profesional, i përbërë prej:

a) Stafit kyç – udhëheqës (8 sektorë kryesorë)

1. Një projektmenaxher
2. Një menaxher për vlerësimin e projekteve
3. Një menaxher për planifikim hapësinor
4. Një menaxher për kontrollin e ndërtimeve
5. Një menaxher për sektorin e Informacionit Gjeografik
6. Një udhëheqës i sektorit të komunikacionit
7 .Një udhëheqës i sektorit juridik
8. Një udhëheqës i sektorit të programimit dhe TI.

b) Stafi përkrahës
• Dhjetë (10) Inxh.Dipl.Ark. 10 vjet përvojë
• Pesë (5) Inxh.Dipl.Ark. 5 vjet përvojë
• Dy (2) Inxh.Arkitekturës /Urbanist, 10 vjet pervoje
• Një (1) Inxh. i ambientit ose ekuivalent, 5 vjet p.
• Një (1) Inxh. Mbrojtjes në punë ose ekuivalent
• Një (1) Inxh. Arkitekturës, BIM Specialist, 10 vjet p
• Pesë (5) Arkitekt ose teknik përpunues, 5 vjet p
• Dy (2) Inxh.ndërtimi-drejtimi konstruktiv, 10 vjet p
• Dy (2) Inxh.ndërtimi-drejtimi hidroteknik, 10 vjet p
• Dy (2) Inxh.dipl. makinerisë, 10 vjet pervoje
• Dy (2) Inxh.dipl. elektroteknikës, 10 vjet pervoje
• Një (1) Inxh.dipl. i Gjeologjisë, 10 vjet pervoje
• Një (1) Inxh.dipl. i Gjeodezisë, 10 vjet pervoje
• Një (1) Inxh.dipl. per GIS ose ekuiv. 10 vjet pervoje
• Tre (3) Inxh. ose teknik të Gjeodezisë, 5 vjet p
• Dy (2) Inxhinier të komunikacionit, 5 vjet pervoje
• Një (1) Ekonomist i diplomuar, 10 vjet përvojë
• Një (1) Inxh. të IT, apo lëmisë përkatëse, 10 vjet p.
• Pesë (5) Programer të IT-së, 5/7 vjet përvojë.

Për hapjen e këtij tenderi ka reaguar Ilir Kërçeli, shefi i kabinetit të kryekuvendarit, Glauk Konjufca.

Ai në Facebook ka shkruar se qytetarët e Prishtinës nuk e kanë luksin që rreth 5 për qind të buxhetit ta dërgojnë në konsulencë.

Kërçeli ka shtuar: “Veç imagjinojeni sikur kryetari të ishte nga Vetëvendosje.”

Postimi i plotë:

Prishtina e përjetimeve! 12 milionë euro per konsulencë me pritu me i shkru zerot se le ma me mendu që vetëm për konsulencë A e kane lluksin qytetarët e Prishtinës që 4-5 % buxhetit të Komunes me dërgu në konsulencë? Konsulencë për çka? Për me kriju një shërbim brenda komunës, konsulence se qysh me kriju ai shërbim, i bie qe as mu kriju me këto mjete jo. Veç imagjinojeni sikur kryetari të ishte nga Vetëvendosje

Të ngjashme