Lajme
Dy top-skandalet e LVV-së për një javë: Punësimet familjare e partiake në KEK dhe tenderi për familjarë në Gjilan
Demokracia
20:36 | 05 Prill 2022

Share:

Qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje nuk po i shkon java pa i dalë në sipërfaqe një skandal i ri.

Vetëm në pak ditë, partisë së kryeministrit Albin Kurti, i cili erdhi në pushtet duke i kritikuar punësimet partiake e familjare, i dolën dy skandale: punësimi i më shumë se 120 personave në KEK, shumica e të cilëve aktivistë të Vetëvendosjes dhe familjarë të menaxhmentit, si dhe tjetri në nivelin lokal kur zyrtarja e kësaj partie në komunën e Gjilanit, Enkelejda Arifi, i dha subvencione djalit të saj dhe kunatit, shkruan Demokracia.com.

I pari: Zyrtarja e LVV-së shpërblen djalin dhe kunatin e saj me mijëra euro

Posa mori komunën e Gjilanit, Lëvizja Vetëvendosje ka filluar me kapjen e “peshqve të vegjël”. Zyrtarja e komunës së Gjilanit për Kulturë, Rini dhe Sport, Enkelejda Arifi, e cila pasi si pjesë e Vetëvendosjes erdhi në pushtetin komunal, ka ndarë projekte për familjarë. Ajo nuk ka shkuar larg dhe e ka shpërblyer djalin dhe kunatin nga komuna e Gjilanit me 7552 euro në total.

Organizata joqeveritare “KrudoKultura”, ka shprehur shqetësim për manipulimin me fonde në një thirrje publike të bërë më 11 shkurt 2022 për mbështetje financiare të OJQ-ve apo individëve në komunën e Gjilanit, nga drejtoria e kësaj komune për Kulturë, Rini dhe Sport.

Enkelejda Arifi ishte pjesë e komisionit që ka vendosur për ndarjen e subvencioneve për kulturë në këtë komunë.

Blendi Arifi është djali i Enkelejdës dhe ai ka përfituar 1200 € në emër të projektit “Emigrantët”.

I dyti: Skandali i punësimeve në KEK

Edhe pse lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ishte zotuar në fushatë elektorale se “familjarët e farefisi” nuk janë për institucione, por për dasma e fejesa, në praktikë po ndodh e kundërta.

Këtë e ka dëshmuar konkursi i fundit në KEK. Në këtë konkurs ku janë pranuar 128 persona, shumica janë familjarë të zyrtarëve të KEK-ut dhe militantë të partisë në pushtet. Në konkurs kanë aplikuar plot 4668 persona, shkruan Demokracia.com.

Por, shkeljet më të rënda janë kryer nga anëtarët e komisionit vlerësues. Ata janë kujdesur që fillimisht të pranojnë në punë familjarë të tyre të rrethit të parë. Në të dytin kanë pranuar në punë militantë të Vetëvendosjes. Po kaq të kujdesshëm kanë qenë për të eliminuar nga gara ata që nuk janë familjarë të tyre dhe përkrahës të partisë në pushtet.

Mes njerëzve që kanë punësuar familjarë është edhe njeriu që do të duhej t’i ndalonte këto punësime nepotiste dhe kriminale. Ai është zyrtari kryesor i Auditimit të Brendshëm në KEK, Ismet Vrapçani.

Ky zyrtar është kujdesur që në konkursin e fundit në KEK ta punësojë edhe djalin e tij, Nolin. Ky i punësuar është renditur me numër 17 në listën e të punësuarve.

Duke keqpërdorur pozitën zyrtare, Vrapçani ka shpërblyer të birin me një vend pune të sigurt në kompaninë që aksionar ka Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Veprimi i tij bie ndesh me Kodin Penal të Kosovës. Mirëpo, shkeljet ligjore nuk përfundojnë këtu. Për më keq komprometohet i gjithë procesi.

Shkelje të rënda janë bërë nga vetë anëtarët e komisionet të pranimit.

Yll Shala, një anëtar dhe aktivist i VV-së, që është inxhinier në Termocentralin Kosova B, ka qenë kryetar i komisionit të pranimit të një pjese të punëtorëve. Atij i është pranuar i vëllai, Leutrim Shala, i cili është renditur i pari në listën e të punësuarve.

Duke ndjekur shembullin e Yll Shalës, anëtari tjetër i Komisionit dhe aktivist i LVV-së, Tahir Musliu, po ashtu ka punësuar djalin e tij, Fitim Musliun.

Edhe Zymer Morina, një anëtar i LVV-së dhe anëtar i komisionit për pranimin e punëtorëve nuk ka shkuar shumë larg. Ai është kujdesur që t’i bëjë një vend pune edhe djalit të tij, Fidan Morinës.

Këta anëtarë të komisioneve, përveç shkeljeve etike dhe profesionale, si dhe konfliktit të pastër të interesit, kanë bërë edhe keqpërdorim të pozitës zyrtare, që është e dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Shkeljet nuk mbarojnë me kaq. Idriz Berbatovci, përveç që ka të punësuar gruan në KEK dhe djalin e tij, Gëzim Berbatovci, tash ka punësuar edhe djalin tjetër, Albinotin.

E gjithë kjo është mundësuar pasi që djali i parë i punësuar në KEK, Gëzimi punon në zyrën ligjore.

Po ashtu në listën e të punësuarve teknik të makinerisë gjendet edhe Fatlum Podvorica, i afërm i Milot Podvoricës, u.d. të Drejtorit të Zyrës Ligjore në KEK.

Shkeljet nuk kanë të ndalur më kaq.

Gani Pacolli, zyrtar në Burime Njerëzore në KEK, i cili pos tjerash përpilon kontratat e të punësuarve, ka punësuar djalin e tij, Florentin.

Fatbardh Dabinovci, i cili më herët ka qenë duke punuar në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, për shkak të shoqërisë së ngushtë me Milot Podvoricën, është transferuar në Qendër në KEK në ndërtesën e Toskanës. Tashmë ai është bërë një nga faktorët e rëndësishëm të punësimit të militantëve të LVV-së në KEK.

Ai është kujdesur ta punësojë edhe vëllain e tij, Fatlumin. Gjithashtu, Remzi Selimi, anëtari i LVV-së që punon në qendrën e trajnimit në KEK, ka punësuar mikun e tij në punë, Bekim Baliun, i cili pos tjerash nuk i plotëson as kushtet e konkursit.

Baliu është i diplomuar për përpunim të metaleve dhe nuk ka pasur të drejtë të konkurrojë në drejtimin Teknik i Makinerisë. Por, këtë e kanë mundësuar burimet njerëzore në KEK, shkruan Paparaci.

Keq me punësime nuk ka mbetur as kandidati i LVV-së në zgjedhjet e fundit për kryetar të Obiliqit, Halil Thaçi. Pas humbjes, ai është bërë deputet në Kuvendin e Kosovës. Thaçi, që është edhe kryetar i LVV-së në Obiliq, ka punësuar në KEK nipin e tij Valon Gashi. Po ashtu, ai nuk e ka lënë keq as shokun e tij nga fëmijëria, Florent Berishën.

Ndikimi i deputetit Thaçi shihet edhe në punësimin e militantit të LVV-së, Florim Tërholli.

Ndërmarrja Publike e KEK-ut ka pasur edhe më herët punësime familjare, por kurrë në këtë nivel. Tashmë njerëzit e Vetëvendosjes, pos militantëve, po i punësojnë edhe familjarët e tyre. Krejtësisht në mënyrë të hapur, në kundërshtim me ligjin dhe Kodin Penal.

Ndërkohë, shumë kandidatë që kanë pasur nga 80 pikë deri 100 pikë, nuk janë pranuar në punë me arsyetimin se gjatë intervistës verbale kanë dështuar./ Demokracia.com/

 

Të ngjashme