Lajme
Dy shok-bomba shpërthyen afër njësitit policor në Zveçan
Demokracia
10:26 | 18 Qershor 2023
Ilustrim

Share:

Dy shok-bomba kanë shpërthyer dje afër njësitit policor në Zveçan, të cilët kanë qenë duke qëndruar në pikë statike.

Policia ka bërë të ditur se si pasojë e shpërthimit nuk ka pasur ndonjë person të lënduar apo shkaktuar dëme materiale.

“Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, është njoftuar prokurori i cili e ka cilësuar rastin dhe vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente policore.”, ka informuar Policia.

Edhe të premten në mbrëmje dy shok-bomba kanë shpërthyernë veri të Mitrovicës. Zëvendësdrejtori rajonal i Policisë në Mitrovicë, Veton Elshani për KosovaPress ka treguar se njëra shok-bombë është gjuajtur afër stacionit policor, ndërsa tjetra afër shkollës teknike.

Situata në tri komunat në veri të vendit, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok është tensionuar të premten e 26 majit, kur kryetarët e betuar janë detyruar të hyjnë në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës. Të hënën (29 maj) protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar e djegur vetura të mediave.

Qeveria e Kosovës është kritikuar lidhur me veprimet në veri të vendit.

Të martën (13 qershor), është raportuar se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Ndërsa, të mërkurën (14 qershor) Bashkimi Evropian ka deklaruar se kanë vendosur të ndërmarrin masa ndaj Kosovës, por që të njëjtat nuk janë sanksione.

Të mërkurën (14 qershor) tre zyrtarë kufitarë janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vijën kufitare në veri të Kosovës. Policia ka bërë të ditur se njësia policore ka qenë në detyrë thellë brenda territorit të Kosovës për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale. Tre policëve të rrëmbyer nga forcat serbe dje (17 qershor) i është shqiptuar masa e paraburgimit.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania kanë bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës, të arrestuar në veri nga forcat serbe.

Ndërkohë, të premten (16 qershor) në Leposaviq janë sulmuar ekipet e mediave. Policia ka informuar se në afërsi të komunës së Leposaviqit nga individë dhe grupe kriminale janë sulmuar fizikisht në mënyrë brutale 9 gazetarë të mediumeve të ndryshme të Kosovës dhe është hedhur një mjet, dyshohet shok bombë. “Bazuar në informacionet e deritanishme bëhet fjalë për nëntë gazetarë të sulmuar të cilët kanë qenë me detyrë zyrtare duke përcjellë zhvillimet pranë komunës së Leposaviqit, ku disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor”, është bërë e ditur nga PK.

Të ngjashme