Me rastin e 15-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës, Grupi për Ballkan ka organizuar konferencën “Analizë gjithëpërfshirëse e Kushtetutës së Kosovës”.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se Kushtetuta e Kosovës, mishëron parametrat më të mëdha. “Duhet ta kuptojmë gjithmonë se Kushtetuta e Kosovës ishte produkt i fazave nëpër të cilën kaloi Kosova”, tha ai. Sipas tij, Kosova ishte projekt ndërkombëtar dhe vendor.
Por siç duket ai ka harruar se për dy ministre të qeverisë së Albin Kurtit, Arbërie Nagavcin që drejton dikasterin e Arsimit dhe Albulena Haxhiun e Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që të dyja e kanë shkelur aktin më të lartë juridik të shtetit tonë, shkruan Demokracia.com.
Kryeparlamentari, Konjufca vlerësoi e kushtetutshmëria e Kosovës është ende në formësim e sipër. “Trashëgimia kushtetuese po prodhohet vazhdimisht, ajo po vazhdon edhe sot”, theksoi ai.
“Kosova shumë shpejt do të futet në një fazë të stabilitetit kushtetuese, në një farë mënyrë është shumë e nevojshme, pas gjithë të kësaj që kemi kaluar, po shoh se jemi të gatshëm të kalojmë në një fazë të stabiliteti kushtetues, situata tani është më e qartë se sa para 10 viteve”, deklaroi ai
Ndryshe në këtë konferencë është prezantuar edhe raporti i politikave “Kushtetuta e Kosovës: Rishikim Gjithëpërfshirës & Analizë Ligjore”, që analizon 21 çështje kushtetuese që lidhen me sistemin e ligjeve, funksionimin e institucioneve dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese si dhe propozon zgjidhje për mangësitë kushtetuese.
Kujtojmë që më datën 25 mars Gjykata Kushtetuese e ka shpallur antikushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial. Kushtetuesja vendosi se ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, kompetencat e Kuvendit, rolin e Avokatit të Popullit, barazinë para ligjit, e nenin për KPK-në.
Kurse, në prill të vitit 2022, Kushtetuesja kishte konstatuar se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i ka tejkaluar kompetencat e ministrisë dhe ka cenuar përgjegjësitë e pushtetit komunal në reformën që e kishte nisur ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastratiti.