Lajme
Dy “superkriminele” në kabinetin e Kurtit | Si e shkelën Kushtetutën dhe cenuan pavarësinë e Gjykatës, Haxhiu e Nagavci
Demokracia
22:35 | 27 Mars 2023

Share:

Nëse Albin Kurti do t’i vlerësonte njerëzit me parametrat që i vlerësonte sa ishte në opozitë, i bie që ai brenda kabinetit të tij ka dy super kriminele. Kjo pasi kryeministri aktual thoshte se “ai që e shkelë Ligjin është kriminel, e ai që shkelë Kushtetutën është superkriminel”.

Për dy ministre të qeverisë së Albin Kurtit, Arbërie Nagavcin që drejton dikasterin e Arsimit dhe Albulena Haxhiun e Drejtësisë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që të dyja e kanë shkelur aktin më të lartë juridik të shtetit tonë, shkruan Demokracia.com.

Dy ditë më parë, më datën 25 mars kjo gjykatë e ka shpallur antikushtetues Ligjin për Këshillin Prokurorial. Kushtetuesja vendosi se ligji bie ndesh me nenet e Kushtetutës për formën e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit, kompetencat e Kuvendit, rolin e Avokatit të Popullit, barazinë para ligjit, e nenin për KPK-në.

Kurse, në prill të vitit 2022, Kushtetuesja kishte konstatuar se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, i ka tejkaluar kompetencat e ministrisë dhe ka cenuar përgjegjësitë e pushtetit komunal në reformën që e kishte nisur ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastratit.

Ndonëse nga opozita dhe njohës të sistemit të drejtësisë u kërkua dorëheqja e ministres Haxhiu, ajo lëre që nuk reflektoi por guxoi edhe ta kontestonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese.  Haxhiu madje e akuzoi Kushtetuesen se para interesit të përgjithshëm, e vuri atë të disa anëtarëve të KPK-së

Haxhiu në një konferencë shtypi e akuzoi Kushtetuesen se e vuri interesin individual të ndonjë anëtari të KPK-së para atij të përgjithshëm dhe të ndaljes së korporatizmit.

Ajo e cilësoi si befasi pikën e vendimit që e shpall jokushtetues edhe delegimin në KPK të një anëtari joprokuror që do të caktohej nga Avokati i Popullit.

Haxhiu tha se përmes ligjit të ri është synuar që Kryeprokurori të veprojë i pavarur, me profesionalizëm dhe të mos ndikohet nga interesat e ngushta, përfshirë ato politike. Ka pasur përgjigje edhe për kritikat e opozitës.

Haxhiu ka deklaruar se nuk e ka ndërmend që të dorëhiqet nga pozita e ministres, pavarësisht kërkesave të opozitës.

“Për çfarë të jap dorëheqje? Të pyetet opozita se përse po e kërkojnë dorëheqjen time. Konsideroj se kur kanë parë vullnetin tonë, seriozitetin për të vazhduar reformat në sistemin e drejtësisë, ata kanë filluar me kërkesat për dorëheqje sepse po sulmohen interesat e tyre. Tek e fundit unë nuk jam këtu për t’i plotësuar dëshirat e opozitës, pavarësisht pengesave apo gurëve që na vendosen në rrugë. Në të kaluarën kemi pasur Qeveri që nuk i kanë shërbyer Kosovës, por interesave të tyre, individëve, oligarkëve, grupeve të interesit”, ka thënë Haxhiu.

Lidhur me këtë drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj vlerëson se për shkak të joprofesionalizmit dhe joseriozitet të ministrisë së Drejtësisë për të argumentuar nevojën për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës ka rezultuar edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila këtë ligj e shpalli të pavlefshëm.

Miftaraj tha se MD nuk ka dërguar dëshmi për ta bindur Kushtetuesen për problemet që ka sistemi prokurorial i Kosovës.

“Reforma në sistemin prokurorial, në këtë rast ligji për KPK ka dështuar më shumë për shkak të joprofesionalizmit, por edhe joseriozitetit të ministrisë së Drejtësisë për ta argumentuar të njëjtin pranë Gjykatës Kushtetuese…Gabimin që e ka bërë MD ka qenë se kur e ka miratuar ligjin, kur ka komunikuar me Gjykatën Kushtetuese në bazë të asaj që përcakton ligji nuk ka dërguar dëshmi dhe nuk e ka bindur Gjykatën Kushtetuese lidhur me problemet që ka sistemit prokurorial”, thekson ai.

Sa i takon deklaratave të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila vendimin e Kushtetuese për Ligjin për KPK-në e quajti absurd, Miftaraj thotë se me këto komentime po cenohet pavarësia e këtij institucioni.

“Si duket, ministrja Haxhiu pothuajse është e papërmirësueshme në këtë aspekt. Komentimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese përbën cenim të pavarësisë së këtij institucioni”, tha ai. Sipas tij, vendimet e Gjykatës Kushtetuese vetëm duhet të zbatohen e jo të komentohen.

Më 8 prill 2022, një ditë para festës zyrtare, të ditës së Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese doli me një Aktgjykim. Aty u konstatua se ministrja e Qeverisë Kurti II, Arbërie Nagavci e ka shkelur kushtetutën, kur ndali reformën e arsimit në Kamenicë. Sipas Gjykatës Kushtetuese, Nagavci si ministre e arsimit, me vendimin e saj, për ta ndalur këtë reformë, ka tejkaluar kompetencat duke ndërhyrë në punët që bien në kompetencë të nivelit lokal.

Rasti ndërlidhej me riorganizimin e shkollave në Komunën e Kamenicës më 2019, që ishte iniciuar përmes vendimet të kryetarit të komunës me arsyetimin e rënies së numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore.

Gjykata Kushtetuese, më 8 prill 2022, doli me vlerësim prej disa pikash prej të cilave thuhej se organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj, se komunat kanë kompetenca vetanake dhe se rishikimi administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutën dhe ligjin.

Në vazhdim, Gjykata theksoi nenin 17 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale sipas të cilit komunat kanë kompetenca “të plota dhe ekskluzive” në ofrimin e arsimit publik, përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, etj.

Edhe Nagavci pasi vendimi i saj u shpall antikushtetues nuk pati ndonjë reflektim. Madje, ajo shprehej e bindur  se veprimi i saj ka qenë i drejtë.

“Vendimin e GjK-së do ta analizoj me kujdes në ditët në vijim, por mbetem e bindur se mosveprimi nga ana ime në rastin e Kamenicës do te ishte shkelje e të drejtave të fëmijëve, shkelje e së drejtës kushtetuese për arsim, shkelje e konventave ndërkombëtare dhe në dëm të interesit të fëmijëve. Një gjë të tillë nuk mund ta toleroj as si ministre, as si nënë e as si profesioniste”, shkruante Nagavci. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme