Lajme
Dy këshilltarë i mori nga Lugina e Preshevës, por Kurti nuk e bëri kurrë temë të dialogut çështjen e saj
Demokracia
13:18 | 11 Gusht 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka gjetur rrugën për t’i braktisur premtimet që kanë të bëjnë me Luginën e Preshevës. Politikanët e asaj pjese po i angazhon në kabinetin e tij, por bashkë me ta nuk po e merr edhe çështjen e shqiptarëve që jetojnë të shtypur në Serbi.

Kurti muaj më parë thoshte se Kosova nuk do ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, pa u krijuar një Asociacion i njëjtë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ai lërë që s’u mor fare me këtë çështje, por edhe pranoi në Ohër e pastaj në Bratislavë, që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që vetë e quante “Zajednica”, shkruan Demokracia.com.

Kurti po atë ditë u premtoi shqiptarëve të Luginës se Qeveria e Kosovës nuk e ka lënë anash në dialog me Serbinë edhe çështjen e shqiptarëve të atjeshëm.

“Shumë më tepër ka shqiptarë në Serbi sesa serbë në Kosovë. Pakicat kombëtare në Serbi janë gati 20%, ndërsa pakicat kombëtare në Kosovë janë rreth 7%. Prandaj, Asociacion i komunave me shumicë serbe në Kosovë, e Presheva, Medvegja dhe Bujanoci ta kenë vetëm Këshillin Nacional, është e padrejtë, e dëmshme dhe e papranueshme”, kishte deklaruar kryeministri Albin Kurti.

Ai në deklarimin e tij para gazetarëve ka porositur Serbinë që “nëse dëshiron zgjidhje njëetnike në Kosovë, le ta provon së pari në shtëpinë e saj”.

E meqë nuk bëri asgjë për shqiptarët e Luginës, Kurti ka nisur që disa politikanë të afërt me të prej Luginës t’i sistemojë në Qeverinë e tij.

Ardita Sinani është emëruar para disa muajve këshilltare e Kurtit, ndërsa Ragmi Mustafi së fundmi u emërua këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Ndërkaq, pakënaqësi të vazhdueshme ndaj Kurtit, të cilat i shpreh edhe publikisht, ka Kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

DOKUMENT | Ragmi Mustafi bëhet këshilltar në Qeverinë Kurti

Të ngjashme