Lajme
Durimit të SHBA-së i vjen fundi, Kurtit i dorëzohet “Non Paper”me shtatë pika
Demokracia
18:11 | 13 Janar 2022

Share:

Ambasadori i ri amerikan, Jeff Hovenier, si duket se nuk preferon të humbas shumë kohë me “kurtuazi” diplomatike.

Hovenier këto ditë i ka takuar shumicën e krerëve të shtetit, përfshirë edhe kryediplomaten Donika Gërvalla.

Megjithatë, Ambasada Amerikane edhe para se të vinte ambasadori Hovenier, nuk kishte qëndruar “duarkryq” përballë kryeministrit Albin Kurti.

Demokracia.com ka mësuar se Ambasada Amerikane ia kishte dorëzuar Kurtit një “Non Paper” me 7 pika të rëndësishme, duke kërkuar që të zbatoheshin me prioritet.

Disa prej këtyre pikave, siç ka mësuar Demokracia.com, janë edhe implementimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe, rritja e përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Po ashtu, siç mëson Demokracia.com, Ambasada Amerikane i ka rekomanduar Kurtit që të shkojë për intervista te mediat kritike, pasi ai që kur është bërë kryeministër i ka dhënë vetëm dy intervista në mediat vendore, një në KTV dhe një në ATV.

Zëvendësndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, ka bërë të ditur se së bashku me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do t’i vizitojnë së shpejti vendet e rajonit tonë.

I pyetur lidhur me mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, Escobar ka thënë se shpreson që të ketë përparim në dialogun që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, raporton Demokracia.com.

Ai ka thënë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë “nuk ka lidhje thjesht me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, por edhe me kolegët tanë në rajon”.

“Ne do të angazhohemi intensivisht me të dyja vendet. Po, ne do të tregojmë mbështetjen tonë për dialogun edhe me hapa konkretë. Ne do të ndihmojmë, do të punojmë me partnerët tanë evropianë që të realizohet çfarëdo që të vendoset në këtë dialog, në këtë proces të udhëhequr nga BE-ja. Pra, po, ne do të jemi shumë të angazhuar në proces, por jo vetëm në Serbi dhe Kosovë, por në gjithë rajonin dhe jo vetëm për çështjet politike, por edhe çështjet ekonomike. Ne shohim shumë mundësi për zhvillim ekonomik në rajon, veçanërisht në Shqipëri dhe Serbi, Kosovë dhe Mal të Zi, kështu që ne do të vazhdojmë të punojmë në të gjitha drejtimet”, ka thënë Eskobar për VOA.

Escobar ka paralajmëruar sanksione të reja në Ballkanin Perëndimor. /Demokracia.com/

Të ngjashme