Lajme
Duraku hedh dyshime për konkursin e QKUK-së, paralajmëron parregullsi me “pasoja gjyqësore”
Demokracia
13:33 | 05 Mars 2023

Share:

Nënkryetari i Sindikatës së punëtorëve shëndetësorë të QKUK-së, Enlirat Duraku, ka reaguar pasi Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës ka hapur konkurs për plotësimin e 100 vendeve të lira të punës për profesionistë shëndetësorë.

Sipas Durakut, konkursi për infermier në SHSKUK/QKUK është publik, teksa shtoi se komisioni nuk duhet të jetë në përbërje vetëm me anëtarë nga QKUK-ja.

Madje, infermieri Duraku shtoi se për hir të transparencës dhe paanshmërisë, shmangies së parregullsive, duhet që 90% e anëtarëve të komisionit të jenë nga regjionet e Kosovës, transmeton Paparaci.

Përndryshe, Duraku pretendon se sërish do ketë parregullsi me pasojë procese gjyqësore, “ashtu siç aktualisht ka proces gjyqësor”.

“Secili aplikant duhet të ketë të drejtën e procesit fer, ndërsa rezultatet të jenë të bazuara në meritokraci, e jo në favore dhe ndërhyrje. Njejtë sikurse fëmiju i mjekut, infermierit apo personit me ndikim duhet të ketë trajtim fer dhe jo privilegj”, shkroi ai në Facebook.

Përmes konkursit të shpallur nga QKUK-ja, mundësi punësimi do të kenë 70 infermierë me diplomë bachelor, 15 infermierë me shkollë të mesme, 10 teknikë të rëntgenit me diplomë bachelor, si dhe pesë laborantë mjekësorë me bachellor.

Konkursi mbetet i hapur nga  29.03.2023 deri më 5.04.2023.

“Në kuadër të objektivave për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe ngritjes së kapaciteteve të resurseve humane, Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka hapur konkurs për plotësimin e 100 vendeve të lira të punës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Të ngjashme