Fuad Shahbazov, njohës i çështjeve të sigurisë rajonale, në një artikull autorial të botuar në “Gulf International Forum (GIF)” të hënën, shkroi se bashkëpunimi midis Serbisë dhe Iranit në fushën e eksportit të armëve është sinjal se Irani është i gatshëm të shfrytëzojë ndjeshmërinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor për të rritur ndikimin në këtë pjesë të kontinentit evropian.
Në bazë të të dhënave të Qeverisë së Iranit, rreth 22 vende kanë paraqitur kërkesë zyrtare për të blerë dronët iranianë, përfshirë Serbinë. Shahbazov shkroi se kërkesa e Serbisë për blerjen e dronëve iranianë erdhi në mes të tensioneve në rritje në Kosovë, ndërsa paralajmëroi se rajoni mund të përballet me një ripërshkallëzim vdekjeprurës nëse përdoren dronët iranianë.
“Irani është angazhuar në rajone të brishta anembanë globit dhe është përpjekur të tregtojë produkte në Ballkanin Perëndimor – një nga rajonet më të paqëndrueshme në Evropë. Rajoni mund të përballet me një valë vdekjeprurëse me hyrjen e dronëve iranianë në tregun lokal të armëve”, shkroi Shahbazov në artikullin: “Dronët e Iranit mund ta copëtojnë Ballkanin Perëndimor”.
“Perëndimi duhet urgjentisht të rigjallëroj qasjen ndaj rajonit të paqëndrueshëm të Ballkanit Perëndimor për të parandaluar ngurtësimin e kampeve pro-iraniane dhe pro-ruse dhe për të shmangur katastrofën humanitare – dhe efektin e mundshëm të përhapjes – që mund të ndodhë si rezultat i një ofensive ushtarake serbe kundër Kosovës”, shtoi ndër të tjera Shahbazov.