Lajme
Drecun: Turp i qoftë ambasadorit gjerman, në Hagë po gjykohet UÇK dhe populli shqiptar – jo individët
Demokracia
12:06 | 09 Prill 2023

Share:

Serbia vazhdon të kundërshtojë ashpër pohimet e diplomatëve perëndimorë dhe të Prokurorisë dhe Gjykatës Speciale se në Hagë po gjykohen vetëm individët e jo UÇK si organizatë e tërë.

Njeriu kryesor i Beogradit zyrtar që për vite të tëra udhëheq Komisionin që propagandon dhe përpunon dëshmitarë kundër UÇK-së, për nevoja të Prokurorisë së Hagës, Milovan Drecun, ka reaguar  kundër ambasadorit gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili ditën e fillimit të gjykimit kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ka pretenduar se në Gjykatën Speciale nuk po gjykohet UÇK-ja, por individët.

“Pikësëpari kjo është një deklaratë e turpshme, por kjo gjë nga një diplomat gjerman është e pritshme. Historia e diplomacisë gjermane na tregon se ata do të bëjnë gjithmonë diçka të tillë”, ka thënë Drecun, në një intervistë për televizionin më të shikuar në Serbi dhe median më të kontrolluar nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Kryebashkëpunëtori i prokurorëve të Hagës nuk është ndalur me kaq. Sipas fjalëve të tij, në Hagë, për krime po gjykohet edhe i tërë populli shqiptar i Kosovës.

“Fakti që komuniteti shqiptar nuk është i gatshëm të ballafaqohet me krimet e UÇK-së kriminale që i ka kryer në emër të saj, në emër të kinse luftës për liri, ky është problem i madh”, ka thënë ai, duke theksuar se po gjykohen të gjithë pjesëtarët e UÇK-së, nga i pari deri tek më i fundit.

Cila është deklarata e plotë e ambasadorit gjerman, një ditë pas Marshit për Drejtësi dhe që u pasua me deklaratë të njëjtë edhe nga homologu i tij britanik në Prishtinë?

“E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo demokraci dhe manifestimi i djeshëm në Prishtinë tregoi një shoqëri civile të lulëzuar në Kosovë”, ka shkruar ambasadori Rohde në Twitter.

“Por dua të ritheksoj: Nuk është UÇK-ja ajo që po gjykohet, por individë që akuzohen për krime të rënda lufte, krime kundër njerëzimit, zhdukje të personave dhe torturë”, ka shkruar ai.

Të ngjashme