Lajme
Draft-statuti për Asociacionin – Opozita ‘nervozohet’ me Kurtin: “Terr informativ”; “Kjo është javë fatale për Kosovën”
Demokracia
23:21 | 28 Tetor 2023

Share:

Në kuadër të takimeve me krerët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe udhëheqësit e tjerë të shteteve të Bashkimit Evropian, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti – pas rreth një dekade “rezistencë” – shprehu gatishmërinë të nënshkruajë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të ofertuar nga diplomatët perëndimorë. Pranimi i ofertës nga pesëshja evropiane u shoqërua me kritika të ashpra nga opozita, të cilët akuzuan Kurtin për ikje nga përgjegjësia dhe mungesë transparence. Çfarë thotë opozita?

Ish-kryediplomati i Kosovës, Enver Hoxhaj ka shprehur shqetësimet e tij mbi pranimin e Asociacionit pa njohje të ndërsjellë dhe pa arritur që Kosova të futet në NATO dhe OKB, shkruan Nacionale.

Ai e quati këtë javë “fatale” për Kosovën dhe e sheh si një akt të dëmshëm për të ardhmen e vendit.

“Kjo është javë fatale për Kosovën dhe me pasoja kolosale për të ardhmen! U pranua Asociacioni që tashmë është autonomi, u pranua pa njohje të ndërsjellë, pa anëtarësim në NATO dhe OKB, dhe 24 shtatori, si akt agresioni, kaloi si një ngjarje pa asnjë rëndësi dhe nuk solli asnjë përfitim për Kosovën dhe asnjë sanksion për Serbinë.” – tha Hoxha ndër të tjera.

Hoxhaj akuzoi qeverinë për mungesë transparence në marrëveshjen me Serbinë dhe i ftoi qytetarët të mos besojnë “fantazitë” e kryeministrit Kurti.

“Është koha që Qeveria të merr përgjegjësi politike dhe të japë transparencë, duke publikuar çdo gjë çka është pranuar, por, është koha gjithashtu që qytetarët të braktisin komplotet populiste dhe fantazitë e Albin Kurtit që Kosovën e betonoi në pafundësi në status-quo.” – tha ai.

Kritika për “mungesë transparence” të pushtetit kanë ardhur edhe nga Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kreu i kësaj partie ka akuzuar pushtetin se kanë lënë popullin e Kosovës në “terr informativ” që nga dorëzimi i Draftit të Statutit të Asociacionit nga pesëshja e emisarëve tek kryeministri i Kosovës.

“Sot, bëhen një javë që nga dorëzimi i Draftit të Statutit të Asociacionit nga pesëshja e emisarëve tek kryeministri i Kosovës. Që nga ajo ditë Kosova dhe populli i Kosovës janë në terr të plotë informativ.” – tha ndër të tjera kreu i LDK-së.

Më tej Abdixhiku foli se si Asociacioni nuk mund të shmangej si detyrim ndërkombëtar dhe kritikoi “dalldisjet populliste” që, sipas tij, karakterizoi Vetëvendosjen ndër vite.

“Rëndësi ka të kuptojmë atë që duhej ta kuptonim një dekadë më parë. Se obligimet ndërkombëtare nuk kanë alternativë. Se dalldisjet populliste janë veçse përkeqësim. Se Asociacioni nuk mund të shmangej si detyrim. Vetëm se humbëm kohë, humbëm mundësi, përfunduam aty ku ishim në fillim. Këtë herë pa njohje, pa marrëveshje finale, e përplot dialog në vazhdimësi.” – ka thënë mes tjerash Abdixhiku.

Ai fto institucionet vendore të bëjnë publike detajet e draftit të Asociacionit për të qartësuar për qytetarët se çfarë është pranuar në marrëveshjen me Serbinë. “I ftoj institucionet e vendit të shpalosin draftin e pranuar publikisht para qytetarëve tanë. E ftoj kryeministrin ta prezantojë atë draft në Kuvend.” – tha ai.

Transparencë nga Kurti për draftin e Asociacionit ka kërkuar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Ajo tha gjithashtu se shpreson që, siç e quajti ajo, të përfundojë “vallja e rrezikshme e popullizmit” të e Kurtit, pasi sipas saj, kjo qasje kishe “lënduar secilin që ka menduar ndryshe nga Albini opozitar”.

Të ngjashme