Lajme
Dorëheqje kryetarësh apo peticion për veri ? Hovenier: Është punë e Kosovës, duam që procesi të ecë përpara
Demokracia
13:37 | 16 Gusht 2023

Share:

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka folur për zgjedhjet e reja në katër komunat veriore dhe për procesin e shkuarjes drejt këtij procesi përmes një peticioni.

Hovenier ka ripërsëritur se SHBA-ja është e shqetësuar me situatën në veri dhe potencon se kanë kërkuar edhe nga Kosova por edhe nga Serbia që të marrin vendime për të shkuar drejt de-eskalimit.

Diplomati amerikan ka thënë se SHBA-ja dëshiron të shmang trazirat dhe kërcënimet për dhunë, gjëra këto që pengojnë SHBA-në për të punuar me palët për implementimin e plotë dhe pakushte të Marrëveshjes së Ohrit nga të dy palët.

“Pra po i kërkojmë Qeverisë që të marr vendime që ndihmojnë arritjen e de-eskalimit në veri. Dhe duam të ndihmojmë arritjen e de-eskalimit në veri”, ka thënë Hovenier.

Ai ka thënë se organizimi i zgjedhjeve të reja për katër komunat në veri ka qenë një nga gjërat që është identifikuar nga BE-ja si diçka që do të çonte në de-eskalim të situatës.

“Ne pajtohemi me këtë vlerësim”, ka thënë Hovenier.

Ai tutje ka përmendur marrëveshjen Bislimi-Lajcak të arritur në Bratisllavë, ku Kosova është zotuar për përgatitjen e kornizës ligjore për organizimin e zgjedhjeve të reja.

“Ne e kemi mirëpritur këtë si hap pozitiv drejt de-eskalimit. Se si ndodhin zgjedhjet është cështje e brendshme e Kosovës. Nëse bëhet kjo me dorëheqje të kryetarëve, apo nëse bëhet përmes këtij procesi ku nënshkruajnë votuesit. Ka pikëpamje të ndryshme se cila do të ishte më efikase. Ne jemi vetëm të interesuar që procesi të ecë përpara”, ka thënë Hovenier.

Të ngjashme