Lajme
“Made in Kosova”- Kurti promovon idenë për të cilën zëvendësministrja u akuzua se e ka vjedhur
Demokracia
18:25 | 14 Maj 2024

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka promovuar platformën “Made in Kosova”, të cilën e prezantoi si projekt në pronësi shtetërore. Pak ditë më parë, numri dy i diplomacisë kosovare, Liza Gashi, u akuzua nga Astrit Panxha, Drejtor i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, për vjedhje të idesë.

“Për Kosovën dhe “Made in Kosova”, është platforma online dhe këndi që përuruam sot bashkë me zëvendëskryeministren Donika Gërvalla-Schwarz, ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi”, thuhet në postimin e Kurtit.

“Si një projekt në pronësi shtetërore, e rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me USAID, platforma “MIK” përmban informata të detajuara mbi dhjetë sektorët kyç të vendit tonë, me shifra që jo vetëm iu shërbejnë investitorëve potencialë por që tregojnë transparencën me të cilën qeveriset shteti ynë. Ajo është dritare digjitale institucionale për shumë miq jashtë vendit, që janë të interesuar të mësojnë më shumë për realitetin e potencialin tonë ekonomik, kulturor e turistik”, vijon postimi i tij.

“Kurse këndin fizik “Made in Kosova”, së shpejti do ta hapim e do ta gjejmë në secilin mision diplomatik. Aty, do ta pasqyrojmë dhe promovojmë Republikën tonë përmes prodhuesve, artistëve e sipërmarrësve tanë, që do të jenë ambasadorët më të rinj të popullit, shtetit dhe vendit tonë”.

“Falënderoj Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe USAID për vizionin dhe punën deri në finalizimin e këtij projekti jashtëzakonisht të rëndësishëm…”, përfundon postimi i kryeministrit.

Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, të dielën përmes një letre publike ka denoncuar zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashin, për vjedhje të idesë së “Made in Kosova”.

Panxha, përmes një postimi në ‘Facebook’ thotë se kjo ide ishte e tij dhe e disa personave të tjerë që nga 2015-a. Ai ka përshkruar edhe veprimtarinë e këtij koncepti gjatë viteve, shkruan Gazeta Insajderi.

“Prezantimi i konceptit ‘Made in Kosova’ fillon në vitin 2014 në emsioin ‘7 ditë’ ku unë personalisht kam folur për rendësin e konsumit të prodhimeve vendore dhe i gjithë episodi është quajtur ‘Made in Kosova’. Pastaj me themelimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, unë në cilësinë e Drejtorit Ekzekutivë para Bordit si autor prezantova idenë, konceptin dhe vizionin e ‘Made in Kosova’. Ky koncept u aprovua unanimisht dhe në tetor të vitit 2015 filluam përgatitjet dhe shpallem thirrjen kombëtare për ta dizajnuar logon dhe realizuar fushatën ‘Made in Kosova’. Shumë kompani aplikuan, por në një proces transparent dhe korrekt përzgjodhëm kompaninë Red Mill e cila dizajnoj logon dhe realizoj fushatën e parë ‘Made in Kosova’ në vitin 2016. Në vitin 2018 këtë logo e regjistruam si mark tregtare në emër te Klubit të Prodhuesve të Kosovës. Në vitin 2019 prezantuam edhe platformën ‘Made in Kosova’ të cilën e përkrahi financiarisht BERZHI. Me dhjetëra aktivitete janë bërë me markën tregtare ‘Made in Kosova’. Suksesi i konceptit ‘Made in Kosova’ buron në faktin se asnjëherë nuk është politizuar, asnjëherë nuk është personalizuar dhe asnjëherë nuk është keqpërdorur. ‘Made in Kosova’ është përdorur nga të gjithë dhe për të gjithë!”, ka shkruar ai.

Panxha ka rikujtuar se nesër, zëvendësministrja po planifikon organizimin e një eventi me një koncept që po pretendon se është vjedhur nga ai.

“Me 14 maj te viti 2024, Liza ti po planifikon të organizon një event ku do të prezantosh logon e re ‘Made in Kosova’, platformën dhe vizionin për Made in Kosova. Në ftesë e ke shkruar: ‘ Përmes qasjes gjithëpërfshirëse të komunikimit, MiK-u ka për qëllim të promovojë rininë, kreativitetin dhe potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë në të gjitha fushat, me synimin që ta shndërrojmë atë në një dritare multifunksionale të informacionit dhe të ndërlidhjes.’ Një pyetje shumë e sinqertë është se çka kemi bërë ne që nga viti 2015?”, ka shkruar ai, duke thënë se gjatë atyre viteve janë promovuar figura si Majlinda Kelmendi, Ramë Lahaj e Nexhmie Pagarusha.

Ai ka paralajmëruar se këtë çështje mund ta bëjë edhe lëndë gjyqësore.

“Unë fuqishëm besoj në vullnetin e mirë dhe dëshirën për ti përmirësuar gabimet. Te gjithë gabojmë Liza! Unë besoj që ti do të reflektosh pozitivisht mbi këtë çështje para se fillojmë me proceset gjyqësore! Prandaj në mungese të ideve origjinale Liza, po ta shtri prapë dorën e bashkëpunimit siç ta kam bërë në muajin prill të vitit 2023 për ‘Made in Kosova”, deklaroi ai.

“Për fund Liza, me këto veprime tua edhe Lizën në botën e çudirave e ke çudit”.

Të ngjashme