Lajme
Donfried pas takimit me Osmanin: I nevojshëm normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë
Demokracia
18:39 | 25 Prill 2022

Share:

Karen Donfried, Zëvendës-Sekretarja amerikane e Shtetit për çështje Evropiane dhe Euro-Aziatike, ka deklaruar se Kosova do ta zë vendin e duhur në arenën ndërkombëtare nëpërmjet arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, që në qendër ka njohjen e ndërsjellë.

Ajo këto deklarata i ka bërë në një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, përgjatë vizitës së saj të hënën në Kosovë.

Diplomatja amerikane, po ashtu, ka përkujtuar edhe përkushtimin e ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, që ka bërë për Kosovën.

“Sekretarja Albright ishte tepër e përkushtuar për Kosovën për të ardhmen e saj. Edhe pse e fituar me shumë mund, paqja dhe progresi i Kosovës nuk duhet të merret si e mirëqenë. Të gjithë ne duhet të luftojmë çdo ditë për të përmbushur nevojat e qytetarëve të saj. Kjo do të thotë angazhimin që Kosova ta zë vendin e duhur në arenën ndërkombëtare, përfshirë marrëdhëniet e normalizuara me Serbinë, që në qendër kanë njohjen e ndërsjellë”, ka deklaruar zëvendësja e diplomacisë amerikane.

Duke folur për sigurinë në Kosovë, Ndihmës sekretarja amerikane për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike tha se paqja në Kosovë është fituar me shumë mund.

”Edhe pse e fituar me shumë mund, paqja dhe progresi i Kosovës nuk duhet të merren si punë të kryera. Të gjithë ne duhet të punojmë çdo ditë për të siguruar nevojat e qytetarëve. Kjo do të thotë avancimin e përpjekjeve për të siguruar që Kosova e merr vendin e duhur në institucionet e saj evropiane dhe euroatlantike përfshirë përmes marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë që përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”, tha Donfried.

LEXO EDHE: 

Osmani tregon çfarë u diskutua në takim me zyrtarët amerikanë

Donfried foli për sigurinë në Kosovë, ku u kujdes të përmend se misioni i KFOR-it është përkushtimi që ka Amerika për sigurinë në shtetin e Kosovës.

“Shumë kosovarë janë të shqetësuar për sigurinë e Kosovës. Dua t’ju sigurojë se përkushtimi i SHBA-së dhe aleatëve mbetet i fuqishëm. KFOR-i, që është zbarkimi më i madh i NATO-s, është një manifestim i madh dhe i dukshëm i përkushtimit tonë të vazhdueshëm për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës. SHBA-ja është krenare që Kosova mund ta quajë partnere të saj”, deklaroi Donfried.

Zëvendës-Sekretarja amerikane ka falënderuar Kosovën për gatishmërinë e strehimit të afganëve dhe ukrainasve.

Pas takimit me presidenten Osmani, delegacioni amerikanë do të zhvillojnë takim me kryeministrin, Albin Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme