Lajme
Osmani tregon çfarë u diskutua në takim me zyrtarët amerikanë
Demokracia
18:26 | 25 Prill 2022

Share:

Ka përfunduar takimi ndërmjet presidentes Vjosa Osmani dhe Ndihmës Sekretaren e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Gabriel Escobar.

Pas këtij takimi, në një konferencë për medie, presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se temë kryesore ishte dialogu me Serbinë, raporton Demokracia.com.

“Diskutuam për urgjencën dhe nevojën për progres në procesin e dialogut. Gjithnjë të përkushtuar në njohjen reciproke. E ritheksova se Kosova është dhe vazhdon të jetë palë konstruktive në dialog dhe se mbesim të përkushtuar ndaj këtij procesi i cili në qendër e ka njohjen reciproke dhe nga i cili do të përfitojnë përfundimisht qytetarët tanë. Shfrytëzova gjithashtu rastin për të shprehur zhgënjimin tonë për moszbatimin e marrëveshjeve të shumta të nënshkruara në Bruksel nga ana e Serbisë duke përfshirë këtu edhe refuzimin e Serbisë për shpërbërjen e strukturave ilegale të cilat vazhdojnë të frikësojnë serbët e Kosovës dhe përbëjnë sfidë serioze të sigurisë dhe të sundimit të ligjit e të cilat udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga Qeveria Amerikane. Por më lejoni të theksoj se as marrëdhënia jonë me aleatin tonë më të afërt Shtetet e bashkuara të Amerikës e as marrëdhëniet tona me anëtarë të tjerë të komunitetit nuk do të duhej të përcaktoheshin nga dialogu me Serbinë. Ne do të vazhdojmë të forcojmë bashkëpunimin dypalësh me partnerët tanë, përderisa ky proces do të vazhdojë dhe siç e ka treguar edhe vetë presidenti Biden, Kosova gjatë vitit që e lamë pas ka treguar vazhdimisht lidership në skenën ndërkombëtare”, deklaroi Osmani, raporton Demokracia.com.

Tutje Osmani ka thënë se po ashtu në këtë takim është diskutuar edhe për intensifikimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veçanti në fushën e ekonomisë, si dhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë marrë parasysh rrethanat aktuale. /Demokracia.com/

Të ngjashme