Lajme
DOKUMENTE | Zbulohen ofertuesit për tenderin 10-milionë euro të Komunës së Prishtinës për ndriçim eficient
Demokracia
09:14 | 18 Qershor 2024

Share:

Komuna e Prishtinës po synon të ndërmarrë hapa të rëndësishëm për t’i ulur shpenzimet e energjisë elektrike, duke instaluar trupa ndriçues me eficiencë të lartë. Për këtë ka hapur edhe një tender në vlerë prej 10 milionë euro, për të cilin kanë konkurruar shtatë subjekte të ndryshme. Tenderi në vlerën prej 10 milionë eurosh i quajtur “Programi për ofrimin e shërbimeve të energjisë në ulje të shpenzimeve financiare në Komunën e Prishtinës SIPA UA 06 2021”, synon të përfundojë brenda 36 muajsh. Kjo nismë vjen pas disa sfidave dhe ankesave për kriteret e vendosura, por tani tenderi është në fazën e vlerësimit të ofertave, shkruan Demokracia.com.

Tenderi ka qenë i hapur deri më 30 prill 2024 dhe në dosje shihet se janë vendosur një sërë kushtesh që duhet të plotësohen, sidomos për nga numri i madh i certifikatave. Dy herë ka bërë korrigjime të gabimeve vetë Komuna e Prishtinës, ndërsa tenderi për disa javë ka qenë i pezulluar për shkak të ankesave se aty janë futur kritere diskriminuese. Por, komuna e Përparim Ramës i ka hapur ofertat para pak ditësh dhe tenderi është në vlerësim.

Ofertuesit dhe çmimet

Kompania “Electrica Power Engineering” nga Tiranë ka ofertuar në vlerë 12106.40 euro të poentuar. Kjo kompani që nuk është shumë e njohur është në pronësi të Nevila Toto, Florian Latifi dhe Dhurata Demirlika.

“H& B Consulting shpk” nga Prishtina ka vendosur çmim 15079.60 euro. Kjo kompani është në pronësi të Gazmend Muratit dhe është themeluar në vitin 2004. Aktivitet kryesor të biznesit, kompania i ka “aktivitetet e arkitekturës”, ndërsa aktivitet sekondar “aktivitetet e inxhinierisë dhe këshillimit teknik”. Kjo kompani ka marrë kohëpaskohe edhe tenderë nga institucionet publike.

“Monting shpk” nga Prishtina ka vendosur çmimin 13001.80 euro. Kompania është në pronësi të Enver, Sami e Avdi Ahmetit dhe Mustafa Brahimit. Kompania është tenderuese shumë e madhe dhe merr shumë tenderë në KEDS, KOSTT e KEK, por edhe nga institucionet e tjera.

Konsorciumi “LCE shpk”; “Javna Razsvetljava d.d Branch in Kosova” ka vendosur çmimin 9204.20 euro. E para është një kompani nga Kosova, ndërsa e dyta është sllovene që e ka edhe degën në Kosovë.

Konsorciumi “Selmans Network shpk”; “NT Proton” kanë vendosur çmimin 10650.57 euro. E para është një kompani nga Kosova, e cila merr tenderë në prokurimet publike, sidomos në Prishtinë. Po ashtu, edhe e dyta është një kompani nga Prishtina.

Konsorciumi “FULI INŽENIRING”; “GREGORIČ ELEKTROMEHANIKA doo Dega në Kosovë” kanë vendosur një çmim 7970.40 euro. E para është kompani nga Suhareka. E dyta është nga Sllovenia, ndërsa është regjistruar në Kosovë si degë e shoqërisë së huaj më 31 maj 2024.

Limitproject shpk”; “Cemdag Aydinlatma Sanayve Ticaret” kanë vendosur një çmim 51594.55 euro. Kompania e parë është nga Prishtina me pronarë Lulzim Zara dhe është mjaft prezente në prokurimet publike, sidomos në dy vitet e fundit. Kompania e dytë është një kompani turke, e cila merret me ndriçimin e hapësirave publike dhe ka marrë disa tenderë atje.

Pra, në këtë tender është përdorur procedura me poentim të çmimit. Një nga format më të shpeshta të keqpërdorimeve është përdorimi i kësaj procedure, ku autoriteti kontraktues “nuk e di” sasinë e artikujve dhe vendosë sasinë “një” për secilin artikull. Pastaj përmes poentimit të çmimit është vendosur për fituesin e kontratës. Pra, komuna e Përparim Ramës nuk ka dalur fare në terren për të identifikuar nevojat e veta, por vetëm ka futur të gjithë artikujt që duhen për mirëmbajtjen e ndriçimit, shkruan Demokracia.com.

Janë mbi 90 artikuj që kompanitë kanë vendosur çmime të ndryshme dhe Komuna e Prishtinës do t’i porosisë artikuj sipas nevoje, ndërsa kontrata ndalet kur të arrihet vlera 10 milionë euro.

Procedura e poentimit të çmimit, shpeshherë u jep mundësi operatorëve ekonomikë që të vendosin çmime të larta në artikujt që ata mendojnë se do të porositen dhe çmime jonormalisht të ulëta në artikujt që ata mendojnë se nuk do të porositen. Në këtë mënyrë edhe pse çmimi i poentuar i tenderit mund të jetë shumë i ulët, operatori ekonomik prapë arrin profitin.

Megjithatë, te ky tender ofruesi i shërbimeve është i obliguar ta bëjë edhe mirëmbajtjen për punimet dhe shërbimet në afatin garantues prej 10 viteve.

Komuna e Prishtinës do të ketë çmim maksimal prej 1,000,000.00 euro për një vit, me kohëzgjatje sipas planit të pagesës deri në 10 vite.

Në rast të ngritjes së energjisë elektrike, çmimi i pagesës se energjisë do të rikalkulohet konform rritjes.

Në kohën sa ka qenë tenderi i hapur, kompanitë kanë pasur mundësi që para se të dorëzojnë ofertat e tyre, të parashtrojnë pyetje për komunën lidhur me kriteret. Dhjetëra pyetje për sqarime i janë drejtuar komunës, deri sa i është kërkuar që edhe të përmirësojë disa prej tyre, pasi sipas kompanive po favorizoheshin një ose dy operatorë ekonomikë. Një kompani kishte ushtruar ankesë, por pretendimet i kishte hedhur poshtë komuna, duke mos i shoshitur fare, pasi kishte konsideruar se ankesa nuk është bërë më kohë. Njëra prej tyre i ishte drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit – OSHP, duke kërkuar nga ky organ që të detyrojë komunën të rregullojë, siç thonë ata, kriteret e kundërligjshme ose favorizuese. Por, OSHP-ja nuk ia kishte marrë në konsideratë asnjë kërkesë, duke konsideruar se komuna nuk e kishte shqyrtuar më të drejtë ankesën e tyre, pasi kishte qenë jashtë afatit. /Demokracia.com/

DOKUMENTE | Pezullohet tenderi 10-milionësh i Prishtinës për eficiencë të energjisë, kompanitë ankohen se komuna e Përparim Ramës kurdisi kriteret

Të ngjashme
Lajme • 26 Qershor 2024