Lajme
DOKUMENTE | “Tregu i Fundvitit”, përfiton edhe biznesi i vëllait të kryetarit të Kuvendit Komunal të Prishtinës
Demokracia
13:58 | 02 Dhjetor 2023

Share:

“Tregu i Fundvitit” është aktivitet i ideuar dhe organizuar nga Komuna e Prishtinës për festat e fundvitit në hapësirë publike, me muzikë, ushqim, pije dhe aktivitete argëtimi. Komuna e Prishtinës ka bërë publike bizneset që janë përzgjedhur për t’u vendosur në shtëpiza, shkruan Demokracia.com.

58 është numri i bizneseve të përzgjedhura nga komisioni komunal për bizneset që do të përfitojnë një shtëpizë për të shitur gjërat e tyre për 45 ditë.

Demokracia.com ka gjetur se në mesin e bizneseve është edhe ish-biznesi i kryetarit të Kuvendit Komunal të Prishtinës që vjen nga radhët e LDK-së, Pëllumb Bajqinovci. Bëhet fjalë për biznesin “Charlie Brown” Sh.p.k.

Bajqinovci në deklarimin e vitit 2022 kishte shkruar se në këtë biznes ka 10 përqind të aksioneve. Në deklarimin e vitit 2023, nuk ka deklaruar aksione në të. Bazuar në të dhënat e ARBK-së, aktualisht pronarë aty janë vëllai i tij, Fatos Bajqinovci e Sokol Berisha.

“Me një proces të hapur dhe transparent, përmes procedurës me short janë përzgjedhur bizneset përfituese për “Tregun e Fundvitit”. Bizneset e përzgjedhura me procedurën e shortit i gjeni në listën në linkun më poshtë. Po ashtu gjeni dhe listën me emrat e bizneseve të cilat kanë aplikuar me mjete lëvizëse, e të cilat nuk i janë nënshtruar procedurës së shortit, për shkak se nuk ka qenë numër i kufizuar për përzgjedhje në këtë kategori. Kriteret e përzgjedhjes kanë qenë vetëm t`i plotësojnë kushtet e publikuara në thirrjen publike”, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.

Tek kriteret e konkursit, pika 8, komuna ka shkruar se “Komuna e Prishtinës nuk merr përsipër përgjegjësinë dhe obligimet ndaj Administratës Tatimore të Kosovës rreth arkës fiskale, andaj obligohen të gjitha bizneset e përzgjedhura që kuponët fiskal t’i vërtetojnë (vulosin) në Administratën Tatimore të Kosovës”. Bazuar në të dhënat e ATK-së, ky biznes nuk është tatimpagues i regjistruar për TVSh. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme