Lajme
DOKUMENTE | Pushteti i Dejona Mihalit në Kosovë: Me procedurë njëmujore u bë kosovare
Demokracia
13:51 | 16 Korrik 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në vitin e kaluar ia kishte bërë edhe një favor kryeministrit Albin Kurtit, duke ia bërë atij “kosovare” një prej bashkëpunëtoreve më të afërta.

Dejona Mihali, e cila njihet si “nëntoka” e Lëvizjes Vetëvendosje, tani rezulton të jetë bërë një prej figurave më të fuqishme të këtij pushteti në prapaskenë, e cila merret edhe me lista punësimesh, lista largimesh nga puna dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në të kaluarën, Dejona Mihali kishte pasur ngapak probleme me hyrjen në Kosovë, por me ardhjen në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje, asaj ia ka zgjidhur këtë problem me procedurë të shpejtë vetë presidentja Vjosa Osmani.

Demokracia.com kishte siguruar ekskluzivisht kërkesën e Mihalit për shtetësi dhe dekretin e presidentes Osmani, ku me procedurë të përshpejtuar e kishte bërë atë kosovare.

Në fillim të vitit 2022, sipas të dhënave zyrtare, Dejona Mihali është bërë zyrtarisht shtetase e Republikës së Kosovës brenda një muaji, pas dorëzimit të kërkesës së saj.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Demokracia.com, ajo më 4 shkurt 2022 e kishte dorëzuar kërkesën, pastaj më 11 shkurt 2022, siç shkruan në “preambulën” e dekretit i është protokolluar dhe më 31 mars 2022 asaj i është dorëzuar edhe dekreti i presidentes Vjosa Osmani.

Zyrtarja e prapaskenave në LVV, e cila tani merret me ‘punë’ të mëdha që lidhen me fatin e shtetit tonë, në kërkesën e saj drejtuar Osmanit kishte treguar sesi për herë të parë e kishte vizituar Kosovën vetëm në vitin 2000.

“Do të ishte krenari e lartë që të më jipet mundësia ta gëzoj shtetësinë e Republikës së Kosovës për të cilën bashkë me shumë kolegë kemi punuar e do të punojmë deri sa mundësitë objektive të na mundësojnë”, shkruan ndër të tjera Mihali, në kërkesën e saj, përcjell Demokracia.com.

Në fund, me një betim “copy-paste” si të Martin Berishajt, edhe Mihali i ishte betuar presidentes Vjosa Osmani se do të jetë qytetare e devotshme dhe do t’i respektojë Kushtetutën, ligjet, doket dhe zakonet, të cilat nuk i kishte respektuar sa LVV-ja ishte në opozitë.

Në verën e vitit 2016, Policia e Kosovës ia kishte ndaluar asaj hyrjen në Kosovë dhe kjo e kishte nervozuar fort lidershipin e LVV-së.

“A mund të na tregojnë pra, autoritetet e Kosovës që e kanë marrë këtë vendim, se me cilin veprim Dejona Mihali e ka shkelë rendin publik, sigurinë publike, shëndetin publik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare?”, kishte thënë Konjufca në një konferencë të jashtëzakonshme, menjëherë pas atij vendimi të institucioneve të Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani me procedurë të përshpejtuar, sikur të ishte kushedi çfarë interesi shtetëror, menjëherë pas kërkesës së saj në muajin tjetër e kishte nxjerr dekretin për ta bërë kosovare Dejona Mihalin.

Dejona Mihali ishte përfolur në të kaluarën edhe si ideatore e dhunës politike të Vetëvendosjes, të cilën e përdori si mjet për të ardhur në pushtet. /Demokracia.com/

Të ngjashme