Lajme
DOKUMENTE | Populli dhe Qeveria fluturojnë masivisht në 2024, kosovarët i rezervojnë mbi 200 mijë bileta dhe qeveritarët i kontraktojnë mbi 2 milionë euro
Demokracia
15:54 | 24 Nëntor 2023

Share:

Liberalizmi i vizave ka mobilizuar fort edhe institucionet qeveritare. Deri në janar të vitit të ardhshëm, nxjerrja e biletave do ta arrijë në mbi 2 milionë euro. Një dyndje e madhe e rezervimit të biletave ka ndodhur edhe nga qytetarët e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Mbi 200 mijë bileta të avionit kanë rezervuar qytetarët e Kosovës për udhëtime pas datës 1 janar, kur edhe pritet të hiqet regjimi i vizave.

Demokracia.com ka kontaktuar disa prej agjencive që ofrojnë shërbime të udhëtimeve me avionë. Ato nuk tregojnë për numrin e saktë të biletave që kanë rezervuar kosovarët në zyrat e tyre, por thonë se bëhet fjalë për mijëra sosh. Ndërkohë, të gjitha agjencitë thonë se kanë kuptuar se numri i përafërt i rezervimeve të biletave totale deri më tani kap shifrën në mbi 200 mijë copë.

Fuqishëm është mobilizuar edhe Qeveria e Kosovës, që drejtohet nga Albin Kurti. Vlera e biletave të kontraktuara nga institucionet qeveritare, deri më tani kap shifrën prej 1.8 milionë euro. Në këtë shifër përfshihen biletat e udhëtimit për tri vite, por që mund të shfrytëzohen edhe më herët. Gati krejt paratë kanë shkuar vetëm tek një kompani, “As Travel Club”.

Tenderi i fundit është lidhur nga ministria që drejtohet nga Albulena Haxhiu, shkruan Demokracia.com.

“Shërbime të transportit ajrorë për Ministrinë e Drejtësisë dhe njësitë e saj”. Kështu quhet kontrata që MD-ja pritet ta lidh me “As Travel” në një vlerë prej 600 mijë euro.

Udhëtimet me avionë duket se do t’i ketë të shpeshta edhe Donika Gërvalla.

Edhe Ministria e Punëve të Jashtme ka dhënë një tender për shërbime të transportit ajror, furnizim me aviobileta. Pesha e këtij tenderi ka vlerën e hiç më pak se 741 mijë euro. Numri i biletave të blera është thënë se do të jetë 1900 copë.

Emri zyrtar i kompanisë fituese është “AS TRAVEL CLUB “.

Ministria ka treguar se relacionet e udhëtimeve nuk mund të definohen paraprakisht. Por, kanë treguar cili është qëllimi i kësaj kontrate.

“Qëllimi i këtij aktiviteti është që të lidhet një kontratë kornizë me një Operator Ekonomik (OE) të kualifikuar, i cili do të ofronte shërbimet e rezervimit dhe lëshimit të aviobiletave për udhëtimet zyrtare që do të autorizohen nga MPJD-ja. Gjatë periudhës 2 vjeçare numri i përafërt i biletave do të jetë 1900 copë në destinacione të ndryshme të botës. Kontrata konsiderohet e realizuar në bazë të sasive të biletave dhe jo vlerës. Secila biletë duhet të kontrollohet nga menaxheri i kontratës që e porosit dhe të mos pranohet dhe të mos paguhet nëse nuk plotësohen kushtet nga kontraktuesi siç janë: fatura, opsionet në rast se me faturë nuk bashkëngjiten të gjitha këto dokumente, AK nuk ka obligim ndaj kontraktuesit”.

Ministria, po ashtu, ka treguar se rezervimet duhet të bëhen kryesisht në klasë ekonomike, pasi sipas tyre “gjithmonë me qëllim që të kemi koston më efektive dhe të përshtatshme dhe me çmimin me të mirë në dispozicion në treg, gjithashtu do të këtë kërkesa edhe për aviobileta në biznes klasë”.

Në fund është dhënë edhe sqarimi se vlera e biletës prej 390.00 është një vlerë e paragjykuar që shërben vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit.

“Sqarim: *Vlera e biletës prej € 390.00 është një vlerë e paragjykuar që shërben vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës. Çmimi real do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga sistemi kompjuterik i rezervimit AMADEUS, GALILO, SABRE, apo sistem tjetër të barasvlershëm ose sisteme online. Kontrata do të bazohet në sasi”.

Nuk është bërë e ditur se ku do të shkojë. Por, edhe kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, i vetëquajtur “Çlirimtari i Shtimes”, sikurse paria e shtetit, ka planifikuar t’i hipën aeroplanit me paratë e komunës për udhëtime zyrtare. Ndërkohë edhe tri institucione të tjera kanë lidhur kontrata për bileta të aeroplanit, në një vlerë mjaft të madhe, shkruan Demokracia.com.

Aty ku është pajisur me bileta edhe presidentja Vjosa Osmani, do të blejë edhe komuna e vogël e Qemajl Aliut.

“Furnizim me bileta të udhëtimit me Aeroplan”. Kështu quhet tenderi i realizuar nga prokurimi komunal, ku furnizues është “AS TRAVEL CLUB” SH.P.K. Për tetë bileta, komuna ka paguar 2400 euro. Ato do të shpenzohen brenda harkut kohor prej 12 muajve.

Me shërbime të transportit ajror – bileta, para pak ditësh është pajisur edhe Zyra e Presidentes së Kosovës. Biletat janë siguruar për 24 muaj, në një vlerë prej 117,003.00. Ato janë blerë tek kompania “As Travel”.

Veçse Presidenca është kujdesur edhe për shëndetin e zyrtarëve gjatë udhëtimit. Për këtë ka blerë shërbimet nga kompania “Sigal Uniqa Group Austria” SHA, në një vlerë prej 8,445.00 euro.

Para pak ditësh, Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka lidhur një kontratë të vlerës së madhe për 36 muaj më grupin e kompanive “Prime Tours& Travel Shpk”; “Airvoyage Shpk”. Vlera e kontratës është fiks 241 mijë e 298 euro.

Kompania “As Travel”, po del të jetë mjaft e favorizuar nga shteti. Me këtë kompani, para pak javëve ka lidhur një kontratë njëvjeçare edhe Agjencia Qendrore e Prokurimit. Kontrata është lidhur për nevojat e agjencive të pavarura dhe kap vlerën 94 mijë e 400 euro. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme