Lajme
DOKUMENTE| Përparim Ramës nuk po i rrijnë këshilltarët, s’bëhet rehat me ta
Demokracia
15:40 | 11 Tetor 2023

Share:

Ministrja Rozeta Hajdari nuk është e vetmja që këshilltarët po ia lëshojnë punën. Edhe kryetarit të kryeqytetit, Përparim Ramës, nuk po i rrinë këshilltarët më shumë se disa muaj. Atij po i lëviz stafi i kabinetit në baza mujore, shkruan Demokracia.com.

Vetëm disa muaj në komunë e më pas po ia lënë punën, anise të njëjtit janë kryesisht njerëz të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shumica prej tyre janë larguar përfundimisht nga komuna, por ka edhe prej atyre që janë sistemuar në vende të tjera, por jashtë zyrës së kryetarit Përparim Rama.

Mbi dhjetë këshilltarë të emëruar i janë larguar Përparim Ramës prej që e ka marrë drejtimin e kryeqytetit.

Demokracia.com ka mësuar emrat e disa prej të larguarve nga kabineti i Ramës vetëm disa javë ose pak muaj pasi që ishin emëruar. Në disa prej vendeve që ata lanë bosh janë bërë emërime të reja dhe në disa të tjera, Rama nuk e ka parë më të nevojshme të bëjë emërime.

Para pak ditëve, Rama ka marrë vendim që ta lirojë nga pozita e këshilltarit edhe Muhedin Nushin, pasi i njëjti e ka kërkuar një gjë të tillë. Nushi për dy mandate në qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë Drejtor i Administratës.

Flaka Braha, Asistente Ekzekutive, ka qëndruar vetëm disa javë në këtë pozitë dhe është larguar.

Jora Luzha, nga Zyrtare për Media është larguar nga kjo pozitë, por më 9 tetor është rikthyer si këshilltare e kryetarit të kryeqytetit.

Rida Gërdovci ka qëndruar vetëm për disa muaj si zyrtare për marrëdhënie më publikun në kuadër të zyrës së kabinetit të kryetarit të komunës dhe më pas është liruar nga detyra. Ajo është emëruar në një pozitë tjetër, jashtë kabinetit të kryetarit, si zyrtare përgjegjëse për koordinimin e procesit të konsultimit publik.

Vesa Sahatçiu, këshilltare për kulturë, ka qëndruar pak muaj në këtë pozitë dhe është liruar nga detyra.

Po ashtu, Saudin Maliqi, ka qenë këshilltar për shëndetësi për një kohë.

Idriz Maliqi (vellau i Saudin Maliqit) këshilltar është zhvendos si Ekspert për Menaxhimin e Kontratave.

Edhe ish-deputetja e LDK-së, Teuta Sahatçiu, ka qëndruar vetëm disa javë këshilltare politike e kryetarit Rama.

Ajet Brajshori dhe Pëllumb Bajqinovci, që nga fillimi i mandatit kanë qenë këshilltarë të Ramës dhe asamblistë të LDK-së. Siç mësohet, megjithëse të njëjtit nuk kanë pranuar pagesa, qëndrimi i tyre si këshilltarë dhe asamblistë ka qenë i kundërligjshëm.

Për një kohë, këshilltare për komunikim të kryetarit thuhet se kanë qenë edhe Hana Xhemajli dhe Kaltrina Ajeti, por kjo nuk është arritur të konfirmohet nga burime brenda kabinetit të kryetarit Rama.

Sokol Sallahu, këshilltar për bujqësi, është zhvendosur si ekspert.

Inis Gjinovci është larguar nga pozita e këshilltarit.

Është larguar edhe Merita Maliqi, shefe e departamentit për bashkëpunim ndërkombëtar.

Drejtor i Administratës, Bersant Beka, i emëruar nga Rama, ka kërkuar të lirohet nga detyra para pak javëve.

Ndonëse pa pëlqimin e tyre, mësohet se janë ndërruar edhe shefi i Zyrës Ligjore, Prokurimit dhe atij të Burimeve Njerëzore.

Më 7 dhjetor 2021, Përparim Rama ka marrë detyrën e kryetarit të komunës së Prishtinës. Kohëve të fundit, ai ka qenë në shënjestër të partisë që e përfaqëson në kryeqytet, Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deklarata e tij se nuk është anëtar i LDK-së, por partner i ngushtë i saj ka nxitur reagime në partinë e Lumir Abdixhikut. /Demokracia.com/

Të ngjashme