Lajme
DOKUMENTE | Përparim Rama thotë se nuk është në LDK, por një biznesmen i kësaj partie e ‘kap’ edhe një tender në Prishtinë
Demokracia
19:52 | 02 Nëntor 2023

Share:

Kryetari Prishtinës, Përparim Rama, përsëri ka thënë mbrëmë se nuk është pjesë e LDK-së dhe nuk po mendon të anëtarësohet në këtë parti. Kjo deklaratë ka mundësi që nuk u çon shumë peshë njerëzve të LDK-së, por mjafton të gjejnë terren për përfitime në kryeqytet. Këto ditë, një biznesmen i LDK-së pritet të lidh një tjetër kontratë me komunën e udhëhequr nga Rama, shkruan Demokracia.com.

Biznesmeni Mirsad Sylejmani që vjen nga Vitia, nuk arriti të sigurojë një ulëse për deputet në radhët e LDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2021. Por, kompania që ai drejton, do të hyjë në biznes me bashkëpartiakët e tij në kryeqytet.

“Global Holding”, pronar në të cilin është Sylejmani, është rekomanduar për kontratë në vlerë prej 146,842.74 euro për projektin “Ndërtimi i tribunës lindore për stadiumin 2 Korriku – faza II”.

Tenderi ka qenë garues më procedurë të hapur.

Në garë për këtë projekt kanë qenë edhe dy kompani të tjera, grupi “Alby Company” shpk, “RAF II”, shpk, më ofertë 147,236.92 euro dhe “Limitproject”, më çmim prej 197,380.22 euro. Por, më e lira ka qenë “Global Holding”, e cila është shpallur më pas edhe si e përgjegjshme.

Demokracia.com ka gjetur se edhe para pak muajve, kompania e njëjtë ishte shpallur fituese për fazën e parë të stadiumit.

Kur ishin hapur ofertat kishte dalë se në garë ka qenë vetëm kompania e ish-kandidatit për deputet të LDK-së në një vlerë prej 108,381.06 eurosh.

“KF 2 Korriku”, i cili gjendet në Lagjen Arbëria në Prishtinë është një stadium i përmasave jo shumë të mëdha.

Mirsad Sylejmani, kompania e të cilit do të bëjë ndërtimin e njërës prej tribunave të kësaj fushe të gjelbër është edhe pronar i klubit futbollistit “FC VITIA” SH.P.K.

Edhe në vitin 2021, Komuna e Prishtinës kishte lidhur një kontratë për ndërtimin e tribunës lindore për stadiumin “2 korriku”. Kontrata ishte lidhur më kompanitë NNP “ATC COM”, “Dajting”, në një vlerë prej 195,794.07 euro. Por, Komuna e Prishtinës, në fund të vitit të kaluar kishte vendosur që të ndërpresë këtë kontratë, pas kërkesës së kompanisë që e kishte arsyetuar këtë më ngritje enorme të çmimeve. /Demokracia.com/

Të ngjashme