Lajme
DOKUMENTE | Përparim Rama nuk e deklaroi një biznes, kundërkorrupsioni do të hetojë rastin
Demokracia
13:06 | 03 Tetor 2023

Share:

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mund të përballet me organet e drejtësisë nëse konstatohet se ai nuk e ka deklaruar pronësinë në një biznes privat në deklarimin e pasurisë, ashtu siç e përcakton ligji. Të dhënat zyrtare tregojnë se kryetari Përparim Rama ka bërë shmangie nga ligji, shkruan Demokracia.com.

Është fakt i kryer se kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, për rreth dy vite qëndroi në konflikt të interesit, duke mbajtur pozitë menaxheriale në një biznes privat që ishte në pronësi të tij. Kaq kohë i janë dashur edhe Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit për ta kuptuar se i pari i kryeqytetit është duke shkelur ligjin që e mbikëqyrin ata. Pas kaq viteve, tash situata ka kaluar pa ndonjë problem në mes agjencisë dhe Ramës, pasi është mjaftuar që ky i fundit të heq dorë nga biznesi.

Për më keq, kreu i Prishtinës nuk e ka deklaruar biznesin në formularin e pasurisë, ashtu siç e parasheh ligji.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit pasi e ka kuptuar këtë nga Demokracia.com, ka thënë se do të kryejë kontroll të plotë edhe për këtë rast dhe se hetimi gjendet në fazën fillestare.

Si rrodhi procesi?

Fillimisht, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit e kishte hapur rastin nën pretendimin se kryetari Rama duke qenë zyrtar i lartë publik, njëkohësisht ka mbajtur edhe funksionin e përfaqësuesit të autorizuar në biznesin privat të tij “Përparim K. Rama B.I”, situatë kjo që sipas agjencisë bie ndesh me nenin 13, paragrafi 1 i Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

Duke e parë këtë, APK siç shkruan në raportin që e ka parë Demokracia.com e ka njoftuar kryetarin më një shkresë, duke i thënë se zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridik privatë, fitimprurës, sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin 14 të ligjit.

“Zyrtari i lartë është pajtuar me konstatimin e Agjencisë dhe ka premtuar se do të ndërmarr veprime në mënyrë që të shmangët gjendja e papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në vendimin e APK-së të datës 11 gusht 2023.

Duke qenë e bindur që kjo situatë po shmanget nga shkelja e ligjit, agjencia ka nxjerr një vendim final.

“Mbyllet rasti APK-DPKI-06-1261/23, për zyrtarin e lartë z. Përparim Rama, Kryetar i Komunës së Prishtinës, për shkak se është shmangur gjendja e papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në vendim.

Megjithatë, bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), Demokracia.com ka gjetur se biznesi i njëjtë është shuar para rreth dy javëve, më 14 shtator 2023. Ai ka pasur emrin tregtar NSH “Studio PR” dhe për aktivitet primar ka pasur “Aktivitetet e inxhinierisë dhe këshillimit teknik”.

Në deklarimin e pasurisë në 31.03.2023 figurojnë 8 biznese në të cilat kryetari Rama është bashkëpronarë, por se në to nuk ka pozitë menaxheriale.

Duke parë që emri i biznesit të cilin e kishte trajtuar APK-ja nuk gjendet askund në deklarimin e pasurisë, Demokracia.com ka kërkuar një përgjigje nga agjencia për ta ditur si ishte numri i biznesit të kësaj ndërmarrjeje dhe si quhet emri tregtar i saj.

“Emri i biznesit të kërkuar është Përparim K. Rama B.I.; Emri tregtar NSH,, Studio PR”; Numri unik identifikues: 811749045; Numri i biznesit: 70132371, ndërsa të dhënat në faqen e ARBK-së mund t’i gjeni në linkun https://arbk.rks-gov.net/page.aspx?id=1,38,61847”, thuhet në përgjigjen e agjencisë për Demokracia.com.

Redaksia ka kërkuar edhe një sqarim shtesë nga agjencia nëse është në dijeni se biznesi i njëjtë nuk figuron në deklarimin e pasurisë që Rama e ka bërë në APK.

Agjencia që bënë mbikëqyrjen e zyrtarëve të lartë ka dhënë një përgjigje shtesë, duke thënë se rasti do të trajtohet.

“Referuar pyetjeve tuaja të parashtruara, APK ju njofton: Siç jeni tashmë të njoftuar, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka mbyllur rastin në raport me legjislacionin për parandalimin e konfliktit të interesit. Ndërsa APK në lidhje me deklarimin e pasurisë, sipas dispozitës së nenit 18 (paragrafi 14) të Ligjit nr. 08/L-108 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave, fillon kontrollin e plotë të deklarimit të pasurisë të subjektit deklarues në fjalë, ndër të tjera me qëllim të verifikimit të vërtetësisë dhe saktësisë së të dhënave të përfshira në formularët e deklarimit të pasurisë ndër vite. Pra, APK është në fazën fillestare të ndërmarrjes së veprimeve të shqyrtimit administrativ dhe nuk mund të komenton rezultatin final. Ky shqyrtim administrativ do të kryhet brenda afateve ligjore”, thuhet në përgjigjen e APK-së për Demokracia.com.

Kjo agjenci bëri të ditur se paragrafi 6 i dispozitës së lartcekur përcakton atë se nëse subjekti deklarues nuk ka deklaruar saktë pasurinë e vet dhe nuk ofron dëshmi apo ofron dëshmi të cilat nuk janë bindëse, agjencia e përcjellë rastin në prokurorinë kompetente.

Lidhur më arsyen e mosdeklarimit të këtij biznesi në formularin e pasurisë, Demokracia.com qysh para rreth dy javësh ka kërkuar një përgjigje edhe nga kryetari Rama nëpërmjet zyrës për informim. Deri në publikimin e këtij artikulli, ata nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

Kjo është hera e dytë që kryetari Përparim Rama ka bërë deklarimin e pasurisë në cilësinë e zyrtarit të lartë publik. As herën e parë, në vitin e kaluar nuk e kishte deklaruar këtë biznes, ndonëse ka qenë në dijeni se duhet të bëhet. Kjo dëshmohet nga fakti se në deklarimin e vitit të kaluar, në fund të formularit kishte shënuar se është drejtor në katër biznese, por se ka nisur procedurat për të pezulluar këtë pozitë. /Demokracia.com/

Të ngjashme