Lajme
DOKUMENTE | Ministria e Nagavcit anulon kundërligjshëm një tender, dyshohet se kompania e preferuar s’mund të dilte fituese
Demokracia
14:59 | 05 Janar 2024

Share:

Ministria e Arsimit, e cila udhëhiqet nga Arbërie Nagavci, ka anuluar një tender kundërligjshëm. Dyshimet janë se ministrisë nuk i doli llogaria mirë, që të shpërblejë kompanitë që deshi, andaj vendosi ta anulojë krejt procedurën tenderuese për blerjen dhe furnizimin me pajisje për avancimin e praktikës profesionale në institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional (IAAP), shkruan Demokracia.com.

MASHTI vendosi të anulojë tenderin që peshon 300 mijë euro, me arsyetim të paqëndrueshëm ligjor. Kjo ministri ka thënë se ‘është shkelur Ligji i Prokurimit për arsye se janë vendosur disa kritere diskriminuese’. Pra, e ka pranuar se ka vendosur vetë në dosje të tenderit disa kritere të kundërligjshme, që janë favorizuese për kompani të caktuara dhe diskriminuese për të tjera. Por, deri tek anulimi erdhi vetëm pasi ministria kishte hapur dhe kishte parë të gjitha ofertat. Dyshimet e forta janë se MASHTI-t nuk i dolën më të lira kompanitë që mund t’i kishte shenjëstruar paraprakisht për këtë tender.

Autoritetet Kontraktuese bazuar në planin e prokurimit iniciojnë procedurat e prokurimit me qëllim të nënshkrimit të kontratës së caktuar përmes së cilave përmbushin objektivat institucionale dhe ofrojnë shërbime, sipas mandatit të tyre dhe sipas pritshmërisë së qytetarëve. Gjatë udhëheqjes mund të shkaktohen aso rrethanash, të cilat mund të çojnë deri tek anulimi i aktiviteteve të iniciuara. Por, kjo është e paraparë më ligj se kur mund të ndodh.

Si nisi procesi?

Më 6 shtator 2023, MASHTI e hapi tenderin për furnizim me pajisje për avancimin e praktikës profesionale në IAAP.

Kohëzgjatja e kontratës publike kornizë është paraparë të jetë për 16 muaj, shkruan Demokracia.com.

Vlera e parashikuar e kontratës ka qenë 300,000.00 dhe tenderi është i ndarë në katër pjesë: LOT I – Pajisjet për profilet e mjekësisë, LOT II – Pajisjet për profilet teknike, LOT III – Pajisjet për profilet e artit dhe muzikës, LOT IV – Pajisjet për profilet e teknologjisë informative.

Më 16 tetor, ministria e ka ngarkuar dokumentin “formular standard për korrigjimin e gabimeve në njoftimin e publikuar”. Pra, më këtë rast, i ka korrigjuar disa gabime teknike të kritereve të lëshuara në njoftimin për kontratë.

Hapja e tenderit është bërë më datë: 25.10.2023. Aty është parë se kanë garuar 8 kompani. Shumica e tyre kanë garuar në të paktën tri lote.

Pasi janë hapur ofertat, ministria e ka mbajtur për rreth dy muaj në vlerësim tenderin dhe më 20  dhjetor 2023 ka dalë me rezultatin e tenderit. Ministria e Arbërie Nagavcit ka vendosur të anulojë në tërësi procesin me arsyetimin se “Arsyeja e anulimit të kësaj procedure të prokurimit, ka ardhur pasi që është konstatuar se kriteret e përcaktuara në dosjen e tenderit nuk kanë qenë në përputhje me Ligjin e Prokurimit. Kriteret për të cilat ka ardhur deri te anulimi i kësaj procedure janë: Kapacitete ekonomike dhe financiare, neni i DT-së, me nr. 8, 1 & 8.2. Kapacitet teknike dhe profesionale, neni i DT-së, me nr. 9.1 & 9.2”. Te këto dy kritere është vërejtur se gjatë përgatitjes së procedurës ka rrjedhur një gabim teknik, duke kërkuar qarkullimin e përgjithshëm të procedurës dhe jo duke kërkuar qarkullimin për vlerën e parashikuar të secilit lot”, thuhet në arsyetimin e MASHTI-t, përcjell Demokracia.com.

Pra, siç shihet, ministrisë i është nevojitur një herë t’i hap ofertat e OE-ve, t’i shikojë çmimet e kompanive dhe pasiqë nuk kanë dalë kompanitë e favorizuara me çmimin më të ulët, e ka anuluar këtë procedurë të prokurimit. Gjasat janë pak të vogla ose aspak që Drejtori i Prokurimit, me licencë të avancuar të prokurimit, të bëjë kësi gabime që çuan në anulimin e tenderit.

Çka thotë ligji?

Sipas LPP-së dhe Udhëzuesit Operativ në momentin që nuk është pranuar asnjë ankesë në lidhje me kriteret e vendosura, atëherë të gjithë OE-të dhe kompanitë e interesuara janë pajtuar me këto kritere dhe gjitha kushtet e këtij aktiviteti, andaj nuk është dashur të bëhet anulimi i kësaj procedure në këtë mënyrë, pasi nuk është shfaqur asnjë ankesë sa i përket kritereve të vendosura në FDT.

Ky veprim është edhe i kundërligjshëm, pasi që ministria ka mundur të bëjë korrigjimin e këtyre gabimeve pa u hapur ofertat. Të paktën, një herë e ka bërë këtë duke ngarkuar edhe formularin standard të korrigjimeve në tetor, por këtë nuk e ka korrigjuar.

Rregullat e prokurimit publik zakonisht lejojnë anulimin e procedurës së prokurimit për arsye të rëndësishme, të paparashikuara, veçanërisht nëse dhënia e kontratës, për shkak të një ndryshimi të papritur të rrethanave, nuk është më në interesin publik. Anulimi i një aktiviteti të prokurimit mund të jetë gjithashtu rezultat i veprimeve të paligjshme të ofertuesve, për shembull nëse rezulton se ata kanë vepruar në bashkëpunim apo kanë krijuar skema të cilat kompremetojnë në tërësi integritetin e procedurës, respektivisht dhënien e kontratës.

Ligji për Prokurimin Publik në Kosovë ka paraparë që aktivitetet e prokurimit të mund të jenë subjekt i anulimit në dy momentume: (i) para hapjes së tenderëve dhe (ii) pas hapjes së tenderëve. Legjislacioni sekondar parasheh më në detaje arsyet se kur duhet dhe kur mund të përfundohet apo anulohet një procedurë apo aktivitet i prokurimit. Pra, sipas legjislacionit në fuqi, në disa raste, AK-të e kanë për obligim të anulojnë aktivitetin e prokurimit dhe në disa raste është në diskrecionin e tyre nëse vlerësojnë se duhet bërë një gjë e tillë. Megjithatë, siç u tha më lartë, varësisht nga lloji i kontratës apo procedurës së prokurimit, arsyet janë të specifikuara si mëposhtë:

Para hapjes së ofertave AK-ja duhet ta anulojë aktivitetin për këto arsye:

– asnjë tenderë nuk është paraqitur brenda afatit të specifikuar;

– asnjëri prej tenderëve të pranuar nuk është i përgjegjshëm;

– numri i OE-ve të përgjegjshme për kontratë publike kornizë me më shumë se një OE është më pak se 3;

– nuk ka kërkesa për të marrë pjesë në procedurat e kufizuara ose konkurruese me negociata, që janë paraqitur brenda afatit të specifikuar;

– numri i kandidatëve të kualifikuar në procedurën e kufizuar/konkurruese me negociata është më pak se 3;

– nuk ka projekte që janë paraqitur brenda afatit të specifikuar;

– asnjë nga projektet e pranuara në konkursin e projektimit nuk janë të përgjegjshme;

– nëse urdhërohet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit;

– një shkelje e ligjit ka ndodhur ose do të ndodhë dhe nuk mund të rregullohet apo të parandalohet përmes një ndryshimi;

– nëse AK-ja, gjatë përgatitjes dhe udhëheqjes së procedurës, ka përdorur gabimisht opsionin për procedurën përkatëse dhe i cili gabim me verifikim të KRPP-se është i pariparueshëm; ose

– nëse është paraqitur një gabim teknik në platformën e prokurimit elektronik nga ndonjë situatë e paparashikuar dhe jashtë kontrollit të AK-së dhe i cili gabim është i pariparueshëm sipas verifikimit dhe konstatimit nga KRPP-ja.

Procedura e prokurimit pas hapjes së ofertave mund të anulohet për arsye se: të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e AK-së.

Pra, siç shihet nga LPP-ja dhe legjislacioni sekondar, anulimi i procedurës ka qenë i paarsyeshëm dhe siç shihet, këtë vendim e ka marrë AK-ja me tendencë për të manipuluar me OE të tjerë për mosshpërblimin me kontratë të OE-së së tyre të preferuar. /Demokracia.com/

Të ngjashme