Lajme
DOKUMENTE| Kurti e Gërvalla po e shuajnë kundërligjshëm Drejtorinë e Përgjithshme në MPJD
Demokracia
17:42 | 02 Shkurt 2022

Share:

Qeveria e Kosovës ka miratuar një rregullore të re për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, me të cilën kanë rënë ndesh me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.

Në rregulloren e re që e ka nënshkruar kryeministri Albin Kurti shihet se kjo ministri do ta shuajë Drejtorinë e Përgjithshme, pozitë kjo që parashihet me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm, shkruan Demokracia.com.

Drejtoria e Përgjithshme kishte për detyrë të bashkërendonte komunikimin e përhershëm të ministrisë me misionet e shërbimit të jashtëm, hartimin dhe realizimin e synimeve në veprimtarinë e shërbimit me
jashtë, si dhe udhëheqjen e zyrave përkatëse brenda institucionit. Megjithatë, shuarja e saj me rregulloren e re shkel direkt nenin 5 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm.

Këto kompetenca tani po parashihen t’i kalojnë në duar Sekretarit të Përgjithshëm.

Demokracia.com ka mësuar se ministrja Gërvalla dhe zëvendësministrja Gashi po synojnë ta forcojnë pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, pasi aty e kanë tani të preferuarin e tyre Behar Ismën, për emërimin e të cilit po ashtu e shkelën ligjin.

Demokracia.com kishte raportuar një mori shkeljesh gjatë emërimeve të kundërligjshme të Behar Ismës.

Me organogramin e MPJD-së, nën ombrellën e Drejtorisë së Përgjithshme kanë funksionuar këto departamente: Departamenti i Planifikimit të Politikave, Departamenti për Evropë dhe BE, Departamenti për NATO dhe politika të sigurisë, Departamenti për Marrëdhënie Dypalëshe, Departamenti për Marrëdhënie Rajonale, Departamenti për Diplomaci Ekonomike, Departamenti për Organizata Ndërkombëtare dhe Departamenti për Çështje Politike.

Me rregulloren e re, Departamenti për Evropë dhe BE shndërrohet në Departament për Evropë, BE dhe Rajon.

Po ashtu, me këtë rregullore do të krijohen departamente të reja si Departamenti për Afrikë dhe Lindjen e Mesme, që do të ketë disa divizione, si Divizionin për Afrikën Nënsahariane, Departamentin për Azi dhe Oqeani, Divizionin për Azinë, Divizionin për Azinë Juglindore dhe Oqeaninë.

Një tjetër departament do të jetë edhe ai për Diasporën./ Demokracia.com/

 

 

Të ngjashme