Lajme
DOKUMENTE | Komuna e Shtimes për 9 muaj ia jep 25 kontrata kompanisë së familjarit të ish-kandidatit të Vetëvendosjes
Demokracia
15:39 | 13 Dhjetor 2023

Share:

Një rast që nuk ka ndodhur më parë në prokurimet publike është shfaqur në Komunën e Shtimes, e cila udhëhiqet nga Qemajl Aliu që e quante vetën “Çlirimtar i Shtimes”. Krejt tenderët për ndërtim të infrastrukturës në këtë komunë po shkojnë kryesisht vetëm tek një kompani, shkruan Demokracia.com.

Kompania “Dashnim Jashari BI”, me emër tregtar N.T.P. ,,Ardhmëria” ka krijuar “monopol” në marrjen e tenderëve në Shtime.

Demokracia.com ka gjetur se vetëm për rreth 9 muaj, nga marsi deri në dhjetor, kjo kompani ka lidhur 25 kontrata më komunën e Qemajl Aliut.

Nga 8.7 milionë euro, aq sa ka pasur në dispozicion për shpenzime kapitale kjo komunë, 1,389,800 euro kanë shkuar për kompaninë “Dashnim Jashari BI”.

Aktualisht është duke punuar në mbi dhjetë projekte në Komunën e Shtimes, anise kjo kompani nuk është shumë e madhe, por në punime po angazhon edhe nënkontraktorë.

Demokracia.com ka gjetur se kjo kompani është kontraktor i rregullt i Komunës së Shtimes. Pronar i saj është Dashnim Jashari nga Shtimja. Ai është djali i vëllait të Ruzhdi Jashari, i cili ishte kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të komunës në vitin 2017, por nuk kishte arritur të fitonte. Nga viti 2017 deri në 2020, ai ka mbajtur postin e asamblistit komunal nga LVV-ja.

Tenderi i fundit që është lidhur në mes Komunës së Shtimes dhe Dashnim Jasharit ka qenë më 12 dhjetor, në një vlerë prej rreth 45 mijë euro.

Demokracia.com ka raportuar të mërkurën se Ruzhdi Jashari ka qenë i involvur deri më tani edhe në një projekt komunal që kishte të bënte më hartimin e projektimeve. Emërimi i tij ishte bërë pa procedura ligjore.

Dallaveret për kompaninë e Jasharit, i tërhiqet licenca shefit të prokurimit

Për shkak të favorizimit të kësaj kompanie në një tender, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, ditë më parë ia ka tërhequr certifikatën shefit të prokurimit të Komunës së Shtimes.

Shkeljet e ligjit në tenderët publikë bëhen kryesisht me arsye të caktuara për të favorizuar kompani të ndryshme. Një shkelje të rëndë për ”hava” e ka bërë edhe udhëheqësi i zyrës së prokurimit të Komunës së Shtimes, Muhedin Halili. Kryetari Qemajl Aliu që e quante vetën edhe si “Çlirimtar i Shtimes”, për një vit do të mbesë pa udhëheqës të zyrës së prokurimit.

Para pak muajve, KRPP ia ka revokuar certifikatën profesionale të prokurimit për një periudhë njëvjeçare, Muhadin Halilit. Pezullimi i licencës është bërë me kërkesë të Organit Shqyrtues të Prokurimit – OSHP për shkak se shefi i prokurimit, Muhadin Halili, nuk ka përfillur një urdhër të lëshuar nga ky institucion, duke nënshkruar një kontratë në kundërshtim me rregullat e LPP-së, “Rregullimi i parkut në fshatin Davidovc, Komuna Shtime”, në një vlerë prej 144 mijë eurove.

Pas një ankese të bërë, Komuna e Shtimes nuk e ka pritur vendimin e Panelit të OSHP-së, për të cilin ka qenë e obliguar, por ka nënshkruar kontratë me kompaninë NTP “Ardhmëria”, (Dashnim Jashari. BI), pa përfunduar afatet ligjore.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), bazuar në Nenin 91 pika b të Rregullores për Prokurim Publik ka parashtruar kërkesë pranë Bordit të KRPP-së, për anulimin e certifikatës profesionale të prokurimit, për Zyrtarin Përgjegjës të Prokurimit Publik të Autoritetit Kontraktues — Komuna e Shtimes, z. Muhadin Halili. Komuna e Shtimes ka bërë shkelje të dispozitave të LPP-së, neni 112, andaj nga KRPP është kërkuar marrja e masave bazuar në atë që konsiderohen të duhurat në relacion me shkeljet e evidentuara të cekura në vendimin e OSHP-së lidhur me këtë lëndë”, thuhet në vendimin e KRPP-së, përcjell Demokracia.com.

Fillimisht, Autoriteti kontaktues Komuna e Shtimes ka publikuar në e-prokurim njoftimin për kontratë për aktivitetin e Prokurimit “Rregullimi i parkut në fshatin Davidovc Komuna Shtime”, duke përdorur Procedurën e Hapur.

Pas hapjes së ofertave, komuna ka bërë vlerësimin e ofertave dhe ka publikuar në e-prokurim njoftimin mbi vendim të Autoritetit Kontraktues, me të cilin ka rekomanduar për dhënie të kontratës “NTP-Ardhmëria-Shtime” ose “Dashnim Jashari BI”, me vlerë të kontratës 144 mijë euro.

Operatori ekonomik “Edona” nga Ferizaj, ka parashtruar kërkesë për rishqyrtim në komunë, e cila pas rishqyrtimit është refuzuar me vendim të komunës, ku më pas është pezulluar aktiviteti i prokurimit.

Përmes sistemit të e-prokurimit, kompania “Edona SHPK” ka deponuar ankesë në OSHP dhe pas ankesës komuna e ka pezulluar aktivitetin e prokurimit sipas LPP-së.

AK ka pranuar Raportin e Ekspertit Shqyrtues lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, i cili i ka dhënë të drejtë kompanisë që ka parashtruar ankesë, duke i rekomanduar panelit shqyrtues në OSHP që lënda të kthehet në rivlerësim.

Komuna është pajtuar me ekspertizën e ekspertit dhe pa marrë një vendim përfundimtar nga Paneli Shqyrtues për të cilën ka qenë e obliguar, në nëntor të vitit 2022 ka themeluar komision të ri për rivlerësim të këtij aktiviteti të prokurimit dhe si rrjedhojë në nëntor të vitit 2022, AK ka rivlerësuar aktivitetin e prokurimit dhe ka publikuar njoftimin mbi vendimin e AK-së, formularin B58, duke shpallur përsëri fitues të njëjtin OE “NTP-Ardhmëria- Shtime”.

OE ”Edona” përsëri ka paraqitur kërkesë për rishqyrtim lidhur me vendimin e AK-së, ku ZPP ka pezulluar aktivitetin e prokurimit pas pranimit të kërkesës për rishqyrtim dhe ka marrë vendim mbi refuzimin e kërkesës për rishqyrtim si të pabazuar.

Pas kësaj date, komuna ka pritur afatet e ankesave në OSHP prej 10 ditëve dhe si rrjedhojë në nëntor 2022 ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës dhe më 12.12.2022 është nënshkruar kontrata dhe është publikuar njoftimi për nënshkrim të kontratës.

Lidhur me këtë lëndë, OSHP i është drejtuar me shkresë AK, duke kërkuar informacionin si në vijim:

“Kërkojnë nga ana juaj që të na informoni nëse kontrata për aktivitetin e lartpërmendur është lidhur dhe nëse eventualisht po, në çfarë faze të zbatimit qëndron momentalisht”?

AK në po të njëjtën ditë është përgjigjur si më poshtë:

“Ju njoftojmë se me datën 12.12.2022 është nënshkrua kontrata “Rregullimi Parkut në fshatin Davidove Komuna e Shtimes” dhe pas emërimit të menaxherit të kontratës dhe hartimin e planit të menaxhimit kontratës, OE ka filluar punimet në teren dhe kontrata është duke u zbatua sipas planit dinamik”.

OSHP-ja ka marrë vendim lidhur me këtë lëndë, duke lënë në fuqi vendimin e AK-së për dhënie të kontratës me arsyetimin e interesit publik dhe njëkohësisht duke paralajmëruar ZPP-në që për këto shkelje do të kërkojnë nga KRPP marrjen e masave në pajtim me nenin 25.8 të LPP-së.

Bazuar në faktet dhe rrethanat lidhur me këtë lëndë, Komisioni ka konstatuar se ZPP pas pranimit të ekspertizës nga Eksperti Shqyrtues lidhur me këtë aktivitet të prokurimit, pa pranuar një vendim përfundimtar të Panelit Shqyrtues, ka themeluar komision të ri për rivlerësim të këtij aktiviteti të prokurimit dhe si rrjedhojë ka rivlerësuar dhe ka publikuar njoftimin mbi vendimin e AK-së, duke shpallur përsëri të njëjtin OE “NTP-Ardhmëria- Shtime”.

Tenderët nga marsi deri në dhjetor 2023

Kontratat që i ka nënshkruar Komuna e Shtimes më këtë kompani, nga marsi deri më tani janë 25 sosh dhe ato janë të radhitur si mëposhtë:

‘Rregullimi i parkut te pishave në Shtime – faza IV”. Vlera 44,918.75 euro.

Rregullimi i poligonit për ciklizëm të PARKU i Pishave”, në një vlerë prej 69,321.00 euro.

“Mirëmbajtja dimërore e rrugëve – Kontratë kornizë, 24 muaj”. Vlera e kontratës 69,952.50 euro.

“Rregullimi i parkut – Sheshit në Qytetin e Shtimës (faza IV)”. Vlera 147,882.35 euro.

“Ndertimi i fushes sportive ne fshatin Zborc”. Vlera 39,444.74 euro.

“Asfaltimi i Rr. Skenderbeu, seg. i Rr. Afrim Musliu dhe Rr. Emrushi, Ri-tenderi”. Vlera 38,242.14.

“Ndërtimi i parqeve në Qytet dhe fshatra, Muzeqinë, Rashincë, Godanc i Poshtëm dhe i Epërm”. Vlera e kontratës 99,169.50 euro.

“Rrethojat e fushave sportive në fshatrat Carralevë, Petrovë dhe Davidovc”. Vlera 59,168.63 euro.

“Zgjerimi i rrugës dhe trotuari me ndriçim në Rr. Shabani në Vojnoc”. Vlera 93,614.27 euro.

“Asfaltimi i disa segmenteve të rrugëve, ndriçimit dhe kanalizimit në fshatin Pjetërshticë, Rr.Aziz Dugolli, Rr.Rrezja, Rr.Idriz Ajeti, Rr.Isak Brahimi, Rr. Shaqir Dugolli”. Vlera 39,332.03 euro.

“Asfaltimi i rrugeve, trotuareve dhe kanalizim ne Lagje te Pajtimit seg. rr Shefket Muhadini seg rr Qameria, rr.Besim Ndreca seg I, asfaltimi i rr. se vorrezav”. Vlera 47,925.65 euro.

“Rregullimi i kanalizimit ne Shtime rr. Villiam Voker, rr. Ernest Koliqi – Ri-tenderim”. Vlera 50,234.16 euro.

“Rregullimi i Parkut në Fshatin Petrovë-Komuna Shtime -(Punë Shtesë)”. Vlera: 2,625.00 euro.

“Rregullimi i shtigjeve të ecjes, çiklizmit dhe ndriçimit publik në rrugën Ferizaj”. Vlera 88,076.00 euro.

“Rregullimi i ndriqimit ne Carraleve rr. Balaj ,seg rr. Ali Tafa , rr. Rramhan Tafa dhe asfaltimi rruges te vorrezat e Carraleves”. Vlera 47,742.49 euro.

“Rregullimi i infrastrukturës në Zonën Ekonomike II, Ri-tenderim”. Vlera 57,868.25 euro

“Rregullimi i trotuareve dhe asfaltimi i rrugeve ne Mollopolc rr. Sopa, seg I, rr. Islam Neziraj trotuar në rr. Zona e Noredimes, Trotuari nga Salla deri te Qeshmja ne Mollopolc”. Vlera 86,583.65 euro.

“Asfaltimi i rrugëve dhe rregullimi i ndriçimit në Petrovë Rr. “ Nazim Bakiu” Rr.”Xhemshir Xhemshiri” Rr. “ Mehdi Korani” seg. i Rr.” Kruja”. Vlera 77,398.40 euro.

“Asfaltimi i rrugëve, trotuareve dhe rregullimi i ndriçimit në Godanc, Rr.”17 Shkurti”, seg. i Rr.”Topilla”, seg. i Rr.”Muhaxheria”, Rr.”Qazim Mikullovci”. Vlera 87,223.00 euro.

Asfaltimi i rrugeve, ndriqimit dhe trotuarit ne Gjurkoc seg i rr. Bushati ndriqim rr. Pjetershtica, rr. Kastrati”. Vlera 49,950.32 euro.

“Asfaltimi i rrugeve dhe rregullimi i ndriqimit ne Vojnovc seg rr. Jashari, rr.Ulqini, rr. Mehmeti rr.Bashkim Emini”. Vlera 69,641.00 euro

“Rregullim i parkut ne fshatin Davidoc-Komuna Shtime”. Vlera 13,590.00 euro.

“Rregullimi i rrugës Industria dhe rrugës brenda Parkut Teknologjik, si dhe ndërtimi i murit mbrojtës në Parkun teknologjik në Shtime (Parku i vetëm teknologjik në Komunën e Shtimes). Vlera 2,681.80 euro.

“Rregullimi i rrugëve dhe trotuarëve në fshatin Vojnoc- Segmentet Rr. Jashari, Rr. Kurti- (Punë Shtesë)”. Vlera 3,398.50 euro.

“Rregullimi i segmenteve të rrugëve dhe rrjetit të kanalizimit, Rr. Maliq Hoxha, Rr. Fejzullahu, Rr. Isuf Hoxha në Muzeqinë- Ri-tenderim-(Punë Shtesë) Ri-tenderim”. Vlera 4,226.65 euro. /Demokracia.com/

Të ngjashme