Lajme
DOKUMENTE | Komuna e Gjilanit ia dha 17 tenderë kompanisë së afërt me Vetëvendosjen vetëm në vitin e kaluar
Demokracia
15:49 | 06 Prill 2024

Share:

Komuna e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni, ka shfaqur shenja monopoliste për një kompani të caktuar gjatë vitit kaluar me kontratat e lidhura, shkruan Demokracia.com.

Shtatëmbëdhjetë kontrata i ka nënshkruar me komunën që qeveriset nga Alban Hyseni, kompania “El-Bau” në vitin e kaluar, ndërsa po vazhdon të lidh kontrata edhe këtë vit.

Kjo shifër ka dalë nga vetë një raport i publikuar së fundmi nga Komuna e Gjilanit për punët në vitin financiar 2023.

Vetëm për ndërtim të infrastrukturës së ulët rrugore, kompania ka nënshkruar me komunën 16 kontrata në vitin e kaluar, në një vlerë prej 2 milionë e 196 mijë euro.

Nga projektet me bashkëfinancim, prokurimi i Gjilanit e ka shpërblyer “El Bau’-n me 4 tenderë në një vlerë prej 1,369,804 euro, shkruan Demokracia.com.

Nga projektet e investimeve vetanake komunale, ku gjithsej janë nënshkruar 27 kontrata, vetëm “El Bau” ka nënshkruar 12 kontrata në një vlerë prej 826,397 euro. Bëhet fjalë për punë të ndërtimit të kanalizimit, rrugëve, ujësjellësit, etj.

Në vitin 2021, Komuna e Gjilanit ka nënshkruar kontratë me validitet 3-vjeçar me kompaninë “El Bau” për mirëmbajtje të rrugëve në një vlerë mbi gjysmëmilioni euro. Kontrata është zbatuar në vitin e kaluar dhe ka validitet edhe pak muaj në këtë vit.

Në vitin 2021, po ashtu, komuna e qeverisur nga Vetëvendosje ka lidhur kontratë kornizë për tri vite me operatorin ekonomik SH.P.K “EL-BAU” për ndriçimin publik në qytet.

“Ka intervenuar sipas nevojës dhe kërkesave të qytetarëve për djegien e poçeve elektrikë dhe disa poçeve të ri, porosia është pranuar nga kompania dhe është intervenuar me kohë. Për sanimin e rrjetit ekzistues, kurse zgjerim të rrjetit të ri është bërë në Porodinë dhe në disa lagje dhe rrugë të ndryshme në qytetin e Gjilanit me gjatësi prej 12,000.00 m. Vlera totale e pagesës për zgjerimin e rrjetit dhe ndërrimi i poçeve elektrik është afër 144,461.60 €”, ka shkruar Komuna e Gjilanit në raportin për vitin e kaluar, përcjell Demokracia.com.

Pos ndërtimit të ulët, kompania ka nënshkruar edhe kontrata të tjera në vitin e kaluar. Në një vlerë prej 42 mijë eurosh e ka nënshkruar edhe për “Rregullimin e bazamentit për vendosjen e trafos”.

Kush është pronari i kompanisë?

Bazuar në të dhënat e ARBK-së, pronarë në kompaninë “El Bau” janë Fatlum Pireva dhe Suad Pireva.

Në vitin e kaluar, Klubi i Futbollit ‘Gjilani’ ka bërë të ditur se drejtimin e klubit e kanë marrë disa afaristë të njohur, në krye me Afrim Veliun. Njëri ndër katër aksionarët është edhe Fatlum Pireva.

Kompania “El Bau” është duke marrë tenderë edhe nga Komuna e Podujevës, e cila udhëhiqet nga një kryetar tjetër i Vetëvendosjes, përkatësisht nga Shpejtim Bulliqi. Në fund të vitit 2023, komuna e Bulliqit kishte shpallur fituese kompaninë “EING COM & EL BAU” SH.P.K.

Më 29 nëntor 2023 u njoftua se për këtë kontratë është shpërblyer kompania “Eing Com” e “El-BAU” Podujevë, me vlerë totale të ofertës, 547.492.12 euro.

Ky tender rriti vlerën për 237,224 euro, pothuajse njëfishin e shifrës paraprake, shkruan Demokracia.com.

Kompania fituese e këtij tenderi është në pronësi të Eljesah Podvorica, i cili del të jetë i afërt me pushtetin dhe të kompanisë “El- Bau”.

Eljesah Podvorica, jo rrallëherë është parë në shoqërinë e njerëzve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në vitin 2021, deputeti i LVV-së, Sali Zyba dhe pronari Eljesah Podvorica, ishin së bashku në një vizitë në Therandë.

Dyshja shihen në një fotografi në shoqëri edhe të disa personave për rreth.

Podvorica, gjithashtu në vitin 2019 ishte parë në shoqërinë e deputetit të VV-së, Nijazi Isakut.

“Në kafe me tre luftëtarët e lirisë, UÇK-së”, shkruhej në postim. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

DOKUMENTE | Dallaveret me tender e lanë Podujevën pa mirëmbajtje të rrugëve

 

Të ngjashme