Lajme
DOKUMENTE | Dallaveret me tender e lanë Podujevën pa mirëmbajtje të rrugëve
Demokracia
15:35 | 12 Janar 2024

Share:

Si në asnjë komunë tjetër, rrugët në qytetin e Podujevës, sidomos në fshatra janë kthyer në pista patinazhi. Gjendja po vështirësohet gjatë natës, sidomos në këtë kohë kur  temperaturat po shënojnë rënie. E gjithë kjo, sepse komuna që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi nuk ka arritur ta lidh asnjë kontratë për mirëmbajtjen e rrugëve.

Demokracia.com ka gjetur se të gjitha përgatitjet kanë nisur më kohë, por Komuna e Podujevës po dëshiron ta favorizojë kundërligjshëm një operator ekonomik, i cili është shfaqur edhe i afërt me partinë në pushtet atje.

Qytetarët kanë adresuar ankesa të shumta se gjatë orëve të mbrëmjes, lëvizja me vetura në Podujevë është vështirësuar dukshëm javën e fundit për shkak të ngricave.

Demokracia.com ka gjetur se komuna nuk ka asnjë kontratë valide për mirëmbajte të rrugëve, pasi asaj paraprake i ka skaduar validiteti.

Tenderi për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në Komunën e Podujevës është hapur me kohë, por autoriteti nuk ka arritur ta finalizojë për shkak të ankesave të kompanive që kanë pasur në këtë proces. Komuna e Podujevës ka bërë njoftim për kontratë me datën 23 maj 2023, por kontrata nuk është lidhur akoma dhe nuk ka një datë të saktë se kur do të ndodh. Kjo për shkak se procesi ka ngecur në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Pas hapjes së ofertave për këtë procedurë të prokurimit, Komuna e Podujevës ka rekomanduar për kontratë kompaninë me çmime shumë më të shtrenjta “EING COM & EL BAU SH.P.K”, me ofertë 567, 492.12 euro, ndërsa ka eliminuar ofertën e grupit “Via Egnatia” & “Vaakal” & “Natyra”, me vlerë 330, 492. 12 euro.

Komuna e Podujevës ka eliminuar këtë ofertë për disa arsye, duke konsideruar që nuk ka përmbushur disa prej kërkesave kryesore të vendosura në dosjen e tenderit.

Grupi i operatorëve “Via Egnatia” & “Vaakal” & “Natyra”, nuk është pajtuar me vendimin e komunës, andaj ka bërë ankesë tek ky institucion, duke konsideruar se i plotëson kërkesat dhe operatori i rekomanduar nuk i përmbush disa prej kritereve të vendosura nga vetë komuna.

Komuna e Podujevës ka marrë në shqyrtim kërkesën dhe më pas e ka hedhur poshtë, duke e lënë në fuqi vendimin e vet. Më pas, konzorciumi i kompanive është ankuar në OSHP.

Siç ka gjetur Demokracia.com, ky institucion më 18.12. 2023 e ka autorizuar ekspertin e vet, Burim Zekën, që t’i shoshitë provat. Zeka më datë 27 dhjetor e ka dorëzuar raportin tek Paneli i OSHP-së, i cili akoma nuk është mbledhur për ta shqyrtuar atë.

Eksperti ka gjetur shkelje nga ana e komunës së Shpejtim Bulliqit, andaj i ka rekomanduar panelit të OSHP-së që ta anulojë njoftimin e komunës për dhënie të kontratës dhe lëndën ta kthejë në rivlerësim.

Gjetjet e ekspertit kryesisht kanë të bëjnë lidhur më atë se Komuna e Podujevës e ka eliminuar kundërligjshëm ofertën më të ulët, e cila ka qenë mbi 200 mijë euro më e lirë. (Raporti ).

 

Por, nëse ka pasur ose jo të drejtë eksperti, për këtë duhet të mblidhet Bordi i OSHP-së për të nxjerrë një vendim. Por, ende nuk dihet se kur do të ndodh kjo për shkak të lëndëve të shumta që ka paneli në shqyrtim. Sido që të jetë, bazuar në të gjitha afatet kohore, rrugët edhe për një kohë do të mbesin pa mirëmbajtje dhe të gjitha gjasat janë që komuna këtyre ditëve do të lidh kontratë me negocim më procedurë të përshpejtuar, veçse mbetet të shohim kush do të jetë operatori i shpërblyer. Por, cila është kompania që komuna po insiston të lidh kontratë më të?

Bazuar në të dhënat e ARBK-së, kompania “EING COM & EL BAU” SH.P.K. është themeluar në vitin 2023 dhe pronarë të saj janë kompania nga Podujeva “EING COM SH.P.K” me 99 për qind të aksioneve, që për pronar ka Eljesah Podvorica, ndërsa 1 për qind të aksioneve i posedon “EL-BAU” SH.P.K më pronarë Fatlum e Suad Pireva.

Demokracia.com ka gjetur se kompania “EL-BAU” SH.P.K, si asnjë kompani tjetër ka fituar më së shumti tenderë nga Komuna e Gjilanit në lëminë e ndërtimit, kryesisht të rrugëve.

Nga ana tjetër, fitues i madh i tenderëve në komunën e Bulliqit, deri në vitin e kaluar ka qenë edhe kompania EING COM SH.P.K.

Në vitin 2021, deputeti i LVV-së, Sali Zyba dhe pronari Eljesah Podvorica ishin së bashku në një vizitë në Therandë, ku kishin publikuar edhe fotografi dhe ata shihen në shoqëri edhe të disa personave për rreth.

Në vitin 2019, po ashtu, deputeti i LVV-së, Nijazi Isaku, kishte postuar një fotografi së bashku me pronarin Eljesah Podvorica dhe me dy persona të tjerë në Facebook.

“Kosovë urime nga shpëtimi i epidermës së hajnave!”, kështu e kishte paraqitur Kadri Bislimi gëzimin e tij më 14 shkurt 2021, pas fitores së Albin Kurtit.

Kadri Bislmi, një përkrahës i madh i Lëvizjes Vetëvendosje, nga ajo që mund të vërehet qartë në “Facebook”, del të jetë vjehrri i Eljesah Podvoricës. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme