Lajme
DOKUMENTE | Gërvalla viziton tri biznese në Gjilan, dy prej tyre financuese të Vetëvendosjes
Demokracia
16:40 | 23 Prill 2024

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po zhvillon platforma të veçanta për t’i promovuar bizneset vendore dhe për të krijuar lidhje të forta me diasporën tonë të shpërndarë nëpër botë. Kështu ka thënë para tri ditëve në Gjilan, ministrja Donika Gërvalla-Schwarz teksa ka vizituar dy biznese, si dhe një tjetër në këtë komunë që udhëhiqet nga Vetëvendosje e ka vizituar para katër ditëve, shkruan Demokracia.com.

Më 20 prill, ministrja e MPJD-së vizitoi kompanitë DEA Group dhe FLEXOGRAF SH.P.K. Kurse, më 19 prill, vizitoi ndërmarrjen më të vogël “Mina Fashion”. Të tri këto biznese në Gjilan dhe të tria i publikoi në rrjetin social Facebook, duke njoftuar se ministria po zhvillon platforma të veçanta për të promovuar bizneset vendore dhe për të krijuar lidhje të forta me diasporën shqiptare të shpërndarë në mbarë botën.

Nga qindra biznese të mëdha që ka Gjilani, Gërvalla-Schwarz zgjodhi të vizitojë dhe t’u bëjë publicitet dy kompanive që tradicionalisht janë financuese të partisë së Albin Kurtit.

Bëhet fjalë për ADEA GROUP – SH.P.K, e cila prodhon ujin Dea dhe për FLEXOGRAF SH.P.K, pronarët e të cilës e kanë në pronësi edhe Fluidi SH.P.K., e cila po ashtu operon në atë fabrikë.

Demokracia.com ka shfletuar disa prej raporteve financiare të Vetëvendosjes që i ka të audituara në faqen e KQZ-së dhe në to ka gjetur se Dea dhe Fluidi kanë furnizuar fushatat e Vetëvendosjes me ujë të pijshëm, ndonëse në shuma jo të mëdha të parave. Të paktën këto janë vetëm të dhënat zyrtare që Vetëvendosje i ka paraqitur si financues të fushatave. /Demokracia.com/

Të ngjashme