Lajme
DOKUMENTE | Dyshime për kurdisje në tenderin 6-milionësh të Komunës së Prishtinës, më i liri doli klienti i Astrit Nixhes që ia bëri vetë projektin
Demokracia
18:10 | 14 Qershor 2024

Share:

Komuna e Prishtinës ka hapur ofertat për tenderin “Ndërtimi i nënkalimit për vetura në rrugën Agim Ramadani”, një projekt i madh në vlerë prej 6 milionë euro. Katër kompani janë në garë për këtë tender, por dyshimet për kurdisje kanë filluar të ngrihen pasi një prej ofertuesve është kompania e njohur shqiptare “Gjikuria”, e cila ka ofruar çmimin më të ulët. Demokracia.com ka zbuluar lidhje të dyshimta midis kësaj kompanie dhe Arkitektit të Kryeqytetit, Astrit Nixhës, i cili ka pasur bashkëpunime të mëparshme me pronarin e kompanisë “Gjikuria”, Lorenc Gjikuria.

Pesë herë e ka korrigjuar “njoftimin për kontratë” zyra e prokurimit për këtë tender, deri sa sot pasdite ka hapur edhe ofertat. Janë katër ofertues, por dyshime të mëdha ngrihen tek emri i kompanisë që ka ofertuar me çmimin më të lirë.

Kompania e shumëpërfolur në Shqipëri për ngufatjen e Dhërmiut, “Gjikuria”, ka vendosur çmimin më të lirë në ofertë.

Bazuar në të dhënat e opencorporates.al, pronarë në këtë kompani janë Milo Gjikuria e Florenc Gjikuria.

Projektin e këtij nënkalimi e ka bërë “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” që drejtohet nga Astrit Nixha.

Demokracia.com ka gjetur se Nixha në të kaluarën e ka pasur klient pronarin e kompanisë “Gjikuria”, Lorenc Gjikuria.

Bazuar në ofertën tenderuese të Nixhës për tenderin e Arkitektit të Kryeqytetit, ai aty ka paraqitur referenca edhe të kompanisë “Gjikuria”. Aty ka shkruar se e ka bërë projektin kryesor për “Vila DL, Dhërmi” dhe se klient ka qenë Lorenc Gjikuria. Astrit Nixha aty është paraqitur si projektues kryesor dhe menaxher i projektit. Vlera e projektit ishte 800 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

 

Pos këtij projekti, Nixha ka bashkëpunuar me “Gjikuria” edhe në një projekt humanitar. Bëhet fjalë për projektimin e 20 banesave që ka bërë “Anarch” për Gjikurinë, e cila i ka ndërtuar ato falas për njerëzit e prekur nga tërmeti në Shqipëri.

Dyshimi rritet edhe më shumë nga veprimet që ka bërë Komuna e Prishtinës me projektimin e këtij tenderi.

Demokracia.com kishte raportuar se fillimisht tenderi për projektimin e nënkalimit i ishte dhënë kompanisë “3D”, e cila ishte shpallur fituese në një garë të hapur disa javore.

Kompania kishte pritur për disa javë që të ftohej për nënshkrimin e kontratës pasi ishte shpallur fituese, por komuna e Përparim Ramës nuk e kishte ftuar. Kësisoj, komuna e kishte angazhuar “Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit” që ta bënte projektin për nënkalimin, ndërsa kompania “3 D” më 6 mars 2024 kishte ushtruar padi në Gjykatën Komerciale në Prishtinë. /Demokracia.com – Mentor Buzhala/

DOKUMENT | Projekti për ndërtimin e tunelit në rrugën “Agim Ramadani”, Komuna e Prishtinës rrezikon të humbë disa mijëra euro në Gjykatën Komerciale

Të ngjashme