Lajme
DOKUMENTE | Drejtori i Përparim Ramës ia pranoi punët vetes për një banesë private dhe i lëshoi Certifikatë të Përdorimit
Demokracia
16:55 | 07 Shkurt 2024

Share:

Drejtori i Urbanizmit të Komunës së Prishtinës, Arbër Sadiki, mund të jetë futur në konflikt të interesit kur ka nënshkruar lëshimin e një çertifikate të përdorimit për një ndërtesë shumëkateshe në kryeqytet, shkruan Demokracia.com.

Në cilësinë e Drejtorit të Urbanizmit të Prishtinës, Arbër Sadiki në vitin e kaluar ka nënshkruar ‘Certifikatën e përdorimit’ për përdorimin e ndërtesës shumëkatëshe me afarizëm, me etazhitet B+S+P+4ET që ndodhet në lagjen Mati 1. Investitor i këtij objekti ka qenë kompania “Nardi-Alko-Imex”.

Kompania ishte pajisur me leje të ndërtimit në kohën kur me komunën udhëhiqte Lëvizja Vetëvendosje, në vitin 2023, ndërkohë që më 22 qershor 2022 kishte aplikuar me “Certifikatë të përdorimit”.

Që të lëshohej Certifikata, Drejtoria e Urbanizmit në krye me Sadikin i kanë kërkuar investitorit një mori dokumentesh, ashtu siç i parasheh edhe Ligji për Ndërtim.

Demokracia.com e ka parë këtë dokument. Aty shihet se një raport për punët e kryera në godinë, në cilësinë e profesionistit privat e kishte bërë vetë arkitekti Arbër Sadiki.

“Raportin përfundimtar të punimeve të ndërtesës, nga udhëheqësi i punishtes, Besian Sinani. Raportin përfundimtar të punimeve të arkitekturës, nga mbikëqyrësi Arbër Sadiki. Raportin përfundimtar të punëve të konstruksionit, nga mbikëqyrësi Arbon Prekadini, etj”. Më pas, siç shihet në dokument, vulën përfundimtare e ka vendosur drejtori Arbër Sadiki.

Sadiki ka mundur të shmang nënshkrimin e këtij dokumenti për ta autorizuar dikë tjetër.

Demokracia.com ka gjetur se projekti i ndërtesës më të cilin kishte aplikuar edhe për leje të ndërtimit në vitin 2016, ishte bërë nga kompania “P-DELTA SH.P.K”, që për pronarë aktualisht ka Besian Sinanin dhe Arbon Prekadinin. Por, siç shihet pjesë e kompanisë në atë kohë ishte edhe drejtori Arbër Sadiki.

Kjo leje e ndërtimit që gjendet në ueb-faqen e Komunës së Prishtinës është e vetmja që nuk hapet.

Besian Sinani është profesor në kolegjin “UBT” bashkë me Sadikin. Atij, në vitin 2022, drejtori Sadiki ia ka transferuar të gjitha aksionet e kompanisë së tij “G+A Architech”.

Për secilin objekt që është pajisur me leje ndërtimore pas përfundimit duhet të merret edhe Certifikata e Përdorimit, para se objekti të fillojë të përdoret.

Më pas, pasi të pajiset me këtë certifikatë të objektit, poseduesi i lejes mund të vazhdojë me procedurë të regjistrimit të ndërtesës në Kadastër. Fatin e kompanisë “Nardi-Alko-Imex” nuk e kanë pasur akoma qindra ndërtesa në kryeqytet, të cilat po presin që të pajisen me këtë dokument, duke pritur me vite të tëra.

Leje ndërtimi edhe për ish-kompaninë e vet

Po ashtu, Demokracia.com ka gjetur se drejtori Arbër Sadiki ka nënshkruar edhe një leje të ndërtimit për ndërtesën shumëbanesore & afariste – ndërtesa “1” +B+S+5+Ph, e cila po ngritet në lagjen ‘Mati 1’ në Prishtinë. Investitor është kompania  “Maloku Group” shpk nga Prishtina, ku rezulton se hartimin e dokumentacionit ndërtimor /projektin kryesor për ndërtesën e ka bërë kompania “G + A Architects”. Pra, kjo ka bërë gati të gjithë dokumentacionin për aplikim për leje të ndërtimit dhe më pas marrjen e saj.

Leja është dhënë në një afat rekord, pasi aplikimi ishte bërë më datë 21 prill 2022 dhe ishte lëshuar më 24 qershor.

Sadiki është emëruar Drejtor në Prishtinë më 18 janar 2022, ndërsa deklarimin e pasurisë e ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit pas një muaji. Aty ka shkruar se posedon 50 për qind të aksioneve në kompaninë “G+A Architescts”.

 

Megjithkëtë, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), kjo kompani është regjistruar në vitin 2018 dhe pronar /aksionar me 100 për qind të aksioneve figuron Besian Sinani, i cili edhe është drejtor menaxhues. 

“G+A Architecht” e ka faqen e saj edhe në rrjetin social Facebook, si dhe postimi i fundit aty është bërë tek vitin e kaluar, ku figuron  drejtori  Sadiki bashkë me Gëzim Sadikin. Aty shkruhet se këta të dy janë edhe themelues të kompanisë.

Në mars të vitit 2022, kompania “G + A Architects” ka lidhur një kontratë me Universitetin e Prishtinës me titull “Hartimi i Projekteve për Ndërtim, Objekte shtesë, Renovim dhe Shqyrtim Profesional i konstruksionit nga Aspekti i Stabilitetit dhe Funksionalitetit te UP-së”. Gjatë realizmit të kësaj kontrate, kompania fituese e tenderit do të ketë punë edhe me ish-pronarin e vet, Arbër Sadiki, ku pasi shumica e ndërtesave ndodhen në Prishtinë dhe për të marrë një leje ajo duhet të lëshohet nga Drejtoria e Urbanizmit të Prishtinës.

Tek stafi i paraqitur profesional, që do ta bëjë hartimin, mbikëqyrjen e projekteve, i pari në listë është emri i arkitektit Arbër Sadiki.

Ndërkohë që aktualisht Besian Sinani figuron si aksionar me 100 për qind të aksioneve në ARBK tek kompania “G+A Architescts”, Demokracia.com ka parë se emri i Sinanit gjendet edhe në disa leje të ndërtimit të Komunës së Prishtinës, si pjesë e stafit të kompanisë “BB Architecst” Shpk. Kjo kompani deri në vitin e kaluar është udhëhequr nga kolegu i tyre në “UBT”, Bekim Mustafa. Tash, Mustafa është futur në Komunën e Prishtinës si vlerësues tenderësh apo edhe menaxher i projekteve për Partneritet Publiko Privat. /Demokracia.com – Mentor Buzhala/

 

Të ngjashme