Lajme
DOKUMENTE| Del “tym i bardhë” nga Qeveria, afër 100 mijë punëtorë të sektorit publik sot e mësojnë pagën e tyre
Demokracia
08:00 | 01 Shkurt 2023

Share:

Qeveria e Kosovës do të mblidhet sot (e mërkurë), në orën 10:00.

Në rend të ditës për shqyrtim, Qeveria e ka vetëm një pikë: Shqyrtimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.08/L-193 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 (MFPT).

Demokracia.com ka siguruar rendin e ditës dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.08/L-193 mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 (MFPT).

Ndonëse nga sot është paraparë që Ligji për Pagat të hyjë në fuqi, rreth 100 mijë punëtorë të sektorit publik ende nuk e dinë vlerën e koeficientit.

Edhe në dokumentin e siguruar nga Demokracia.com nuk është cekur vlera e koeficientit të pagës, e cila po mbahet e fshehur nga Qeveria Kurti.

Përveç caktimit të vlerës së koeficientit, Qeveria do të autorizojë Ministrin e Financave, që sipas nevojës, me vendim të bëjë ngritjen e tavanit të shtesave të përcaktuara me Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, për vitin fiskal 2023.

Paga më e lartë do të jetë për postin e presidentit të shtetit, me koeficient 18, shkruan Demokracia.com.

Kryetari e Gjykatës Kushtetuese do të ketë koeficient 17.5, ndërsa 17 do të jetë koeficienti për postin e kryeparlamentarit dhe kryeministrit. Deputeti dhe ministri do të kenë pagë të barabartë, me koeficient 16.4.

Sa i përket kryetarëve të komunave, ai i kryeqytetit do të ketë pagë me koeficient 15, ndërsa pagat e kryetarëve të komunave tjera do të dallojnë varësisht prej numrit të qytetarëve që kanë ato komuna.

Në gjyqësorin e vendit, i cili ka paralajmëruar dërgimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, paga për kryetarin e Gjykatës Supreme do të jetë në koeficientin 17. Koeficienti te gjyqtarët do të sillet prej 15.5 deri në 12 për gjyqtarin e Themelores dhe të dhomës së shkallës së parë të Komerciales. Në Prokurori, paga e kryeprokurorit do të jetë me koeficientin 17, ndërsa prokurorët e përgjithshëm në Themelore do të kenë pagë me koeficient 12.

Në ushtri, komandanti do të ketë koeficientin 15, ndërsa paga më e ulët do të jetë për rekrutin/kadetin e FSK-së me koeficient 2, që është edhe paga më e ulët në vend.

Në polici, drejtori i përgjithshëm do të ketë pagë me koeficient 14.5, ndërsa polici i thjeshtë koeficient 5. Kadeti policor do të ketë koeficientin 2.

Te zjarrfikësit, koeficienti do të sillet nga 4 deri në 8.

Në arsim, pagat e mësimdhënësve do të sillen prej koeficientit 5.6 për ata të shkollave fillore dhe të mesme të ulëta deri në 5.8 për mësimdhënës të shkollave të mesme të larta.

Në shëndetësi, pagat e mjekëve do të jenë nga 7.4 për mjekët e përgjithshëm në 12 për specialistët.

Ligji parasheh kompensim për kujdestari, për punën gjatë natës e për punë jashtë orarit. Ndërsa, ulja e nivelit të pagës parashihet vetëm në dy raste, të tronditjes makroekonomike apo të fatkeqësisë natyrore. /Demokracia.com/

Të ngjashme