Lajme
DOKUMENTE | Bulliqi i jep tender 25 mijë euro për dekorimin e qytetit një kompanie që dyshohet se garoi me dokumente të falsifikuara
Demokracia
11:25 | 02 Dhjetor 2023

Share:

Edhe qyteti i Podujevës ka planifikuar t’i ndezë dritat për festat e fundvitit. Komuna që udhëhiqet nga kryetari Shpejtim Bulliqi për dekorim pret të angazhojë dy kompani në konzorcium. Demokracia.com ka gjetur se tenderi është realizuar në një vlerësim shumë të dyshimtë nga komisioni vlerësues i kësaj komune.

20 mijë euro kishte në dispozicion Komuna e Podujevës kur e hapi tenderin “Dekorimi i qytetit” në tetor të këtij viti.

Por, meqë kishte vetëm një ofertë në vlerë prej 25,948.20 euro, fitues u shpallë konzorciumi i kompanive FIBER NET SH.P.K.; Vision TV Sh.p.k.

Sipas njoftimit për ‘dhënie të kontratës’, fituesi është shpallur më 30 nëntor dhe kontrata pritet të nënshkruhet më 1 dhjetor.

Demokracia.com ka gjetur se kompania lider “Fiber Net” e ka statusin e biznesit pasiv në ARBK. Po ashtu, edhe në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) nuk është tatimpagues i regjistruar aktualisht. Kjo është një shkelje e rëndë e Ligjit të Prokurimit, pasi një kompani për pjesëmarrje në një procedurë tenderuese duhet të dërgojë certifikatën e biznesit të regjistruar që është aktive dhe, po ashtu, atë të ATK-së që është tatimpagues i rregullt.

Kjo është kërkuar edhe në dosjen e tenderit.

Demokracia.com ka kërkuar nga Komuna e Podujevës që të shoh këto dy dokumente të kompanisë fituese, por deri në publikimin e këtij artikulli komuna nuk ka kthyer përgjigje. Nëse kompania ka ofertuar më këto dy dokumente që kanë qenë jo valide ose të falsifikuara. Nëse nuk ka ofertuar me to, oferta është dashur të hidhet poshtë nga komisioni i vlerësimit.

Po ashtu, në dosjen e tenderit, tek Kërkesat e Kapacitetit Teknik, pos tjerash është kërkuar që kompania të ketë: Një listë të kontratave të realizuara, duke plotësuar Aneksin 6 të Dosjes së Tenderit, ku duhet saktësuar titullin e kontratës, shumën e kontratës, datën e fillimit dhe datën e përfundimit dhe përfituesin, si dhe listës t’i bashkëngjiten referencat ose certifikatat për kryerjen e punëve.

Demokracia.com i ka kërkuar komunës që të shkruajë vetëm emrat e këtyre projekteve dhe datat kur i kanë përfunduar kompanitë e shpallura fituese. As në këtë pyetje, komuna nuk ka dhënë përgjigje.

Demokracia.com ka bërë një kërkim disaorësh në E-prokurim, por nuk ka gjetur askund që Fiber Net të ketë kryer punë publike me tender. Hulumtimi ka treguar se kompania Vision Tv në konzorcium më TV Llapi është shpërblyer me kontratë nga Komuna e Podujevës në prill të këtij viti për projektin “Kontraktimi i shërbimeve për shënimin e aktiviteteve kulturore dhe përcjelljen mediatike të punëve të Komunës së Podujevës”. Vlera e kontratës ka qenë 43,640.00 euro.

Në njoftimin për “dhënie të kontratës” tek tenderi Dekorimi i qytetit është publikuar email adresa e kompanisë fituese lider, e cila shprehimisht është kështu: [email protected]. Pra, siç shihet emërtimi i një kompanie nga Podujeva e Llapit është Kosovo dhe jo Kosova. Megjithëkëtë, pyetjet e drejtuara në këtë email adresë nuk kanë shkuar, pasi e njëjta duket të mos jetë aktive. Pyetjet kanë qenë të njëjta sikurse ato që i janë drejtuar Komunës së Podujevës.

Vlen të përmendet se kompania në konzorcium Vision TV e ka statusin e kompanisë aktive në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) dhe po ashtu sipas të dhënave të ATK-së del që është tatimpagues. /Demokracia.com/ M.B/

Të ngjashme