Lajme
DOKUMENTE | Bashkëshorti i presidentes Osmani po qëndron kundërligjshëm në një pozitë që tri vjet
Demokracia
20:05 | 09 Janar 2024

Share:

Prindon Sadriu nga viti 2019 është Kryetar i Shoqatës së Ushtarakëve Rezervë të Kosovës. Qëndrimi i tij në këtë pozitë është në kundërshtim më legjislacionin e Republikës së Kosovës. Pos kësaj, Zotëriu i Parë nuk e ka deklaruar fare këtë pozitë në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, shkruan Demokracia.com.

Më 27 korrik 2019, Prindon Sadriu bashkë me dy të tjerë, Premtim Rashitin dhe Uran Kurtishin, kanë themeluar Shoqatën e Ushtarakëve Rezervë të Kosovës. Bazuar në regjistrimin e saj në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës, kryetar figuron Prindon Sadriu.

Bashkëshorti i presidentes Osmani nuk e ka deklaruar këtë pozitë asnjëherë në deklarimin e rregullt vjetor për çka ka qenë i obliguar, pasi që mban post të lartë publik.

Demokracia.com ka shfletuar deklarimet e pasurisë nga viti 2019 dhe deri më tani të Sadriut, por në asnjërën prej tyre nuk figuron posti i kryetarit në këtë shoqatë dhe kjo është shkelje ligjore.

Po ashtu, zyrtari i lartë gjatë ushtrimit të funksionit publik nuk mund të jetë kryetar në organizata joqeveritare, sepse një situatë e tillë paraqet gjendje të konfliktit të interesit. Kjo ndalohet me dispozitën e nenit 14, paragrafi 1 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, ku shprehimisht thuhet se: “Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës, veprimtarive humanitare dhe të ngjashme, pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimeve dhe të tjera të lidhura më to”.

Ligji nr 08/ L-108 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave ka paraparë se zyrtari i lartë publik duhet të deklarojë të gjitha funksionet që ka.

Konkretisht, neni 6 i këtij ligji thotë se “1. Deklarimi i pasurisë përfshinë: 1.1. emrin dhe mbiemrin e subjektit deklarues, datën e lindjes, numrin personal, gjendjen civile dhe emrin e njërit prind si dhe numrin fiskal nëse e ka; 1.2. emrin dhe mbiemrin e anëtarëve të familjes të subjektit deklarues, datën e lindjes, numrin personal, gjendjen civile dhe lidhjen me subjektin deklarues; 1.3. adresën e vendbanimit të përhershëm dhe adresat e vendbanimeve të mundshme të përkohshme; 1.4. pozitën aktuale deklaruese dhe funksionet tjera në sektorin publik dhe privat, përfshi periudhën kohore të ushtrimit të funksionit; 1.5. të dhënat mbi pronësinë, bashkëpronësinë apo aksionet, pozitat menaxhuese ose të drejtat e tjera në ndonjë kompani, institucion privat ose ndonjë aktivitet tjetër privat”.

Në vitin 2022, AKK-ja e kishte obliguar deputetin Hydajet Hyseni për shkak të postit të lartë publik që të jepte dorëheqje nga pozita e Kryetarit të Shoqatës së të Burgosurve të Kosovës.

Shoqata e Oficerëve Rezervë të Kosovës, si institucion pasqyron aktivitetet e saj në rrjetin social Facebook dhe e tëra është në funksion të propagandës për presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti.

Pas përfundimit të mandatit diplomatik në Maqedoninë e Veriut, Prindon Sadriu tash është emëruar Drejtor i Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. /Demokracia.com – M.B/

DOKUMENTE | Burri i Vjosa Osmanit emërohet Drejtor për NATO dhe Politika të Sigurisë, ia merr pozitën kolegut të tij

Të ngjashme
Lajme • 04 Maj 2024