Lajme
DOKUMENT: Veturat e Vjosa Osmanit mbesin pa servisim, dështon tenderi
Demokracia
13:22 | 25 Korrik 2022

Share:

Veturat “Toyota” të Presidencës së Kosovës kanë mbetur pa servisim. Tenderi për këtë punë është anuluar, pasi asnjë kompani nuk ka ofruar shërbimin e kërkuar. Për servisimin e këtyre veturave ishin ndarë 18 mijë euro.

Asnjë kompani nuk ka pranuar ta bëjë servisimin e veturave “Toyota” të Presidencës së Kosovës.

Për këtë shkak edhe ka dështuar tenderi që ishte shpallur nga zyra e Vjosa Osmanit, në vlerë prej 18 mijë eurove.

“Për Llot 1. nuk kemi pranuar asnjë ofertë, ndërsa oferta e pranuar nga O.E për Llot 2 ne mas substanciale e tejkalojnë buxhetin e ZPRK-se, si A.K jemi te obliguar ta anulojmë këtë aktivitet”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Zyra e Vjosa Osmanit në tenderin e shpallur kishte treguar se do të lidhë kontratë me një operator ekonomik për servisimin dhe mirëmbajtjen e pesë veturave “Toyota” për një periudhë dy-vjeçare, shkruan Demokracia.com.

Veturat e Zyrës së Presidentit në nevojë për servisim përbëjnë katër “Toyota” të tipit Landcruiser dhe një “Toyota” Prado.

Dy prej veturave Toyota të tipit Landcruiser janë të blinduara, bëhet e ditur në Dosjen e Tenderit.

Kushtet për ofertim në tender parashihnin ofrimin e dëshmive nga operatorët ekonomikë se kanë përfunduar me sukses kontrata të natyrës së ngjashme në tri vitet e fundit.

“Një listë (tabelë) e cila paraqet kontratat e natyrës së ngjashme të përfunduara në 3 (tri) vitet e shkuara për periudhën deri në publikimin e njoftimit për kontratë, ku për secilën kontratë të specifikohet data e përfunduar, lloji i shërbimeve të përfshira, pranuesi i shërbimeve etj.”.

Servisimi i pesë veturave Toyota të Zyrës së Presidentit përfshihej në pjesën e parë të tenderit, i cili ishte hapur në dy pjesë.

Pjesa apo Lloti i dytë i kontratës parashihte servisimin dhe mirëmbajtjen e një veture Volkswagen “Multivan”, në pronësi të Zyrës së Presidentit.

Për kryerjen e shërbimeve dhe mirëmbajtjes së veturës VW “Multivan” në dy vitet e ardhshme, Zyra e Presidentit kishte ndarë 4 mijë e 500 euro. Vetëm një kompani private ofertoi për këtë pjesë të kontratës, por oferta e saj ishte më e lartë sesa shuma që ZPRK-ja kishte planifikuar për kontratën.

Demokracia.com ditë më parë ka raportuar sesi zyra e presidentes Vjosa Osmani e ka dhënë një tender të pazakontë për ngjyrosjen edhe riparimin e dy automjeteve Toyota.

Për këtë shërbim janë shpenzuar fiks 4 mijë e 484 euro, derisa puna i është besuar kompanisë “LTG Kosova”.

LEXO EDHE:

Ngjyrosje e riparim, tenderi i pazakontë i zyrës së Vjosa Osmanit për “xhipat e zinj” – Demokracia

“Shërbimi i ngjyrosjes dhe riparimit të 2 automjeteve zyrtare tipit Toyota. “LTG Kosova ” L.L.C. Vlera e përgjithshme e kontratës 4 484,00. Data e dhënies së kontratës 21.04.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 22.04.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 1”.

Në dosjen e tenderit është treguar se me 4 mijë e 484 euro do të kryhet disa shërbime lidhur me dëmet që kanë dy veturat.

Po ashtu është thënë se ngjyrosja duhet të ketë garancion trevjeçar.

“Shërbimi i ngjyrosjes dhe riparimit të 2 automjeteve zyrtare tipit Toyota. Ndërrim i mbrojtësit të parë x 1. Riparim i krahut të parë të djathtë x1. Ngjyrosja komplet jashtë me ngjyrë të zezë metalike x 2. Demontimi i mbrojtësit të vjetër dhe montimi i mbrojtësit të ri x 1. Polirim x 2. Garancion së paku 3 vjeçar për ngjyrë apo dëmtim të ngjyrës”, thuhet në dosjen e tenderit./Demokracia.com/

Të ngjashme