Lajme
DOKUMENT | Tenderi për digjitalizim, kompania e shoqes së Përparim Ramës dhe Komuna e Prishtinës nuk lejojnë qasje në ofertë
Demokracia
22:05 | 01 Maj 2024

Share:

Iris Gjinovci e ka pranuar edhe publikisht për një televizion vendor se ishte takuar më kryetarin Përparim Rama dhe kishin folur për digjitalizimin e proceseve edukativo-arsimore. Para pak javësh, Komuna e Prishtinës ka rekomanduar për kontratë kompaninë e po së njëjtës. Ndonëse janë shfaqur shumë të afërt me kryetarin Përparim Rama, askush nuk e di nëse ajo i ka plotësuar kriteret apo jo për kontratën “Digjitalizim i proceseve edukativo-arsimore – ritender”.

Kur ishte hapur ky tender, Komuna e Prishtinës kishte vendosur një varg kërkesash që duhej të plotësoheshin, si për staf të specializuar, qarkullime bankare, kontrata për punët e ngjashme, etj., etj. Askush nuk e di nëse kompania e Gjinovcit, “Schoolme Implementation & Consulting”, e cila është rekomanduar për kontratë, i ka plotësuar kërkesat e vendosura apo jo.

Kjo ngase kompanive ankuese dhe as mediumit Demokracia.com nuk i është lejuar qasje në ofertën fituese, me arsyetimin se dokumentet në fjalë përbëjnë sekret afarist. Gjinovci, duke u thirrur në një nen të prokurimit publik, ka plotësuar një formular duke kërkuar nga komuna që të mos lejojë qasje në dokumente, pasi ato përbëjnë sekret afarist.

Ligji i Prokurimit Publik e lejon këtë formë, megjithatë nuk e lejon që të mbyllen të gjitha dokumentet, por vetëm një pjesë e tyre, pasi duhet të bëhet pastrimi nga informatat sekrete. Madje, është shumë e dyshimtë edhe nëse formulari është plotësuar konform ligjit. Sido që të jetë, Demokracia.com është në pritje të një përgjigje nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) për të mësuar nëse e lejon apo jo ligji mbylljen e komplet ofertës si ‘sekret afarist’.

Demokracia.com ka bërë kërkesë për qasje në dokumente publike, ku ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të shoh ofertën e kompanisë lidhur me tenderin për digjitalizim, nëse e njëjta i plotëson apo jo kushtet konform kërkesave të vendosura në dosjen e tenderit. Komuna e Përparim Ramës ka dërguar në adresë të redaksisë vetëm këtë dokument, duke mos lejuar qasje:

Tashmë procesi për këtë tender është pezulluar, pasi tri kompani në garë kanë bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) kundër vendimit të Komunës së Prishtinës. Por, asnjëra nga to nuk ka mundur të ankohet dhe nuk është ankuar lidhur me atë nëse kompania e rekomanduar nuk i ka përmbushur kriteret, sepse ato nuk kanë mundur të shohin ofertën e saj. Janë ankuar vetëm kundër arsyetimit që u ka dhënë komuna e Përparim Ramës kur e ka anuluar ofertën e tyre. OSHP-ja ka caktuar ekspertin e vet shqyrtues dhe pritet që shumë shpjet të dalë me një raport.

Demokracia.com ka raportuar disa herë lidhur me këtë tender. I fundit ka të bëjë më atë se Rama dhe pronarja e kompanisë fituese ishin parë bashkë në një tryezë të organizuar nga vetë Komuna e Prishtinës, para se t’i jepej asaj tenderi.

Nga ana tjetër, para pak ditësh, Iris Gjinovci, themeluese e kompanisë “Schoolme”, ka thënë për KTV-në se me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, njihen tash e disa vjet, duke e ka pranuar publikisht se me të ka biseduar edhe për punën e digjitalizimit.

“Në dhjetor të 2021-s u zgjodh kryetar dhe më ka pritur si kryetar, i kam treguar projektin… U entuziazmua dhe kishte në plan digjitalizimin. Digjitalizmi ishte projekt i tij në arsim. Kryetarin Rama e kam takuar në vazhdën e takimeve me udhëheqësit për realizimin e projektit për digjitalizim, nuk është njohje e veçantë. 3-4 herë kam pasur takime me Ramën”, ka shtuar ajo. /Demokracia.com/

Lexo edhe:

FOTO | Tenderi i dyshimtë për digjitalizim, Rama dhe pronarja e kompanisë fituese tre muaj para se të themelohej biznesi i saj në një tryezë duke hartuar strategji

Të ngjashme