Lajme
DOKUMENT| Sveçla ia jep “teposhtën” Policisë, muajin e kaluar edhe rreshteri Mehmet Xhoni dha dorëheqje për shkak të kushteve të punës
Demokracia
17:30 | 17 Korrik 2022

Share:

Edhe Policia e Kosovës e ka marrë “teposhtën” në qeverisjen e Albin Kurtit. Deri më tani, pas vitesh të tëra në shërbim, dhjetëra policë janë duke e braktisur me të madhe institucionin e rendit.

Kushtet e punës dhe rrogat e vogla janë arsyet kryesore pse pjesëtarët e uniformuar të Policisë së Kosovës kanë filluar të largohen me të madhe.

Sot u raportua për dorëheqjen e togerit Besnik Loci, i cili e kishte veshur uniformën policore që nga viti 2001.

Por, njëjtë si ai, dorëheqje nga Policia e Kosovës, muajin e kaluar kishte dhënë edhe rreshteri Mehmet Xhoni, pas 22 vjet shërbimi si pjesëtar i uniformuar.

Arsyeja ishte e njëjtë: kushtet e punës, shkruan Demokracia.com.

Edhe Xhoni, njëjtë sikur Leci, ishte pjesë e Policisë së Kosovës që nga paslufta.

Ai ishte Mbikëqyrës i Pikës së Kontrollit në Pikë kalim Kufitar si pjesë e Drejtorisë Rajonale Kufitare VERI.

Demokracia.com ka siguruar vendimin për dorëheqjen e rreshterit Mehmet Xhoni, i cili mban datën 6 qershor 2022.

Ndërkohë, përmes një reagimi publik, togeri Besnik Leci njoftoi se e braktisi policinë tani pas mbi dy dekadave shërbim.

Këtë vendim, siç e përshkruan ai të vështirë, e mori për shkaqe ekonomike, ngase sipas tij është tejet e vështirë të mbulohen shpenzimet, shto këtu edhe mungesa e sigurimit jetësor e shëndetësor dhe kushtet e punës.

“Paga e pamjaftueshme për ta mbajtur familjen, mungesa e sigurimit jetësor dhe atij shëndetësor, kushtet e punës, e shumë çështje të tjera, më kanë detyruar ta marr këtë vendim aspak të lehtë, mirëpo të detyrueshëm” ka shkruar ai.

Leci e kishte filluar punën e tij si polic i thjeshtë në Stacionin e Veriut, për të përfunduar në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, në pozitën e shefit të njësisë.

Për herë të fundit në Kosovë pagat janë rritur para tetë viteve, kur kryeministër i vendit ishte Hashim Thaçi. Pavarësisht premtimeve të liderëve politikë, duke përfshirë këtu shefin aktual të ekzekutivit, Albin Kurtin, një vendim i tillë nuk u mor më nga asnjë kryeministër. /Demokracia.com/

Të ngjashme