Lajme
DOKUMENT | Shteti vazhdon të bëjë pazar më kompaninë serbe, MINT planifikonte anulim të licencës për MTS d.o.o
Demokracia
19:11 | 15 Nëntor 2023

Share:

MTS d.o.o. ka për kompani amë operatorin shtetëror të telekomunikacionit, Telekomi i Serbisë. Ndaj kësaj kompanie, para pak muajve është paralajmëruar anulimi i licencës së biznesit nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK) për shkak se “një anëtar i menaxhmentit të kompanisë në fjalë ka pasaportë të lëshuar nga Serbia” dhe kjo është shkelje e rendit kushtetues të Kosovës.

Pos që nuk i është tërhequr licenca e operimit kësaj kompanie, e cila operon në disa komuna të Kosovës me shumicë serbe, ajo ka marrëveshje kontraktuale direkte me shtetin e Kosovës.

Demokracia.com ka kërkuar qasje në qiratë e aseteve shoqërore të lëshuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit – AKP. Aty shihet se MTS vazhdon ta përdorë një tokë të AKP-së për nevojat e veta. Bëhet fjalë për “Hapësira te teleferiku URTO 1” tek Qendra e Skijimit në Brezovicë, ku qiraja që paguan ndaj AKP-së është 350 euro. Toka që ndodhet aty është e ish-ndërmarrjes shoqërore “DP Inex-Sar planina – Brezovica” në Shtërpcë, shkruan Demokracia.com.

 

Ndërkohë, emri i kompanisë MTS d.o.o. u gjet në listën e kompanive, të cilave mund t’u ndalohet veprimtaria e të bërit biznes, sepse në formularin e regjistrimit shkruan se ndodhet në territorin e Serbisë, përkatësisht shkruan “Mitrovica e Kosovës (Kosovska Mitrovica), Republika e Serbisë”.

Lista e kompanive me vendndodhje gjeografike të ngjashme të kontestuar është përpiluar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, pasi mediumit Klan Kosova iu pezullua certifikata e biznesit për të njëjtën arsye.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), më 6 korrik të këtij viti ka themeluar komisionin për shqyrtimin e dosjeve të bizneseve, në veçanti të atyre me “dokumentacione të dyshimta” dhe me “emërtime antikushtetuese”, ku 48 biznese kanë rezultuar në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

MINT-i ia ka pezulluar certifikatën e biznesit edhe televizionit më të madh privat në vend “Klan Kosova”, me arsyetimin se në dokumentet e regjistrimit të biznesit në fjalë, dy qytete të Kosovës – Peja dhe Gjakova – figuronin si pjesë e Serbisë, të shkruara gjithashtu në gjuhën serbe. Por, Gjykata Komerciale ka vendosur masë të përkohshme ndaj këtij vendimi.

Ndërkohë, kompania “MTS d.o.o” është themeluar në vitin 2015 me Marrëveshjen e Brukselit për telekomunikacionin e Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e BE-së, ndërsa licencën për të operuar sipas juridiksionit të Kosovës e pranoi pas një viti.

Nga ana tjetër, nëse vërtetohet se kompania MTS d.o.o. ka blerë ilegalisht së paku katër operatorë kabllorë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, do të gjobitet deri në dhjetë për qind të fitimit të përgjithshëm të realizuar kudo në botë gjatë vitit të fundit. Kështu kanë thënë para disa javëve për Radion Evropa e Lirë nga Autoriteti i Konkurrencës i Kosovës, i cili për punën e tij raporton në Kuvend.

Në fund të muajit nëntor të vitit 2022, ky autoritet ka nisur hetimet sipas detyrës zyrtare për shkak të dyshimeve se kompania MTS d.o.o. nuk i ka raportuar transaksionet e saj, siç kërkohet me ligj në Kosovë.

Ndërkohë, operatori “Herc International”, që ka të shtrirë rrjetin kabllor në komunat ku jetojnë serbët në Kosovë, ka shitur aksionet te “MTS d.o.o.”. Mediat serbe kanë raportuar se kjo kompani është e afërt me pushtetin në Serbi.

“Herc International” është kompani me bazë në Shtërpcë e regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë dhe aktivitet primar ka “telekomunikimin kabllor”.

Herc shfrytëzon dy lokale të ndërmarrjes shoqërore “Mlladost”, për të cilat paguan 700 euro në llogari të AKP-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme