Lajme
DOKUMENT| Saranda Bogujevci e VV-së dhe Arben Gashi i LDK-së “kampionë” të shpenzimeve të udhëtimeve
Demokracia
19:20 | 18 Prill 2022

Share:

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, janë deputetët që kanë shpenzuar më së shumti gjatë udhëtimeve.

Demokracia.com e ka siguruar dokumentin e pasqyrës financiare të Kuvendit të Kosovës për periudhën 1 shtator deri më 31 dhjetor të vitit 2021.

Sipas këtyre dokumenteve, Kuvendi i Kosovës nga 1 shtatori deri më 31 dhjetor të vitit të kaluar ka paguar gjithsej 4 mijë e 357.94 euro për bileta.

Ndërkaq për paga dhe mëditje për periudhën e njëjtë kohore janë shpenzuar 1 milion e 58 mijë e 222.03 euro.

Në këtë dokument të siguruar nga Demokracia.com, shihet se Arben Gashi, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, kanë shpenzuar më së shumti për udhëtime zyrtare.

Dy vizita në Francë dhe një në Hungari që i bënë këta dy deputetë, buxhetit të Kosovës i kushtuan 2 mijë e 22.31 euro.

Sipas këtij dokumenti, e dyta e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci për udhëtimin zyrtar në Francë për periudhën 26 shtator deri më 1 tetor të vitit të kaluar mori 539.40 euro mëditje për udhëtime jashtë vendit, raporton Demokracia.com.

Ndërkaq për udhëtimin treditor në Hungari ajo mori 273.30 euro mëditje.

Kuvendi i Kosovës për vizitën pesëditore në Francë të deputetes Bogujevci, pagoi 662.10 euro akomodim.

Sipas këtij dokumenti, Bogujevci në vizitën në Francë ka shpenzuar edhe 14.70 të cilat kanë hyrë në “shpenzime tjera të udhëtimit zyrtar jashtë vendit”.

LEXO EDHE: 

DOKUMENT| Kuvendi si “call center”, deputetëve ua pagoi 27 mijë euro si shpenzime telefonike në vitin 2021

Por ‘kampion’ i shpenzimeve të udhëtimeve po del të jetë Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi.

Dy vizitat e Gashit në Francë, buxhetit të Kosovës i kushtuan 1 mijë e 155.31, raporton Demokracia.com.

Sipas dokumentit, Gashi për vizitën zyrtare në Francë të realizuar nga 26 shtatori deri më 1 tetor të vitit të kaluar, për mëditje mori 593.40 euro.

Ndërkaq për këtë udhëtim për akomodim, Kuvendi i Kosovës pagoi 662.10 euro.

Arben Gashi gjatë 2021-tës e realizoi edhe një tjetër vizitë në Francë, por kësaj here qëndroi vetëm tre ditë, nga 5 deri më 5 dhjetor.

Për këtë udhëtim Gashi mori 395.60 euro mëditje, ndërkaq për akomodim Kuvendi shpenzoi 417.24 euro, raporton më tutje Demokracia.com.

Në të dyja këto udhëtime, Gashi ka bërë edhe shpenzime të tjera, të cilat buxhetit të Kosovës i kushtuan 166.31 euro. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

DOKUMENT| Nga orë dore e deri te perdet dhe kafet, Kuvendi i Kosovës këtë vit planifikon t’i shpenzojë rreth 2 milionë euro

Të ngjashme