Lajme
DOKUMENT| Nga orë dore e deri te perdet dhe kafet, Kuvendi i Kosovës këtë vit planifikon t’i shpenzojë rreth 2 milionë euro
Demokracia
15:31 | 18 Prill 2022

Share:

Kuvendi i Kosovës do të shpenzojë gjatë vitit rreth 2 milionë euro kontrata të ndryshme në vitin 2022.

Legjislativi i vendit përmes prokurimit në këtë vit ka planifikuar t’i shpenzojë saktësisht 1 milion e 824  mijë e 400 euro vetëm për kontrata shërbimesh, pa i llogaritur pagat e deputetëve dhe administratës së Kuvendit, shkruan Demokracia.com.

Këto para do të shpenzohen për blerje të inventarit, pajisjeve të teknologjisë, letrës, kafeve në bufenë e Kuvendit dhe materiale të tjera.

Buxheti i Kuvendit për vitin 2022 që do të shpenzohet përmes procedurave të prokurimit do të ndahet në dy lloje të kontratave: kontratat për furnizim dhe kontratat për shërbime.

60 mijë euro nga këto para do të shkojnë për furnizim me material për mirëmbajtjen e ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, ku përfshihet furnizimi me material elektrik, furnizimi me material sanitarë, furnizimi me material zdrukthëtarie. Ndërsa, 40 mijë euro të tjera është paraparë të shkojnë për blerjen e tepisonëve dhe perdeve të Kuvendit, raporton Demokracia.com.

Kurse, furnizimi dhe mirëmbajtja e aparateve kundër zjarrit do të kushtojë 10 mijë euro.

Një shumë e konsiderueshme nga ky buxhet do të shkojë edhe për blerjen e materialeve për zyra, e cila është planifikuar të arrijë deri në 80 mijë euro.

Ndërkaq, vetëm për furnizim me lule dhe bimë të tjera për oborrin e Kuvendit, ky institucion i ka planifikuar 30 mijë euro.

E rreth 20 mijë euro të tjera do të shkojnë për furnizim me material harxhues preventues.

Në listën e gjatë të planifikimit, Kuvendi e ka përfshirë edhe një orë dore, e cila nuk dihet në dorën e kujt do të përfundojë, megjithatë ajo që dihet është se për blerjen e saj janë planifikuar 300 euro, shkruan Demorkacia.com.

Edhe 12 mijë e 500 euro të tjera do të shpenzohen për furnizim me material protokollar në një tender me dy lote.

Për të blerë flamuj, Kuvendi për 36 muaj ka planifikuar 10 mijë euro, kurse 6 mijë euro të tjera do të shkojnë për furnizim me dhurata promovuese.

Furnizimi me material promovues, material lobues (logo, printim, dizajnim i fasikullave, kimikave, fletore, bllok e të ngjashme) do të kushtojë 3 mijë euro.

Kuvendi për këtë periudhë do të shpenzojë edhe 40 mijë euro për furnizim me pajisje të TI-së (PC, llaptop dhe pajisje të tjera).

 

Ndërsa, servisimi i veturave të Kuvendit është planifikuar të kushtojë 72 mijë euro për 36 muaj.

Në këto shpenzime nuk kishin sesi të mungonin edhe ato të akomodimit nëpër hotele.

Kuvendi i ka planifikuar hiç më pak se 200 mijë euro të tjera për shërbime të hotelerisë, shkruan Demokracia.com.

Mirëmbajtja mujore, riparimi i liftave në ndërtesën e Kuvendit është planifikuar të kushtojë 20 mijë euro. Ndërsa, 20 mijë euro të tjera janë planifikuar edhe për servisimin dhe mirëmbajtjen e sistemit kabllor.

Për më tepët, edhe 10 mijë euro të tjera janë planifikuar për shtypjen e materialeve të ndryshme për 36 muaj.

E një shumë prej 36 mijë eurove është paraparë të shpenzohet edhe për sigurimin e ndërtesës së Kuvendit, si dhe 580 mijë të tjera do të shkojnë në një tender që ka të bëjë me shërbime mbështetëse në ndërtesën e Kuvendit, i cili është në procedurë që nga viti 2021.

Po ashtu, 29 mijë euro janë paraparë edhe për një kontratë për hostingun, mirëmbajtjen, WEB castingun dhe zhvillimin e uebfaqes së Kuvendit.

Shërbimet për për ueb faqen e KNSH-së do të kushtojnë 12 mijë e 600 euro, shkruan Demokracia.com.

Kurse, hiç më pak se 21 mijë euro i kanë paraparë edhe për shënimin e Ditëve të Hapura të Kuvendit.

Në kuadër të Kuvendit, 12 mijë euro të tjera do të shpenzohen edhe për shtypjen dhe dizajnimin e Revistës “Kuvendi”, deri sa asgjësimi i materialeve të papërdorshme do të kushtojë edhe 2 mijë euro të tjera.

Pastrimi dhe dezinfektimi i rezervuareve të ujit do të kushtojë po ashtu 2 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

Kuvendi do të paguajë edhe auditimin e raporteve financiare dhe atyre të deklarimit financiar të subjekteve politike për vitin 2021 dhe kjo do të kushtojë 30 mijë euro.

10 mijë euro të tjera do të shkojnë për auditimin e PVF-së së Zyrës Kombëtare të auditimit për vitet 2021/23.

Kontrata të tjera janë edhe dy të planifikuara, që do të kushtojnë 466 mijë euro.

450 mijë janë planifikuar për pajisje për sallën plenare në procedurë që nga viti 2021 dhe 16 mijë për pajisje të tjera. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 31 Maj 2024