Lajme
DOKUMENT | Qeveria ndan 252 mijë euro për votimin në katër komunat veriore
Demokracia
19:20 | 22 Mars 2024

Share:

Jo presidentja Osmani, por Komisioni Qendror Zgjedhor ka caktuar 21 prillin si datë për votimin për largim të katër kryetarëve të komunave në veri të Kosovës. Për këtë proces, Qeveria ia ka miratuar KQZ-së edhe kërkesën për ndarjen e 252 mijë eurove.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit e Leposaviqit, në fillim të 2024 i nënshkruan peticionet për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.

Më 21 prill, në këto komuna do të mbahet procesi i votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni i deritashëm.

Për këtë, Qeveria Kosovës ka ndarë edhe një shumë prej 252 mijë eurosh, shkruan Demokracia.com.

“Aprovohet kërkesa e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 252,004€ (dyqind e pesëdhjetë e dy mijë e katër euro), për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat: Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan”, thuhet në vendimin e marrë nga Qeveria.

Në këtë vendim është treguar se nga cilat linja buxhetore janë marrë këto para.

“Mjetet nga pika 1 e këtij Vendimi merren nga “Shpenzimet e Paparashikuara” me kod 232 nga nën-programi “Shpenzimet e Paparashikuara” me kod 13100, kategoria e shpenzimeve “Rezerva” dhe transferohen në “Komisionin Qendror tê Zgjedhjeve”, me kod 320, si në vijim: Në nën-programin “Sekretariati” me kod 14100, shuma prej 33,7940 euro në kategorinë e shpenzimeve “Paga dhe Shtesa”; dhe Në nën programin “Zgjedhjet” me kod 14200, shuma prej 218,210 euro, në kategorinë e shpenzimeve “Mallra dhe Shërbime”.

Në fund të vendimit thuhet se Ministria e Financave obligohet ta zbatojë atë.

“Obligohet Ministra e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij Vendimi. Vendimi hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”.

Në Komunën e Leposaviqit, 2 mijë e 905 qytetarë të Kosovës me të drejtë vote kanë nënshkruar peticionin për shkarkimin e kryetarit, që përbën 20% të popullsisë me të drejtë vote në këtë komunë.

Në Zubin Potok, 1 mijë e 380 qytetarë të kësaj komune me të drejtë vote kanë nënshkruar për shkarkimin e kryetarit: në Zveçan 1 mijë e 1714 dhe në Mitrovicën e Veriut 3 mijë e 653. /Demokracia.com/

Të ngjashme