Lajme
DOKUMENT | Qeveria Kurti i jep grant Komunës së Podujevës për ndërtimin e shtatores së Ibrahim Rugovës
Demokracia
12:38 | 29 Janar 2024

Share:

Buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2024 është në vlerë prej 31,043,019.00 euro. Nga ky buxhet, komuna e Shpejtim Bulliqit ka paraparë edhe investime kapitale në disa fusha, shkruan Demokracia.com.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka udhëhequr me Komunën e Podujevës përreth një dekadë e gjysmë. Kjo parti, ndonëse përflitej së planifikonte t’ia ndërtonte një shtatore ish-presidentit Ibrahim Rugova në Rugovë, këtë nuk e kishte bërë. Lëvizja Vetëvendosje, e cila tash udhëheq me këtë komunë e ka marrë primatin që t’ia ndërtojë një monument Ibrahim Rugovës, i cili ishte themelues i LDK-së dhe president i parë i Kosovës.

“Ndërtim i shtatores së Ibrahim Rugovës”. Kështu quhet një projekti i Komunës së Podujevës që figuron në buxhetin e vitit 2024, të cilin e ka parë Demokracia.com.

Për ndërtimin e saj janë ndarë 40 mijë euro. Paratë janë grant i Qeverisë Kurti.

Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, të cilët pas bashkimit me partinë e Vjosa Osmanit e përgjysmuan LDK-në, duke ia marrë një përqindje të madhe të elektoratit, po vazhdojnë ta përdorin figurën e Rugovës për nevojat e tyre elektorale. Kurti dikur e quante Rugovën si “peng të lëvizjes çlirimtare” dhe LDK-në autoritare e jodemokratike.

Kryeministri Albin Kurti para pak ditëve e ka vizituar edhe familjen Rugova, me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, të cilët i ka njoftuar se së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e rezidencës së tij. /Demokracia.com/

Të ngjashme